Suplementi Pena Shqiptare/ Agron Mema: Të mbetesh njeri, në pikëvështrimin e një poeti

1053
Sigal

Mendime rreth librit: “Dilemë globale” të Vasil Gjivoglit

Fillimisht, jo pa qëllim, do doja t’ia bëj një parantezë këtij shkrimi. E diela e këtij mesmaji 2018, më zgjoi me një tringëlimë të ziles së telefonit. Në ekran u shfaq emri i ish-mësuesit tim të letërsisë, poetit dhe fabulistit të njohur, Vasil Gjivogli. Më ftoi për kafe. Rrugës mendoja, se pse më kish ardhur që në mëngjes dhe, pikërisht ditën e diel në qytet profesori. Por nuk zgjati shumë dilema ime kur në duart e mia mora librin më të fundit të mësuesit tim, të sapodalë nga shtëpia botuese, “Dilemë globale”. -Sa e mora nga shtypshkronja, -e shoqëroi me fjalë dhuratën mësuesi, -dhe kopjen e parë kam dëshirë t’jua dhuroj juve. U ndjeva i emocionuar dhe i vlerësuar nga mësuesi im për këtë dhuratë të çmuar. Në shtëpi menjëherë iu futa leximit me një frymë. Por iu riktheva përsëri me pangopësi edhe sepse librat e shkruar bukur nuk lexohen vetëm njëherë. Pas rileximit shkrova rreshtat që ju përcjell me dëshirën ta ndaj me ju brendinë e këtij vëllimi të bukur poetik që e përshkon ideja e vlerës njerëzore, që në jetë thelbësore është të mbetesh njeri. E di që është shumë e vështirë të shkruash për mësuesin tënd, por do shkruaj dhe të më vlerësojë me notën që të dojë. Ky libër poetik që kemi në duar është në vazhdimësi të librave më të hershëm të autorit me poezi, fabula, anekdota dhe gjë e gjëza. Në vargjet e poezive ndjehet filozofia, pedagogjia dhe arti i mësimdhënies, të cilat kanë lënë gjurmë në muzën e Vasil Gjivoglit dhe i jep librit një format edukues në vlerën e mirësjelljes dhe forcës së karakterit. Këto i shpreh në çdo rresht e germë të krijimtarisë dhe kjo vjen edhe në botimin më të fundit të tij “Dilemë globale”. Në këtë vëllim poetik poeti Vasil Gjivogli vjen me një poezi plot aventurë krijuese me papajtueshmëri të fenomeneve që u ka kaluar koha por që kanë mbetur si atavizma në sjelljet njerëzore. Ndaj poeti në unison të vetë kërkesave të jetës, në hapësirë dhe kohë, merr si pikë referimi të frymëzimit letrar profesionin e tij të mësimdhënies. Dhe kjo në emër të jetës dhe misionit poetik. Autori ka treguar kujdes në përzgjedhje që dimensioni tematiko-ideor të mos përkufizohet ngushtë dhe vetëm në një këndvështrim. Fokusi tematik i krijimtarisë në këtë vëllim shpërndahet në spektra me kolor ideor gjithandej skutash misterioze të shpirtit dhe vetë jetës, por kjo e bërë dhe strukturuar me një disiplinë të rreptë letrare. Kemi një oaz mendimesh të sjellura artistikisht në shkretëtirën shpirtërore të nxehtësisë së veseve, një rrëfim me qëndrim kritik me vlera të arrira ku rritet kurreshtja e lexuesit poezi pas poezie. Po çfarë e bën poetin të “silloiset”, pra të jetë në dilemë? Madje në “Dilemë globale”. Kemi një akumulim krijues në vite çka nënkupton tranzicionin e tej zgjatur e të pashpresë që gërryen me erozion të pamëshirshëm sjelljen dhe jetën njerëzore, ndaj diku shprehet: “Ndodh të meditoj: -Si do të vejë halli? Vallë kush do të fitojë, Zoti apo djalli?!..” Pra zgjidhjen e kësaj dileme e kërkon tek Zoti si të vetmen shpresë, por jo në filozofinë superticioze, ndaj mbetet i zhgënjyer e realist, por kurrë pesimist, megjithëse e gjitha kjo shpresë tranzicionare shqiptare paska qenë vetëm një ëndërr dhe bota do të qëndrojë e zhytur në llumin e pisët të veseve të saj që e kanë mbërthyer për fyti. Por, nëse goditen fort dhe ashpër viruset dhe virozat e ndërgjegjies dhe sjelljes njerëzore bota jeton ndryshe dhe autori sjell si antitezë panoramat e bukurisë bregdetare duke mos anashkaluar edhe ngacmimin emocional e shpirtëror të tij përballë magjepsjes së natyrës së vendlindjes. Pra shpirti i njeriut do të bukurën, pse të sëmuret. Por poeti bukurinë natyrore nuk e sheh thjeshtë si shlodhje:

“Mijëra këngë e ngjarje epike peshkatarësh

Si një simfoni harrese deti tregon me gjëmim…”.

Pra nuk kemi të bëjmë thjeshtë me një vizatim apo fotografim të këtyre bukurive që natyra i ka derdhur pa kursim në jugun shqiptar të bregut jonian, por një ngritje mbi përjetimin emocional ndaj tyre. Dhe vjen me evokimin e historisë dhe traditës së vlerës, atë çka poetin e bën më krenar se bukuria e vendlindjes nga ajo çka kjo vendlindje bart mbi vete në shekuj. Për bregasit deti është pjesë e shpirtit dhe poetit nuk i shpëton kënga e shpirtit që do të donte të qe “lundërtar i përjetshëm në ujrat e tij” Poeti duke përdorur një gjuhë të pastër, pa rënë viktimë e ekstremeve nacianale, por duke e pasur atë si reflektim në veprën letrare, është i detyruar të krijojë ndjesitë autoktone për gjithshka që na rethon. Por në vëllim me vargje plot ironi nuk përton edhe në këshillat ndaj politikanëve si shkaktarë, të pafajshëm apo të fajshëm të kësaj situate, që të jenë më të kujdesshëm ndaj artit dhe artistëve në marrëdhëniet e tyre me kulturën kombëtare. Poeti ka treguar kujdes të mos e ngarkojë poezinë dhe vëllimin me teprica të pa domosdoshme. Dhe kjo ndodh kur brenda këtij perimetri poetik, poeti nuk mund të rrijë e të mos shkruajë për ullirin, pemën magjike-simbol të paqes, pemë, e cila sot përballet me masakrimin barbar të tehut të sopatës e përdorur nga pashpirtësia njerëzore, jo vetëm e individve por edhe indiferenca e shtetit. Po vritet paqja dhe heshtet. Kjo e vret poetin dhe ndjen dhimbje deri në thellësi të trupit. Ndaj poeti revoltohet, apelon dhe evokon se kjo pemë lavdiplote, paqësore e bujare e pakursyer, është mbjellë shekuj më parë me sakrifica e mundime, me djersë dhe, kur është dashur, është mbrojtur edhe me gjak:

“Po të kisha grushtin mal,

Do të godisja ligësinë,

Gjithë të liqtë, o Zot më fal!

E bëj se dua njerinë

Ky është zëri poetik i revoltuar, ndaj diku në vargje bën thirrje se nesër do të jetë “një pendim i vonuar”. Pra, siç e nënvizuam edhe më lart, autoktonizmi poetik vjen si një veçori emocionale dalluese që e bën autorin të mbetet me profil të veçantë në krijimtarinë poetike, i përqëndruar në detyrën e vet si poet për të sjellë impulse të reja me një gjuhë artistike të përzgjedhur për lexuesin e përherëshëm. Dhe këtë realitet dhe botë emocionale i vesh me imagjinatën e tij edhe si mjete shprehëse figurative për të realizuar në fokus frymëzimet e shumta. Mes vargjeve që i sjell edhe si mjet artistik komunikimi, poeti ndan shqetësimin dhe mallin me miqtë, me dashuritë, ndez një qiri tek varret e të parve si mall dhe kujtesë që shpirti i tyre të prehet në përjetësi. Dëgjon një këngë zogu dhe lumturohet shpirti i poetit nga tingujt e cicërimave dhe kjo lumturi ja than lotin e syrit e fashit dhimbjen e shpirtit. Atë pikë loti e atë dhimbje shpirti që buron njerëzishëm në mjediset e varrezave. Si mësues në profesion, në vargje sjell të shkrira edhe dashirinë dhe merakun e mësuesit për nxënësit, atyre që u kushtoi jetën gjatë gjithë punës së tij: “Kur ju shoh ndonjëherë të mërzitur, Më duket për një çast edhe natyra e trishtuar” Vargjet ecin si hapat e poetit kalldrëmeve të boshatisura të fshatit. Sheh gurët e kalldrëmeve mes mërzitjes dhe vetmisë dhe zgjohen kujtimet me tisin e gëzimit dhe trishtimit. Librit nuk i mungojnë lirikat e dashurisë se kemi botë poeti. Ka vargje që sjellin poezi plot erotizëm origjinal, ku jo vetëm autori, por edhe lexuesi duket se ësndërron lirinë e vet intime. E gjithë ajo botë ndjesore përzihet me kushtim mes autorit dhe vet lexuesit, sepse lirika erotike dhe vet dashuria është si shpërthim flakadani që ndriçon rrugën drejt çlirimit nga e keqja, nga terri i vetmisë, nga marrëzia, nga heshtja e varrit. Poetin i kthen vargjet lirike në një rrezatim të emocioneve të shumta aq sa të zhyt në detin e lirizmit dhe vetja të ngjan si një aktor i këndshëm i skenës së një teatri të ndjenjës dhe mallit të përgjithshëm shoqëror. Këto poezi të duken se botën me lirikat erotike e përmbledhin parajsën e ndjenjës së përjetshme sepse vet dashuria e vërtetë nuk është e njëanëshme dhe personale, por dhe një etje e përgjithëshme. Ndaj poeti Vasil Gjivogli na i sjell me plotë magjinë e saj. Autori me rrëfimin në vetën e parë, kthehet në personazh kryesor të vëllimit poetik. Në përfundim të librit portretizohet duke ecur kalldrëmeve të fshatit që kur kthen shpinën nga mali fytyrën ia rreh era e detit dhe vështrimi tretet në kaltërsinë e tij, ndësa kur i kthen shpinën detit fytyrën ia rreh era e malit që puthen me horizontet rrotull fshatit. Dhe kjo është gjeo-hapësira e Piqerasit të tij të dashur ku i dalin të gjitha imazhet e njerëzve të dashur, miqve dhe shokëve, kujtime që më pas kthehen në vargje poetike të mallura. Në fund të këtij shkrimi dua të përcjell poezinë e parë dhe atë të fundit të këtij vëllimi: “Për vete dhe për të tjerët” Ca më deshën, ca s’më deshën,

Disa dhe në hall më qeshën,

Ca më shanë, ca më lëvduan,

Ca të tjerë kurrë s’më kuptuan.

Eh, kështu na qënka jeta,

Me të rreme e të vërteta.

Veç në jetë ka rëndësi

Të jesh e të mbetesh NJERI.

“Mbi varrin tim”

Do vijë një ditë dhe vdekja e shkretë,

Të gjithë do vdesim dhe s’është çudi,

Mbi varr të prehem krejt i qetë,

Të shkelin vetëm miqtë e mi:

Suksese mësuesi im i mirë Vasil Gjivogli!