Suplementi Pena Shqiptare/ Natasha Lako: Uji që bëhet rrallë shi

207
Sigal

Një pemë e vetme në mes të shkretëtirës. Por, jo e vetmuar . Gjithënjë rreth e rrotull saj ka dhjetra banorë të qytetit, familjarë apo jo, që vijnë nga rreth 30 km larg. E quajnë Pema e Jetës dhe është mbi 400 vjeçare. E vizitojnë si në një ritual. Thonë se dikur aty ka qenë Kopshti i Edenit. Sot gjenden puse nafte të pafund të shkrirë me hapësirën e shkretëtirës. Por sot këta banorë të një ishulli pothuaj qytet -shtet me po aq banorë sa kanë mbetur në Shqipërinë e sotme pas ikjeve të mëdha, kanë ardhur edhe për pellgjet e ujit që u kujtojnë oazet. Sepse një natë më parë janë derdhur retë. Dhe Bahreini ka më të rëndësishëm fjalën ujë se sa shi, që bie shumë rrallë. Por duhet të arrish deri këtu që të zbulosh dashurinë e njeriut për shkretëtirën. Po, po dashurinë për shkretëtirën në formën më reale të derdhjes së njeriut në mes të kësaj hapësire rëre ku prej shekujsh fshihet jeta dhe meditimi. Dhe kjo dashuri për mua është diçka e paparë dhe e mrekullueshme . Një dashuri e thellë dhe e thjeshtë , për të qëndruar në formë piknikësh a shëtitjesh të gjata a fabrikë mendimi mes shkretëtirës, që e ka lindur këtë vend.

Sa për vete nuk i shqitem Pemës së Jetës që më kujton ullinjtë tanë qindravjeçarë. Dhe rri e mendoj : A e dimë ne se ku gjendet ulliri ynë më i vjetër që vazhdon të jetojë ? Nuk e di. A e dimë ne se cili është pusi ynë i parë i naftës që kemi, me një folje që po bëjmë zakon të mos mbetet në përdorim te paktën për naftën.. Nuk e di .Mund ta dinë më të paktit . Po të shumtit çfarë dëshërojnë të dinë prej jetës që i ka lindur? Dhe cila është jeta e tyre sot?

Faleminderit i them këtij vendi të largët dhe vajzës sime me mendje të hapur, që ka zgjedhur të dijë të jetojë dhe të punojë në këtë botë që hap dimensione të pafund . Por për këtë duhet shkruar një libër i tërë .

Dhe tani që po shkruaj fillon përsëri …uji që bëhet rrallë shi .