Suplementi Pena Shqiptare/ Vaso Papaj: Piramida

Ajo ngjarje brenda Piramidës, në ditët dhe netët që pasuan, tashmë krejt boshe për mua, më turbulloi mëndjen. Sa të nevojshme e kisha t’i kthehesha e t’i rikthehesha së kaluarës. Ta mbushja atë me sa më shumë material jetësor. E kisha brenda vetes. Të jetuar… Të reflektoja mbi të… Kisha qenë edhe unë pjesë e asaj Piramide. Poshtë, lart… Për mirë dhe për keq të kish qenë. Vetëm kështu do të arrija vërtet të kuptoja, përse kisha mbërritur deri këtu. Kisha gabuar, dhe ku?… Sa pyetje kishin nisur të më godisnin! Ç’nuk kish funksionuar? Tek unë apo tek të tjerë? Të sillja në kujtesë ndodhi të veçanta dhe të reflektoja qëndrimin tim mbi ato. Sjelljen kundrejt të tjerëve, ndryshe nga të tjerët… Natyrisht, edhe pasojat mbi vete… Vërtet kishin kaluar vetëm katër vjet që atëherë, por ato kishin qenë aq të ngarkuar, sa kishin marrë tek unë vlerën e tetë të tillëve. Madje, me ngarkesën me të cilën isha përballur, habitesha si kisha mundur të vazhdoja të isha ende i fortë dhe i freskët. Kisha provuar peshën e pushtetit. Një provë e madhe kjo, e prekshme dhe e ndjeshme nga të gjithë ata që e provojnë. Dhe e besoja rezultatin e një prove të tillë. Natyrisht, gjurmët që kish lënë ajo. Për mirë a për keq të ishin. Si do të gjykohesha për ato? Sot apo nesër. Në ç’mënyrë? Nga individë apo organe? Hapur apo fshehtas, prapa krahëve? Tani isha i zhveshur nga pushteti, isha krejt lakuriq. Dhe papritmas kish ndodhur ajo skenë atje, brenda Piramidës… Kishte kaluar mesnata. 13 dhjetor, pra. Sapo isha kthyer nga festa. Një natë e tërë pa gjumë, me shi që s’pushonte së përplasuri zhu-zhu-zhu në xhamat e dritares, ndërsa ngjeshesha dhe shtrëngohesha në shtrat pas të vetmit vendstrehim të ngrohtë timin, Vojsavës. Të qetësoja shpirtin, por edhe të pastroja pluhurin e kohës mbi tërë ato shirita celuloidë të kujtesës. Që nga largimi i Kirit në Itali për studime dhe kalimit të Kelës në kuzhinë, në divanin anës dritares, ne, jo vetëm e kishim ruajtur, por çuar edhe më tej zakonin e vjetër të pëshpëritjes vesh më vesh gjersa të na kaplonte gjumi. Aty s’kishte asgjë mes nesh që nuk prekej, nuk thuhej, nuk shkëmbehej dhe nuk konsultohej. Nga ngjarjet e zakonshme, gjer në ato rastësore, me të cilat edhe ishim ndeshur herë pas here. Dhe natyrisht, atë natë pa gjumë, s’kisha sesi mos të rreshtoja gjithçka që kish ndodhur gjer në fundin e çuditshëm të asaj dite, atje tek Piramida: përsiatjet me gjithëfarsoj hamendjesh, si dhe pasojat e tyre nga pas… Njëri të grushtonte, tjetri të përqafonte. Kjo ngjarje s’mund të kalonte kështu, fare lehtë, vetëm me atë pyetjen: “ç’bëhet kështu”? Ajo s’mund të shikohej e shkëputur nga raporti im me partinë, me pushtetin dhe sidomos me kryetarin e ri të degës vendore, Mondin. Fundja, s’kishte të bënte thjesht me humorin dhe trishtimin tim, por mbi të gjitha me lumturinë time. Me betimin, dikur, atje në humbëtirë, në një ditë si kjo, me furtunë shiu, kur, përkulur mbi pusin e Demirëve, sozia ime pasqyruar mbi ujin akull atje në fund të tij, më kish joshur të shkoja në atë botë. Betimin tim aty, që kthehej gjer në detyrim ndaj Zotit të qiellit: për të mos ia shitur kurrë fytyrën dhe shpirtin tim asaj pasqyre të ftohtë atje në fund të pusit. Errësirës… Ta ruaja thellë, brenda meje atë cilësi të tij që e kisha quajtur lumturi, “zonjën lumturi” timen, si gjënë më të shtrenjtë edhe në rastin më të keq të jetuar. I sorollatëm mendimet tona atë natë nga njëri vesh tek tjetri, po përfundimi s’ishte veçse i vakët. Pas asaj dite kur Papi, shoferi më kish sjellë për herë të fundit në shtëpi, ai përfundim s’varej më aspak nga unë. Gjithsesi, pas Piramidës diçka e mirë duhej pritur. Kështu mendoja. Po çfarë, si dhe kur, mbetej vetëm hamendje. Kështu e pritëm edhe atë ditë. Me atë fjalën e zakonshme përmbyllëse të Vojsavës, të përzier me avujt e gjumit, që sa shumë të bënte të mendoheshe: “Kujdes!…” Pastaj, erdhën ngutjet e zakonshme të mëngjesit, të sajat dhe të Kelës. Në fund, si çdo ditë, ajo, edhe një herë përsëriti po atë fjalë, bashkëtingëllorja e fundit e së cilës, fishkëlluesja “sssss”, ngjante gjithmonë me një zile alarmi të butë që unë e përktheja “përkujdes”… Përkujdesje pra, veprim që kish të bënte me dashurinë, si pjesë e rëndësishme e saj… Por këtë herë i shtova asaj fjale edhe të tjera, shumë herë të pathëna, por të nënkuptuara: mos e harro kurrë Patri “entusiazmin jo të tepruar”. Vetëm pra, tërë paraditen, në shtëpi, me përpjekjen për të rreshtuar ngjarje të atyre viteve fiksuar në ato shirita celuloidë ku s’më nevojitej shumë mund t’i pastroja dhe t’i kthjelloja. Po, ndryshe këtë herë: gjithçka ia thoshja vetëm vetes, ashtu shtrirë në divanin e kuzhinës, anës dritares si zakonisht. Një monolog i heshtur pra, me vështrim të ngrirë, ngulur në tavan, për të mos më shpëtuar asgjë nga ata filmat bardh e zi që vazhdonin të projektoheshin në të, vetiu, njëri pas tjetrit. Sa kohë kish kaluar që atëherë! S’kisha mbushur javën nga dita kur isha ulur në atë “kolltukun e perandorit”. Ai shtator plot diell që vërshonte pa më pyetur nga xhamllëku i madh me faqe nga sheshi. Një trokitje e drojtur në derë, si gjithmonë: tak-tak-tak. Pastaj, lëvizja e dorezës. E kisha parë. Hapja paksa e saj. Bardhi, sekretari, si gjithmonë. Afrimi dhe pëshpërima e tij e butë mes habisë dhe gëzimit: “Zoti kryetar! Ambasadori italian. Kërkon t’ju takojë.” Isha ngritur në këmbë pa i kthyer asnjë fjalë dhe kaq kish mjaftuar që ai të sprapsej e të mbyllte derën. Po dera ishte hapur përsëri, aq shpejt sa nuk kisha arritur të hidhja as dy tre hapa. Ish shfaqur përsëri Bardhi. Këtë herë në profil, paksa i përkulur, t’i hapte dhe t’i tregonte rrugën një burri të vogël, por me një buzëqeshje të madhe, aq dashamirëse sa më kish lënë si të mekur tek mendoja se kisha përpara Italinë mike dhe dashamirësinë e saj në ato vite të vështira që po kalonte populli dhe vëndi im. Bardhi ish tërhequr menjëherë, i ndrojtur, pa fjalë dhe unë kisha zgjatur të dy duart drejt mysafirit. Ia kisha shtrënguar me to fort të tijën dhe e kisha drejtuar nga këndi i kolltuqeve në të majtë. “Mirëdita, zoti ambasador!” “Buon giorno presidente Leka!” “Mirëseerdhët, shkëlqesi”, ia kisha kthyer unë përsëri teksa e prisja të ulej. M’u kujtua në detaje gjithçka që kishim folur italisht atë ditë. Po, edhe pse ashtu, më erdhi më mirë, aty në divan, ta sillja dhe ta renditja të tërë bisedën në gjuhën time. “Vij nga Plepat, nga baza e “Operacionit Pelikan”, e kish nisur ai fjalën. “Sapo zbrita nga helikopteri. Verilindja juaj aq e bukur, e parë nga qielli, po sa e varfër dhe e braktisur. E kërcënuar nga uria. Avash-avash do të vijë dimri. Të shkojnë atje ku duhen ndihmat humanitare. Erdha t’ju njoh. T’ju falënderoj për bashkëpunimin. Më ka folur për ju shefi i zyrës së kooperimit pranë ambasadës, doktor Ramundo. Më ka thënë: flisni mirë italisht.” “Falënderimi është për Ju, Zoti ambasador. Edhe në emër të këshillit të rrethit që drejtoj”, ia ktheva unë. “Jam shumë i nderuar që ndodheni sot këtu. Autoritetet tona kanë marrë urdhër t’ju rrijnë pranë dhe t’ju plotësojnë gjithçka që ju nevojitet. Do më falni. Jam tërë emocion. Ju sot po më dukeni si një ëngjëll i vërtetë, i zbritur nga qielli, i dërguari i Zotit, në ndihmë të një populli të braktisur nga një regjim i dështuar. S’gjej dot fjalë të shprehem.” Ç‘qeshje kish shpërthyer befas nga tërë qenia e tij… Sesi ishte tundur nga ajo gjer edhe kolltuku: “Ha ha ha… Ëngjëll!” Ndoshta kish kërkuar me atë të më largonte emocionin. Kënaqësia dhe sinqeriteti na kish mbështjellë të dyve. Ish ndier. Ndoshta, për shtetin e madh që përfaqësonte ai, ndihma nuk kish kërkuar ndonjë sforcim kushedi se çfarë, po për ne ajo kish qenë jetike. Më kujtohej mirë. S’mund ta harroja kurrsesi. Kisha parë atë çast me vëmendje sytë e kaltër të një fisniku. Shprehnin humanizëm, shumë humanizëm dhe kisha kuptuar në çast se ai, nga ajo ditë, do të bëhej një mik i vërtetë i qytetit tim dhe i rrethinave të tij. Dhe koha e kish treguar këtë sa herë gjer tani. “Doktor Ramundos, përshëndetje dhe falënderime njëherësh”, kisha shtuar unë pastaj me të njëjtin entusiazëm, shtyrë nga afërsia që më kish ofruar. “Ai ma sugjeroi universitetin “Gabriele D’Annunzio” për tim bir. Sapo ka nisur vitin e parë atje. Në arkitekturë dhe urbanistikë. Ëndërr e vjetër e imja, e parealizuar.” “Shumë mirë. Bravo!”, ma kish kthyer ai serioz. “Shqipëria ka nevojë. Këto ditë, nga ajri kam parë kaos.” “Keni të drejtë, shkëlqesi”, isha munduar ta sqaroja unë. “Me një vendim të qeverisë, sapo u krijua këshilli i rregullimit të territorit, KRRT-ja. Nga java tjetër do të mblidhemi për të parën herë. Të shohim… Do të mund ta disiplinojmë këtë valë njerëzore drejt qyteteve të mëdha?… Planet urbanistike të trashëguara nuk e përballojnë dot këtë fluks”. “Vetëm, jo avash-avash… Duhet shpejto-shpejto”, më kish ndërprerë ai. Kishte qeshur përsëri, ish ndalur për një çast dhe… “Avash-avash është fjala e parë shqip që kam mësuar”, kish shtuar në fund.

Kisha qeshur edhe unë pas tij. Rastësi të kish qenë, vallë?… Ku i kish vajtur mendja… Të mësonte atë fjalë që kish të bënte me shpejtësinë, me ritmin… Me rëndësinë e tij atë kohë në çdo hap tonin drejt shpëtimit… “Një kafe?… Ekspres…”, e kisha ndërprerë unë atëherë. “Vini nga rruga. Ime motër ma thotë shpesh: një kafe ta përmbledh trup e shpirt në një.” “E drejtë, e drejtë… Lum ti. Sa keq! S’pata një motër. Këshillat e saj do të ishin vlera të vërteta. Me kënaqësi. Do ta pimë”. Isha ngritur dhe kisha shkuar gjer tek dera. Një porosi Bardhit, pa zë. Dhe s’kish kaluar shumë. Bufisti ynë, Bujari, ish shfaqur me filxhanët dhe gotat mbi tabaka. Na i kish vënë përpara mbi tavolinën e mesit. Ky kish qenë takimi im i parë me Paolo Forestin. S’do ta harroja kurrë. Shiu vazhdonte të jargavitej në dritare si një udhëtar i lodhur pas një rruge të gjatë dhe befas, ashtu shtrirë, m’u shfaqën të projektuara në tavan ca rreshta në formën e një poezie. Kishte qenë një natë pa gjumë, disa muaj pas atij takimi. Natë dhjetori. Kisha shkruar ca vargje të veçantë. Pas një ëndrre të ngacmuar nga një mendje e trullosur. Secili prej tyre niste me një gërmë dhe ato, po të lexoheshin vertikalisht formonin emrin dhe mbiemrin e tij.

NOA

Ku s’të çonte mëndja natën!… Ç’farë s’të thoshte ajo!… U ngrita. Nxora fletoren time të shënimeve nga rreshti i librave ngjeshur në pjesën e bufesë që përdornim si bibliotekë. E shfletova…E gjeta më në fund… Ç’emocion!…

Pelikanët gojëshqyer i ule nga qielli në karvan.

Ata, dashuruar me bjeshkët, erdhën të shuajn’ uri.

Orkestra luante Beethoven, ti ishe një von Karajan.

Lëvdata liderësh mungonin. Ligji atje qe veç pleqësi.

Oksigjeni i vërtetë ësht’ demokracia e liderëve,

përsëritje pa fund ti.

Fryma jote e ngrohu grazhdën tonë të braktisur.

Orteku i arsyes lëvizi optimizmin e ditëve dimërore.

Requiem këngësh për miqësi të vjetra e të reja stisur.

Engjëll i qiejve ishe, kollarisur me ëndrra diellore.

Sinonimin e agimeve mbillje, na bëre si të harlisur.

Ikonë e përjetshme përherë do të mbetesh,

me kuota të larta në bursën e vlerave njerëzore.