Suplementi Pena Shqiptare/ Bledi Ylli: Doja të të dua

Doja të të dua, sigurisht që doja.
Doja të të shihja, ty, si perëndi.
Edhe pse e dija që shumë po gaboja.
Gabimi im i këndshëm, mban emrin “dashuri”!

Ti ishe një “botë” tjetër e unë aty jetoja.
Aty nuk kishte ligje, kish’ veç mirësi.
Kur dilja në anë’ tjetër, më thonin që gaboja.
E tek ty kur “hyja” çdo gjë ish’ mrekulli!

Sigal

Ajo “bota” jote nuk kishte përcaktime.
E as fe nuk njihte, as moshë edhe as ngjyrë.
Por ish “ana tjetër”, gjithë paragjykime.
Aty ku të gjithë zërat kishin një fytyrë!

Her’ këtej e her’ andej, tek ti folen e ngrita.
Aty ku valët sillnin plotë ndjenja dashuri.
Aty ku edhe territ nuk i mungonte drita.
Aty ku edhe hëna, nuk ndillte nostalgji!

Her’ këtej e her’ andej, një ditë do vinte fundi
Se çdo gjë e bukur nuk mund të zgjas përjetë.
Gjithë ajo vajtje-ardhje, në bindje më lëkundi
e zgjodha “botën” tjetër dhe pse s’e doja vetë!

Tani kur më sjellë rruga në kufijtë e tua
përpara portës kyçur, me mall rri e vështroj.
Ndizet prap dëshira mbushur plot “të dua”.
“Më lini ju o njerëz, më lini të gaboj”!

Doja të të dua, sigurisht që doja;
doja dhe të kisha, ty, si perëndi.
Mij’ra herë të tjera, sikur t’a provoja;
të njëjtin gabim të këndshëm, do t’bëja përsëri!