Suplementi Pena Shqiptare/ Mbresa nga romani “Vajzat e mjegullës” i shkrimtarit Namik Dokle, që së fundmi u botua dhe u promovua edhe në greqisht

Nga Robert Goro

SA REALIST, AQ EDHE ALEGORIK

Sigal

Mbresa nga romani “Vajzat e mjegullës” i shkrimtarit Namik Dokle, që së fundmi u botua dhe u promovua edhe në greqisht.

Shkrimtari Namik Dokle e ka nisur rrugën e letërsisë, më shumë se pesë dekada më herët, kur botoi vëllimet e para me tregime e shkroi drama që lanë gjurmë.

Pastaj, jeta e tij profesionale u zhvendos te gazetaria. Dhe ky ka qenë sebepi që unë të njihem me të, e të përfitoj jashtëzakonisht nga mençuria, por edhe fisnikëria e zemërgjerësia e tij. Duhet ta dini se në atë kohë, megjithëse i kontrolluar deri në mbytjen e frymës, shtypi shqiptar megjithatë funksiononte me një profesionalizëm të tillë, saqë më pas, kur nisa punë në BBC, të paktën në pikëpamjen e profesionalizmit unë dhe kolegët e mi nuk u ndjemë si të zbritur nga një planet tjetër.
Shtypi ishte i tillë falë shefave si Namik Dokle, i cili kishte dhe një virtyt tjetër, ngjashëm do të thosha vetëm me Niko Nikollën, shefin tim te revista Hosteni: Nuk e shiste kurrë gazetarin, edhe kur ky shprehte ndonjë mendim që normalisht mund t’i thoshte burgut “hapu”. Edhe aty ku drejtonte gazetën, edhe më pas kur u emërua sekretar i përgjithshëm i bashkimeve profesionale dhe kryeredaktor i Zërit të Popullit në një periudhë kritike, jam i sigurt se Namik Dokle zemrën e kishte te dashuria e parë, letërsia.

Sepse ishte shkrimtar i lindur. Sepse shkrimtaria, ashtu si çdo talent, nuk mësohet, po rritet bashkë me njeriun që e mbart atë.

Prandaj, kur i dha lamtumirën, rendi tek dashuria e parë dhe shpërtheu gjithë vrullet e “vullnetet e ndrydhura”, siç do të thoshte Migjeni.

Në një moshë kur përjetimet dhe perceptimet e fëmijërisë rikthehen këmbëngulëse, më të gjalla, por edhe të ftilluara në filtrin e përvojës jetësore, Namik Dokle i përgjigjet sfidës, kridhet si një zhytës i regjur në atë det imagjinar dhe kur del në sipërfaqe mban në dorë “Vajzat e mjegullës”, romanin që me botimin në greqisht shtoi një vlerë tjetër të letërsisë shqipe në gjuhë të huaj.

Për mendimin tim është një sagë rrëqethëse e vend origjinës së autorit, Gorës, një krahinë në verilindje të Shqipërisë, që atëbotë kufizohej me Jugosllavinë. “Enver andej, Tito këndej, mjegulla në mes”, na e prezanton autori… Pavarësisht se i referohet parullave të shkruara me gurë në kodrat në të dy anët e kufirit, metafora e fuqishme të godet menjëherë dhe diku nga faqja 100, zgjidhet enigma e titullit…

Është pra ky roman, një sagë jetëkrijuese, mbijetese, por edhe rezistence, në kushtet e presionit mbytës që ushtronte pushteti i porsainstaluar.

Megjithëse nga faqja e parë deri tek e fundit ngjarjet zhvillohen në një hark kohor prej disa javësh apo disa muajsh -kjo nuk ka shumë rëndësi- në ekranin krijues të Namik Dokles parakalojnë të paktën tre shekuj, aq sa ç’është dhe mosha e Majkës, personazhit enigmatik dhe emblematik, një lloj orakulli dhe cicerone e muzeut virtual të Bukojnës; Majka, e vetmja të cilën pushteti tenton, por nuk e prek dot, ndoshta pse atë e ruajnë historitë që zotëron…

Në romanin e Dokles të bën për vete përzierja tejet harmonike e periudhave, legjendave, miteve, historitë e vërteta dhe imagjinare -por të legjitimuara nga kujtesa e njerëzve- virtyteve me mëkateve. Një panoramë gjithëpërfshirëse e një shoqërie nën diktaturë, 10-15 vjet pas përfundimit të luftës së dytë botërore, por me reminishenca të ndjeshme edhe sot…

“Vajzat e mjegullës” mund të quhet një roman i ndërtuar totalisht mbi alegorinë dhe në të njëjtën kohë është një roman tejet realist. Thënë më qartë, janë ngjarjet e vërteta e njëheri të pabesueshme që shndërrohen në alegori, duke i dhënë shansin lexuesit të përsiatet jo thjesht, mbi atë regjim të mbrapshtë që sundoi vendin për gati gjysmë shekulli. Por që përsiatja e tij  të shtrihet në tema që sidomos sot janë më aktuale se kurrë: e mira, e keqja, burrëria, amoraliteti, krenaria njerëzore, solidariteti ndërkomunitar.

Në roman shpalosen tipa e karaktere që çdokush i ka hasur e i has në jetën e vet, aq më tepër në një komunitet të mbyllur. Puthadorët e pushtetit që ia kanë shitur shpirtin djallit, spiunët që krekosen se “ua fusin” bashkëfshatarëve “për të mirën e përgjithshme”, abuzues të paskrupullt me pushtetin që u jep arma dhe posti. Në anën tjetër, njerëz të thjeshtë, që nuk janë armiq të sistemit, por që duan ta mbajnë kokën lart dhe ballin të pastër, mbartës dhe ruajtës të traditave e miteve (mallkimi i Sinan pashës dhe guri-e vetmja dhuratë që i bëri zoti goranit); tradita e mite që i ndihmojnë në përballimin e sfidave si uria.

Si gjyshet tona që mbrunin bukën e shijshme në magjet e drunjta, Namik Dokle luan me fjalën si një mjeshtër i vërtetë, gati-gati si magjistar. Përshkrimet e tij janë plot me ngjyra të virgjëra bjeshke, duke prekur sinorët e poezisë, por pa rënë aspak në kurthe letrareske.

Ja disa shembuj:

Vajzat iknin me vrap, si shpendë të trembur nga krisma e çiftes apo e lehura e zagarit.

Më dukej vetja si një trajstë e varur në çardak, që e frynin erërat ngado që shkonin.

Pikat e ujit që binin nga dy gjymat e nuses ngjanin si lot grashë.

Unë ikja drejt ulërimës që më thërriste e më tërhiqte si të lidhur me litar drejt humnerës ku nuk binin re të bardha…

Midis pyetjes time dhe përgjigjes që mora nuk qe varur as jeta, as vdekja, por vetëm shpresa.

Majka, me bastunin e saj të stërvjetër kuvendonte me gurët e fshatit.

Apo shprehjet frazeologjike, proverbat dhe aforizma, që personalisht nuk e di nëse janë krijime të anonimit apo të vetë autorit:

Famija të çon në vrimë të gjarprit e në derë të dushmanit.

Kë po shtrëngonte opinga për mua?

Kur të djeg kungulli në tepsi duhet t’i frysh në gardh…

Kur e ke shit “allatin” mos e kërko më leshin…

Unë isha mulli që bluaja vetëm miellin tim.

Bilbili e qyqja këndojnë në të njëjtën ditë, por jo të njëjtën këngë.

Nuk mund të rri pa thënë edhe këtë: Para vajzave të mjegullës, nga Namik Dokle kisha lexuar librin e tij më të fundit, legjendat e Gorës të përmbledhura nën titullin “Vallëzim me hënën”. I pata thënë Namikut se faqe pas faqeje në mendjen përshfaqeshin imazhe që i kisha përfytyruar gjatë leximit të “100 vjet vetmi” të Gabriel Garcia Marquesit.

Edhe te “Vajzat e mjegullës”, ashtu si mjeshtri i madhërishëm kolumbian, Namik Dokle i përzgjedh fjalët, i vendos njërën përbri tjetrës në një mënyrë të tillë që frazat e fjalitë krijojnë rrugica misterioze ku udhëton fantazia jonë pjellore, në një udhëtim që lexuesi i vëmendshëm uron të mos mbarojë kurrë.