Suplementi Pena Shqiptare/ “Gjurmë të yllta” – dritë poetike në kalldrëmet e Gjirokastrës

Nga Çano Nora & Petrit Beqiri

Në mozaikun poetik të kohëve tona vjen me ndjeshmëri të veçantë libri “Gjurmët e yllta” i poetes gjirokastrite Mimoza Maria Ajdhoni. Si një udhëtim nëpër kalldrëmet e qytetit të gurtë ,vargjet e saj ndriçojnë kujtime , dashuri dhe ndjesi njerëzore, që mbeten të pashlyera.Poezia e Ajdhonit  mbart një aromë të brishtë vjeshte ,një mall të thellë për nënën ,një përjetim të pastër dashurie ,duke i kthyer fjalët në dritë ,ndjesitë me gjurmë e gjurmët në yje.

Sigal

Me një ndjeshmëri femërore të hollë dhe me një shprehje të natyrshme poetike , autorja  arrin të ndërthurë realen me ëndrrën ,përditshmërinë me magjinë e shpirtit krijues.

Në horizontin letrar Gjirokastrës, qytetit të gurtë e të ndjeshmërisë së thellë , vjen me një zë të qetë e të ndritur libri poetik “Gjurmët e yllta” i poetes Mimoza Maria Ajdhoni. Ky libër , i dyti në rrugëtimin e saj krijues , përbën një dëshmi të pjekurisë artistike dhe shpirtërore të autores. Në faqet e librit ndihen ritmet e dashurisë dhe dritat e brishta të krijueses.Poezia e Ajdhonit ruan një lidhje të natyrshme me vendlindjen , me kalldrëmet e qytetit që formojnë histori, drejtë universales ,drejtë ndjenjave që prekin çdo zemër njerëzore.

Fjalët e saj janë të thjeshta , plotë dritë , të buta, por me peshë. Ajo di se si të shndërrojë përjetimin në varg dhe vargun në ndjesi.Në çdo poezi ndihet një sinqeritet i rrallë dhe një qetësi e brendëshme që vjen vetëm nga shpirti i vërtetë poetik.

Mimoza Maria Ajdhoni ka lindur në fshatin Saraqinishtë të krahinës së bukur të Lunxhërisë.E rritur mes traditës ,kulturës dhe dashurisë për fjalën e shkruar ,ajo ka ruajtur  gjithmonë lidhjen shpirtërore  me vendlindjen e saj.Dhe nëse ajo ka bërë mirë këtë detyrë,thotë me krenari:Nëse më njeh nga hapat,.nëse më njeh nga zëri,nëse më njeh nga vargjet,pritëm ,o vendlindje pritëm!

E martuar dhe me banim në Gjirokastër ,prej disa vitesh jeton e punon në shtetin Helen ,pa e ndërprerë asnjëherë lidhjen me poezinë dhe krijimtarinë .Pas librit të saj të parë ,vjen me vëllimin e dytë ,”Gjurmët e yllta” ,një dëshmi e maturisë dhe përkushtimit të saj ndaj artit të saj ndaj fjalës.

Po të shohësh kopertinën, ka vendosur në faqën e parë një portë prej guri nga të Gjirokastrës, një gjetje fantastike, që të jep përshtypjen e një ftese për lexuesin, për t’u futur në brendinë e librit…

Kjo poete gjirokastrite, po lë një gjurmë të ylltë e të bukur në kalldrëmet poetike të këtij qyteti.
Ja, kjo është” feja”e poezisë së Mimozës, që e “detyron” lexuesin, të bëjë yll në vend të kryqit!

Feja e poezisë është e lashtë sa vet njerëzimi, që i është falur në shekuj fjalës së shenjtëruar!

Moza, duke ecur në këtë gjurmë, i dha formë dhe ngjyrë të ylltë!

Poezia është syth i emrit të saj, është aromë e emrit të saj, ngjyrë e emrit të saj.   Dashuria merr formën që meriton në poezinë e Mimozës!

Paralelet i heq me çastin! E sheh si mundësi të artë, që bie në tastjerë, pothuajse e gatshme për t’a shkruar!

E vlerëson si magji për poezi dhe jo vetëm! Edhe si mundësi për të dashuruar!

Maji, një muaj i përzgjedhur nga Mimoza! Ndoshta është muaji i saj, i dehjes nga aroma e vetvetes, nga aroma e puthjeve të para, ku numëron dashuritë në petale dhe festat e ditëlindjeve të dashurive! Ndaj dhe poezia ngjanë si një unazë lulesh, që autorja e vë në gishtin e lexuesit.

Një poezi me përdorim të shumtë të pjesëzës “pa”, në fakt shkon drejt pohimit të sigurt të asaj që do të shprehë poetja, si: “Hije pa dritë, poezi pa fjalë, zog pa fole”, etj

Një poezi “memece”, enkas për të thënë, që “dashuria që ndjej, s’ka nevojë për fjalë”. Në poezi të veçanta, poetja flet përtej fjalëve, që shpesh thonë edhe më shumë, kur me intuitë të shpirtit poetik, zgjedh të flasë xhesti, duke gjetur vende të shenjta, si Ikonostasi i kishës, ku lidhen dy zemra jo me fjali, por vetëm me një përemër pyetës!

Poezia është syth i emrit të saj, është aromë e emrit të saj, ngjyrë e emrit të saj, që xhelozon me vetveten!

Është vet muza poetike, që ulet si bleta mbi nektarin e muajit dhe stinës së mimozës…

Vargjet e parë që hodha,

në një vjershë, shkruar si prozë,

më thanë që emrin ia vodha,

sapo çeli një mimozë…

 

Ia mora udhës të verdhën,

që me vargjet të më lozë,

tek emri ca lule çelën,

muza mban erë mimozë.

 

Mimoza ka çelësin e artë të poezisë, me të cilin hap portat e blinduara të lumturisë!

Ç’është lumturia për Mimozën? Gjithë çastet që e kanë ndjekur, por edhe që i ka ndjekur, duke lënë një gjurmë të bukur poetike!

Këndvështrimi i saj pas perdeve, e bën edhe më intriguese poezinë! Ajo qëndron në gjysmëerrësirë, për të fshehur veten, që të tejduket gjithçka që shkruan:

“me një sy dielli të mirëdizenjuar,

të shohë misteret në dhomën e shpirtit!”

 

Dua të zhvesh trupin, ndaj sytë m’i mbyll!

Zhveshur të vij drejt teje e marrosur,

të zgjedh për vete vetëm një yll,

në një qiell, me yje të pasosur!

 

Poezia e Mozës është në stinën e pragardhjes, ndërsa puthjen e fundit e çukisin bilbilat!

Këtë çukitje autorja arrin t’a bwjë varg e t’a  bëjë ritëm në poezinë e saj të pranvertë, ku gjejnë detaje lexuesit-stilistë.

Shpesh poetja vihet në rolin e mësueses, për të vlerësuar vetveten para lexuesit, si në një kontroll dijesh, etapë që, mesa duket, e ka të nevojshme poezia!

”Më mjafton edhe një natë, të vë nota dashurie”, si në atë thënien e popullit, që, për të testuar shijen e verës, nuk ka nevojë të pish gjithë fuçinë, mjafton vetëm një filxhan.

Ëndrra poetike e Mimozës, e kryqëzuar bardhë e zi në kalldrëmet poetike të Gjirokastrës, ku hodhi edhe hapat e parë!

Në motivet faqosëse, ajo hodhi gjurmë të yllta, si një pasurim figurash artistike, që vijnë nga pesë kendvështrime e mblidhen e bëhen titull.

Kjo është “Qafa e shpirtit poetik”!

 

Tani je një muzë e gurtë,

atelie për poezi,

në kalldrëm me gurë të shumtë,

kryqëzohen dashuri!

 

Gjithë mjetet stilistikore dhe figurat letrare, poetja i zgjedh si përqasje nga Gjirokastra dhe rrethinat e saj, se është vajzë e Gjirokastrës, por edhe nga Lunxhëria, se është bijë e saj.

Krahasimet kaq përfaqësuese e të veçanta, kur thotë për vargjet “si oshafi të ëmbla”…

Apo pesha e epitetit, kur thotë “lemza të gurta”, forca emocionale e metaforave, si: “Syri i Malit të Gjerë,

të puthë diell çdo mëngjes”…

Kjo bën që poezia e saj t’i ngjajë një kalldrrëmi të stolisur bukur!

Tema e dashurisë, si qasje magjike në vargun e Mimozës, me puthjen  si çastin magjik!

Duke e lexuar, nëpër strofa të duket sikur ecën në fushë magnetike, që krijon dashuria jo e njëhershme, por e përditshme.

Se dashurinë dhe poezinë i do dhe i ka të përditshme!

 

Dashuria, kjo qasje magjike,

me puthjen, si çasti magjik,

sikur ecim në fushë magnetike

dhe dashurohemi çdo ditë!

Poezinë Moza e ka në frymë! Siç ka emrin dhe ngjyrën e saj! Ajo nuk e paralajmëron, as nuk e fton (a paralajmëron frymëmarrja?), vetëm kur e sheh të shkruar e të formësuar në strofa. Se ka aftësinë t’a shohë e t’a prekë në pasqyrimin e një ylli, në pjesën e papërfunduar të një melodie, te një vetëtimë pa rrufe, apo tek e pathëna e një ëndrre.     Sa lirizëm ka në “Zërin e heshtjes”, që vjen pa trokitur te poetja dhe, zemra e saj për “replikë”, shton të rrahurat më shumë, se ajo është gjuha e saj.

Si stinë të preferuar për poezinë e saj, ka stinën e vjeshtës! Pra, vjeshta është stina poetike e Mimozës!

Ajo edhe me të dashurin e saj takohet befasisht në vjeshtë, duke ndjekur udhën e një gjethejë që bie urtësisht…

Në peizazhin e vjeshtës së artë bëhet poezi çdo gjethe e këputur, te një rreze dielli ulet të shplodhet një flutur…

Ka faqosje më të bukur se kjo imagjinatë poetike?

Edhe pse është e rrallë, poezia me temën e nënës, në atë të paktë brumë të mbrujtur bukur, si duart e nënave në magje, arrin të dalë nga përjetimi thjesht vetjak dhe çdo lexues të prekë secili emocionin për nënën e vet!

Duart e nënës në gjithë botën janë të njëllojta, të rrudhura, por të florinjta (duart e nënës gjirokastrite, prej nga vjen autorja, i ka njësuar me kalldrëmet, lidhur si lule gishtrinjtë.

“Gjurmët e yllta” është një libër që mbetet në kujtesë,si një dritë që ndriçon njerëzit e fjalës dhe të shpirtit.Me këtë vëllim poetik Mimoza Maria Ajdhoni lë gjurmët e saj të yllta në letërsinë bashkëkohore shqiptare ,duke dëshmuar se poezia ,kur lind nga zemra ,nuk ka stinë ,por mbetet gjithmonë e re.