Suplementi Pena Shqiptare/ Bledi Ylli: Jetoj akoma

46
Sigal

Endërr që mbete në zemrën time
Të jetë ëndrra përjetësi?
Sjell vërdallë mbresa, kujtime
Ti dhe unë, unë dhe ti!

Një zemër e gdhendur, në stolin e vjetër
Anije e largët poshtë hënës, në det
Treni memorjes, udhëton mbi një letër
I vjetër është treni.. I vjetër, vërtet’!

Më kujtohet fustani, që shpesh ti e vishje
Dhe valsi qetësues aty, në natyrë
Mbuluar nga pemët me lule ngjyr’ vishnje
E nata na zinte tek stoli pa ngjyrë!

Kënga që shpesh të dy e këndonim
Me kohën e humbi volumin e saj.
Ashtu si dhe muri, që ëndrrat ndërtonim
Furtunën e kohës nuk mundi ta mbajë!

Dashuria në heshtje nuk vdes, gjallërohet,
Premtimet janë ëndrra që shpirti prodhon,
Dashuria e humbur, kujtim që s’harrohet,
Jeton brenda zemrës, në vite, jeton!

Dhe unë jetoj, akoma, jetoj
Me puthjen e zjarrtë, me buzët e tua
Nga “koha që ikën”, unë pres të t’harroj,
E “koha që ikën” më thot’ të të dua!