Suplementi Pena Shqiptare/ Fragment nga shënimet e Musine Kokalarit, ku përshkruan se si kurimi i saj neglizhohej nga grupi i mjekëve, ndërsa kanceri përhapej në trupin e saj.

48
Sigal

4 dhjetor. Shkova në klinikë. I pari që pashë ishte Dr. Agroni. “Doktor, – i thashë, ç’bëni kështu me mua?” “S’kam gjë në dorë. Atë e ka reparti i kirurgjisë. S’ka vend”. “Po Dr. Nuni?” shtova unë. “Ai është shtruar për vete”, u përgjigj Dr. Agroni.

U ula te stoli. Kaloi Dr. Mazreku. Nuk i fola. Shkova në radioskopi. Bëra analizat. Prita në korridor. Më në fund më thirrën. Ishte infermiere Zara. Më tha: “Shkova e pyeta. Më thanë që s’ka vend. Kur të të vijë radha, telegramin (kthim përgjigje e paguar) e kemi. Të lajmërojmë vetë. Katër vende që ishin, u plotësuan”. “Domethënë, kishit vende dhe nuk më lajmëruat?”, iu përgjigja unë. Ishte e kotë. S’e zgjidh më.

Më vizitoi Dr. Tika. “Është gjendja e mëparshme. Ti je për operacion”. “Po të vonohet, – i thashë unë, edhe mund të gangrenizohet”. “Ti ke të drejtë, u përgjigj ai, po unë s’kam gjë në dorë. Nuk është në dorën time”. Shkova. Dhe për Dr. Tikën dyshoj, sepse më vonoi gjashtë muaj. Dhe dalja? Me ligësi? Mundet të jetë dhe ligësi nga ana e tij.

5 dhjetor. U ktheva në Rrëshen.

14 dhjetor. I dërgova drejtorisë letrën e fundit. I shkrova se qëndrimi ndaj sëmundjes sime është antinjerëzor.

15 janar 1982. Asnjë interesim nga klinika. Asnjë përgjigje telegrami.

16 janar. Dërgova telegram ku vë në dukje se kam nëntë muaj që zvarritem.

Foto e realizuar me ngjyra nga Ermir Taja.