Kur po hidhja rreshtat e parë të këtij tregimi një nga miqtë e afërt tek e lexonte më tha se ky titull sikur nuk shkonte…sikur kishte diçka jo shqiptare. Ndoshta ai e kishte mirë por intuita ime nuk më lejonte ta ndryshoja. Eshtë me të vërtetë një lloj çudie që më ndodh, se nuk lëviz kollaj nga formulimet e para të titujve.
Por nuk ia vlen të zgjatem me difektet e intuitës sime.
Ky klub ndodhet në qendër të qytetit bregdetar dhe pranë tij është sheshi ku vinë e ikin autobuzët për në Kosovë, Maqedoni, Mal të Zi, Greqi, biles aty pranë janë dhe agjensitë e trageteve që rrahin detin drejt Italisë e anasjelltas.
Për mua ky klub ishte si një lloj vendi religjioz ku shkoj çdo ditë në mëngjes e duke pirë kafenë e parë të ditës shoh me kurreshtje lloj lloj njerëzish që nxitojnë të kapnin atuobuzët e të nisen me ta, apo ka njerëz të tjerë që presin të afërmit e tyre ose ndonjë pako…është si të thuash një pamje tipike terminalesh të sotëm, njëlloj si ata të Kosovës, terminale që i njoh shumë mirë.
Asnjeri nuk më detyron që unë ta pi kafenë aty në ambientet e hapura të klubit, sa që edhe kur bie shi apo fryn erë e ftohtë e detit unë aty jashtë rri e shoh…
Ishte një ditë e bukur kur një telefonatë më kërkonte të pinim një kafe diku andej nga darka. E njoha menjëherëzërin e mikut tim nga Kosova, shkrimtarin B që do nisej atë natë për në Bari me target. Me kënaqsi i tregova vendin ku do të takoheshim, te klubi im i preferuar por që ishte aq shumë kollaj për t’u pikasur dhe aty pranë terminalit të trageteve. Kur shkrimtari B. u ambientua me cilësinë jo aq lluksoze të klubit që mbrëmjen e parë më tha se unë i ngjaja me studjuesin italian Lorenzo de Crescenzo që shkonte në një bar të thjeshtë me dhjetra vite rresht.
Qesha dhe po mendoja se edhe unë kisha mbi tridhjetë vjet që bëja adetin e kafesë aty në ato karrike të thjeshta prej plasmasi. Gjithsesi isha i kënaqur që aty vinin e më gjenin kollaj miq të largët e të afërm sidomos nga Kosova dhe Maqedonia, por dhe nga Amerika.
Por me shkrimtarin B. takimet ishin më të shpeshta dhe nga këto takime kishte dhe bereqet. Ne këmbenin libra me njeri tjetrin e diskutonim për to. Kishte kaluar gjithë ajo kohë që miku im vinte në Durrës e që “Kafe Xhonin” e kishte si një lloj oguri në udhëtimet e tij dhe me të vërtetë një mbrëmje ndodhi një ngjarje sa e çuditshme po aq dhe e papritur.
Ishim ulur aty jashtë klubit dhe një burrë me kapele republikë dhe me kostum gri u ul aty pranë nesh dhe porositi kafe. Shkrimatri B sapo e pa, ndryshoi fytyrë dhe në një farë mënyre më tregoi me shenja diçka që s’po e kuptoja.
Burri me kapele republikë ishte një shkrimtar i njohur nga Tirana që unë e njihja nga larg, ndoshta nga facebooku, apo nga ndonjë takim letrar por dhe nga librat e tij. Ai pinte i qetë kafenë dhe në një moment ktheu sytë nga ne. Nuk kaluan as pesë minuta dhe ai u ngrit si me rrëmbim, pagoi dhe u largua duke e ngjeshur akoma më shumë kapelen mbi kokën e tij tullace.
Unë shikoja i habitur mikun tim që po rrinte krejt i qetë dhe po priste ndoshta që unë të ta pyesja. Ai po më shikonte dhe më në fund tha:
-Ti e njihke atë shkrimtar?
-Po- i thashë duke i përmendur dhe emrin.
-Po ja edhe unë e njoh e për më tepër kam shkruar për të, e kam kritikuar…
-Ou – ia prita unë dhe prita një reagim apo një rrëfim prej tij, por…
Ai shkrimtari papritmas erdhi përsëri dhe u ul atje ku qe pak minuta më parë. Thirri kamarierin dhe i tha se kafetë që ne kishim marrë do t’i paguante ai. Unë ndoshta pa takt e ftova në tavolinën tonë. Ai nuk reagoi fare dhe me gysmë zëri përshëndeti shkrimtarin B. E përshëndeti me një të ulur të kokës dhe asgjë më shumë. U ngrit dhe iku ashtu siç erdhi. Unë mbeta i shokuar e po kështu dhe shkrimtari B. Duke ndejtur edhe ca minuta deri sa të vinte ora e imbarkimit në traget miku im filloi të gjallërohej paksa dhe më tha: -Kanë kaluar kaq vjet që nuk jemi parë me këtë njeri, as që kemi këmbyer replika, as me shkrim. Nuk e kuptoj fare këtë që ndodhi. Unë ashtu siç isha i hutuar e ndieja veten pak të shqetësuar se në fund të fundit çdo gjë mund të ndodhte por qetësia e shkrimtarit nga Kosova më solli në vete. -E po dhe unë nuk e prisja këtë veprim- më tha ai si i menduar. -Po, pra u desh frekuentimi i klubit “Xhoni caffe” që të ndodhte kjo që ndodhi sonte. -Mik i dashur- më tha shkrimtari B. – unë të falenderoj që më pret e më shoqëron në këtë vend që nuk është si klubet lluksoze por ndjej që këtu ka një ajër magjepsës, një ajër i tillë që zbut gjërat e ashpra.Atë mbrëmje ai më tregoi gjithçka kishte ndodhur mes tij dhe shkrimtarit me kapele republikë. Ishte një histori që kishte një jetë gati njëzet vjeçare. Dhe krejt i bindur më thonte se “ nuk është e thënë të pish kafe në qendër të qytetit me lluksin e komoditetin e zakonshëm, mjafton dhe kafeja në një klub si ky që ka emrin e çuditshëm “Xhoni caffe”!”Shumë herë të tjera në këtë klub ndodhnin dhe ngjarje të ndryshme por jo si kjo me shkrimtarin B nga Kosova.