Suplementi Pena Shqiptare/ Elpiola Lluka: “Parku i Trëndafilave”

48
Sigal

Në parkun e trëndafilave vallëzojnë,

xixëllonjat me flatra vezulluese…

Shkëlqim i japin udhës ku kalojnë,

të mbysin frymën e errësirës verbuese!

 

Në parkun e trëndafilave flakërojnë,

hapat e heshtur, veshur me petale …

Të kuqërremtë muzgun ngjyrojnë,

në qiell shkrepëtijnë ndienja fatale…

 

Shikimet marrin ngjyrat e purpura,

dhe zjarrin mes pyllit e vërshojnë…

Në stolat përreth vijnë rrotull flutura,

me trëndafila përzier, në deje përshkojnë…

 

Në parkun e trëndafilave parfumuar,

ajri përreth, çdo shqisë ledhaton…

Të dehur prej polenit, ecin nxituar;

Hëna me rrahje zemre, udhën vizaton…

 

“Sytë”

 

Sytë janë pasqyra e shpirtit,

ata që vazhdimisht s’gabojnë;

Janë “arma e ftohtë” e flirtit,

drejt misterit shpesh të çojnë…

 

Sytë janë rrjedha e jetës,

ata që ngjyrave u japin kuptim…

Janë shpirti i së vërtetës,

çdo gabim e kthejnë mësim!

 

Por sytë janë dhe tradhëtarë,

hidhërimit i qeshin, qajnë në gëzim;

Mbuluar me aureolë hileqare,

fshehin ndjenjat, pa ngushëllim!

 

Sytë janë “zjarri” i stinëve,

të ngrohin në verë, dimrit të ftohin…

Si uji vaditës i bimëve,

rrisin rrënjë në tokë që s’njohin…

 

Sikur kjo botë njëherë të mundej,

të shihej me zemër dhe jo me sy;

Asnjë emocion nuk do lëkundej,

gjithë universi do të përkiste ty…