Suplementi Pena Shqiptare/ Elona Agolli: “Të djeshmen e mohojnë ata që i tremben të sotmes”

344
Sigal

Meditimet e mia për vlerën e shtëpive muze , vërtetësinë e objekteve, dorëshkrimeve , dokumentave të përzgjedhura për t’u ekspozuar për publikun, frymën dhe mesazhet e përcjella edhe në mënyrë të tërthortë , mesazhe afër të vërtetave jetësore apo paksa të larguara nga to , më lindën pas leximit të një shkrimi , ku titulli manipulativ (jo e pazakonshme kjo gjë) më bëri të përqëndrohem në radhët e atij shkrimi pa autor (mesa duket , shkrim i servirur ). Ngazëllimi i autorit pikërisht ishte vëzhgimi i dy letrave: njëra e Dritëroit si kryetar Lidhje , tjetra e Manush Myftiut drejtuar Mehmet Shehut ( në fakt te dy letrat dëshmonin përkujdesje të madhe për shkrimtarin e madh , vëmendje dhe respekt edhe per veprën dhe kontributin e tij).Në morinë e objekteve personale ( që përcjellin intimitetin , njerëzoren, të bukurën e jetës së shkrimtarit, etj) , në morinë e dorëshkrimeve që dëshmojnë kapriçot e jetës krijuese të gjeniut të letrave, në radhën e letërkëmbimit mes miqve, të afërmve, me të cilët edhe mund të flitej e shkruhej hapur e në mënyrë të sinqertë, Autori i paemër i shkrimit te “Panorama” , gjente më interesante “dëshmi “ persekucionesh, dëshmi në modë në kohën e sotme ( ka plot afro tre dekada që vijon kjo modë fatkeqësisht ) . “Të sotmen dhe të djeshmen ne i kemi hedhur në një luftë të tmerrshme kundra njëra -tjetrës. Tymi që ngrihet nga fusha e kësaj lufte nuk na lë të shohim të nesërmen .”- shkruan Dritëroi diku. Dhe vijon: Të djeshmen zakonisht e mohojnë ata që i tremben të sotmes. E kaluara nuk ndryshohet ; mbi të kaluarën ndërtohet . Po ashtu siç edhe “Historia e jetuar është e vërtetë , e shkruara përzien të vërtetën me gënjeshtrën.” Vlera e këtyre nismave, shtëpi muze , është pikërisht vërtetësia që përcjellin , krijimi i saktë i parafytyrimit të kohës kur është jetuar , plotësia e dokumenteve që dëshmojnë lidhjet e fakteve, raportet shkak-pasojë, itineraret e përshkuara në hapësirë , kohë , itinerare të mendjes dhe shpirtrave . “Historia nuk shkruhet në gjaknxehtësi – përsëriste vazhdimisht babai im , ashtu siç edhe Ditën e djeshme nuk mund ta kthesh për ta redaktuar si fletën e letrës , që ke shkruar dje.” Këto thënie të Dritëroit janë postulatet që duhet të udhëzojnë në rrugëtimin e mbarë të këtyre nismave.