Suplementi Pena Shqiptare/ Edmond Budina: Profeti i kokoshkave – Monodramë satirë

553
Sigal

Edmond Budina nis veprimtarinë e tij që në moshë fare të re, në shtëpinë e pionierit në Korçë. Më pas është protagonist i grupit teatror të gjimnazit “Raqi Qirinxhi”, fitues i konkursit të fjalës artistike të qytetit. Aktivizohet, qysh gjimnazist, me estradën profesioniste të Korçës. Në vitin 1971 fiton konkursin në Universitetin e Arteve. Interpreton rolin e Antonio Senës te “Morsa” e Pirandelos, Halitin te “Hijet e natës”, Selimin te “Familja e peshkatarit”. Pas diplomimit fillon punë si aktor në Teatrin Kombëtar. Interpreton në rreth dyzet shfaqje, kryesisht protagonist. Merr pjesë, mes të tjerash, në shfaqjet: “Karnavalet e Korçës”, “Tymra që pastrohen”, “Duke gdhirë viti ‘45”, “Lumi i vdekur”, “Zonja nga qyteti”,  “Shënomëni dhe mua”, “Diell mbi Kastër”, “Përmbytja e madhe”, Nënshkrimi i stuhisë”, “Komunistët”, “Udha e flamurit”, “Dritat e skenës”, “Njerëz të afërt”, “Orët e Kremlinit”, “Shtëpia me dy porta”, “Besa e madhe”, “Vërshime pranverore”, “Furrnalta”, “Luiza Miler”, “Nga errësira në dritë”, “Shoqja nga fshati”, “Epoka para gjyqit”, “Limonj nga Sicilia”, “Monserat”, “Vdekja e komisionerit”, “Unë dhe Mefistofeli”, “Jun Gabriel Borkman”, “Shkallët” etj.

Vë në skenë në Teatrin Kombëtar shfaqjet: “Nënshkrimi i stuhisë”, “Natë me hënë”, “Zgjimi”. Regji në shkollat e mesme dhe ndërmarrje të Tiranës.

Autor i dramatizimeve teatrore: “Dimri i madh”, “Krushqit janë të ngrirë”, “Kush e solli Doruntinën”, “Natë me hënë”, të vëna në skenën e Teatrit Kombëtar, të Universitetit të Arteve dhe nëpër ndërmarrje.

Autor dramatizimesh radiofonike. Autor artikujsh për problemet e teatrit. Bashkëpunëtor me televizionin shqiptar. Pedagog i jashtëm i mjeshtërisë së aktorit, i fjalës artistike dhe i regjisë në Universitetin e Arteve nga viti 1982 deri më 1992. Anëtar i këshillit artistik të Teatrit Kombëtar nga viti 1977 deri më 1992.

Role në filmat shqiptarë: “Fije që priten”, “Vajzat me kordele të kuqe”, “Dollia e dasmës time”, “Nusja”, “Ballë për ballë”, “Flutura në kabinën time”, “Vendimi”, “Muri i gjallë”, “Shpresa”, “Lule bore” (Fitues i Çmimit të Madh si aktori më i madh më i mirë, në Tanxher), “Kontromano”.

Filma televizivë në RTSH: “Koha nuk pret”, “Inxhinieri i minierës”.

Në gusht të vitit 1990 është mes gjashtëdhjetë intelektualëve më të njohur të vendit në takimin me ish-presidentin R. Alia.

Përfaqësues i pedagogëve dhe studentëve të Universitetit në takimin e dhjetorit të vitit 1990 me ish-presidentin për të kërkuar pluralizmin politik, që shënoi ndryshimin e Shqipërisë. Një nga themeluesit e Partisë Demokratike Shqiptare.

Në vitin 1992 shpërngulet në itali, i riatdhesuar së bashku me familjen nga shteti italian. Aktivizohet në shkollën “Ipotesi cinema” të Ermano Olmit edhe si asistent-regjisor. Punon në fabrikë e ndërkohë vë në skenë dhe interpreton në shfaqjen “Tabir Sarai” me teatrin Fantaghiro të Padovës. Është protagonist i shfaqjes “Migranti” me regji të Marco Baliani-t, e cila është shfaqur në teatrot më të rëndësishme italiane.

Intepreton në: serialin televiziv të RAI 3 “Un posto al sole” në rreth njëqind seri; “Tikets”, i regjisorit të njohur Ken Loach, pjesëmarrës në Festivalin e Berlinit 2005; “Eccezzionale veramente 2”, i Carlo Vanzina; “Fuori mira”, film zviceriano-italian i Eric Bernasconi; “L’Oriana”, i Marco Turco, prodhuar e transmetuar nga RAI 1; “Sorelle per scelta”, i Manuella Metri, prodhim italo-amerikan; “Domenica delle palme”, “Letra ere”, “Ballkan Pazar”, “Të thyer”.

Masterklas në universitetet: Oxford (U.K.), Brown University (U.S.A), Richmond University (U.S.A), La Sapienza (Roma), Ca Foscari (Venezia), Universita di Padova, Universita di Verona.

Studentë të Universiteteve të Milanos, Venecias e Padovës kanë mbrojtur diplomat mbi krijimtarinë dhe jetën e Edmond Budinës.

Regjisor e skenarist i filmave:

“Guardando al ritorno” (dokumentar), pjesëmarrës në MedFilm ’96 Festival dhe i projektuar në shkolla e universitete italiane.

“Domenica delle palme” (metrazh i shkurtër), prodhuar e transmetuar nga Tele+, njëkohësisht në njëzet e tre vende europiane dhe pjesëmarrës në Torino Film Festival.

“Lettere al vento”, pjesëmarrës në dhjetëra festivale në të gjithë botën. I vlerësuar shumë nga publiku e kritika. Për të kanë shkruar “Corriere della sera”, “La Repubblica”, “Il Messaggero”, “Il giornale”, si edhe “The New York Times”, prestigjozja amerikane “Variety” etj. Fitues në disa festivale si filmi më i mirë dhe skenari më i mirë. Fitues i çmimit të cilësisë për kinemanë italiane, dhënë nga Ministria Italiane e Kulturës.

“Ballkan Pazar”, është në vendin e gjashtëmbëdhjetë në listën e top 20 në box office në Itali. DVD e filmit është shpërndarë prej Cechi Gori Group, shoqëria më e madhe e home video në Itali. I vetmi film shqiptar i shpërndarë në DVD jashtë Shqipërisë.

Filmat “Letra e re” dhe “Ballkan Pazar” bëjnë pjesë në listën e filmave cilësorë të kinemasë italiane e vazhdojnë të shfaqen në sallat e “Cinema d’essai”. Kanë hyrë në fjalorin e njohur të filmit “Il Morandi”.

“Të thyer”, fitues, veç të tjerave, edhe i “Celuloidit të Artë” në festivalin e Salernos. Në lidhje me të, gazeta italiane “Il Manifesto” shkruan: “Edmond Budina, intelektuali i madh shqiptar flet për filmin e tij të fundit “Të thyer”, një portret i pamëshirshëm i vendit të tij të kapur nga neoliberalizmi i egër, ku logjika e parasë është shkaku i ndotjes ekologjike dhe morale”.

Sot paraqesim “Profeti i kokoshkave”, një monodramë satirike, shkruar për teatër dhome. Janë në kantier filmi “Musine” dhe romani “Kokëmushkat”. Shikim të këndshëm.

Ngjizja

Kjo shfaqje mund të ishte realizuar kohë më parë, por, me sa duket, lindja e një vepre, e arrirë ose e dobët, ka kohën e vet, që nuk varet prej nesh. Kam dashur përherë të shkruaj diçka kundër dhunës në përgjithësi dhe dhunës së pushtetit në veçanti. Dëshira flinte brenda meje prej kohësh, por duhej të ndodhnin disa ngjarje e rrethana të caktuara, si protesta mbi dy-vjeçare për mbrojtjen e Teatrit Kombëtar ose pandemia e Covid-19, që ajo të ngjizej.

Ishte një nga ato netë marsi, kur me urdhër nga “lart”, ishte mbyllur gjithçka. Ftohtësia e fund-dimrit, qetësia surreale e mjedisit, ndjesia e frikës, që ish ngulitur e zotëronte tek të gjithë, më shtinë në mendje idenë, se si mund të trajtohej në një shfaqje teatri frika, ankthi i një njeriu të trembur, të strukur diku, për ti shpëtuar një fatkeqësie natyrore, që nuk varet prej tij. Dëshira për të mbijetuar, si në rastin e një pandemie, e shtyn njeriun të vetëizolohet. Imagjinova veten të strukur poshtë tryezës së bukës. Ishte e para marrëdhënie, e para pamje për shfaqjen, që do të lindte. Një njeri i trembur, që monologon poshtë, rrethuar nga këmbët e karrigeve. M’u duk sa teatrale, aq edhe filmike, tragjike e komike njëkohësisht. Pesha e tryezës mbi shpinë, që nuk lejonte të lëvizje veçse pak centimetra, më shembëllëu me dhunën e pushtetit. Këmbët e karrigeve, si disa policë të paidentifikueshëm, që të ndalonin të dilje. Një elektrik dore, që çante errësirën, diku poshtë. Këto më bindën, se mund të ndërtohej një shfaqje kundër dhunës dhe njëkohësisht të vinte në lojë delirin e individëve të gjithëpushtetshëm e gjithëdijshëm. Komplekset, frenimet, dhuna e ushtruar në vogëli, të mbledhura diku në thellësitë tona, përbëjnë rrezik real, që të na shndërrojnë në dhunues, vrasës e diktatorë të ardhshëm. Është e rëndësishme, që përmes së qeshurës dhe emocioneve, të shpalosësh një lloj universaliteti, ku diktatorët e vegjël apo të mëdhenj, strukur diku brenda qenies sonë, të gjejnë pasqyrim. Janë rrethanat ato, që e bëjnë diktatorin, delirantin, që të shpërfaqet, apo të struket edhe më në nëndërgjegjjen e tij. Në pak ditë shkrova tekstin, dola që poshtë tryezës, sepse fizikisht nuk më lejonte të veproja dhe peshën e saj e zëvendësova me bunkerin prej letrash higjienike.

Kjo nuk është një shfaqje kundër dikujt apo për dikë. Magjia e teatrit, qëndron edhe në atë, që gjithkush gjen shëmbëlltyrën e x-deliranti, pretendent – diktatori, apo diktatori, brenda ose jashtë vendit. Ajo, që kam dashur të përcjell, është fakti, që dhuna dhe prepotenca e pushtetit, pavarësisht ngjyrës, mbeten të patolerushme, sado të përpiqesh t’i veshësh me petkun e ëndërrt të demokracisë.

Të protestosh me art, kjo është forma, që unë kam zgjedhur. Uroj të zbaviteni, por mos harroni: Protesta është qytetari. Mos harroni për të drejtat tuaja.