Prof. Dr. Kastriot Islami: Rotacioni politik do të ndodhë në 25 prill, pavarësisht marifeteve të Ramës. Opozita me 2 koalicione

227
Sigal

Opozita me shumë gjasa do të paraqitet në zgjedhje me dy qendra për të siguruar një mbështetje më të madhe elektorale, e cila do të gjenerohet edhe nga neveria për qeverinë, që kanë shqiptarët  për babëzitë, marrëzitë e prapësitë e Ramës

 Rrotacioni politik do të ndodhë, pavarësisht marifeteve të Ramës!

 Engjëll Musai, drejtor i gazetës “Telegraf”

Prof. Dr. Kastriot Islami, Ish- kryetar i Parlamentit në intervistën për gazetën “Telegraf”, bën analizën dhe skanerin e veprimit të kryeministrit Edi Rama, që votoi për herë të parë në 30 vitet e demokracisë Kodin Zgjedhor në mënyrë të njëanshme, duke shpërfillur konsensusin e opozitës, si edhe grisi edhe marrëveshjen e 5 qershorit, e cila u arrit në saj të garancive që dhanë ndërkombëtarët, e në rradhë të parë ambasadorja e SHBA-së, Yuri Kim. Prof. Islami  në këtë rast tha, se prioritar është dhe mbetet gjykimi dhe reagimi i votuesve shqiptarë. Prof. Islami pohon se ky miratim i nëjaanshëm i Kodit Zgjedhor ka dëmtuar shumë, legjitimiteti i procesit zgjedhor është vënë në rrezik të madh. Shqiptarët, zgjidhjen duhe ta kërkojnë tek veprimi i tyre, jo se çfarë duhet të bëjnë ndërkombëtarët për shqiptarët. Prof. Islami thotë se ky veprim i rrezikshëm i Ramës ka vënë në pikëpyetje dhe integrimin e Shqipërisë. Kjo është sfidë e shqiptarëve edhe në një aspekt tjetër, prapësitë dhe marrëzitë e Ramës kanë rritur avantazhin moral të opozitës dhe të qytetarëve, kanë rritur mbështetjen qytetare ndaj opozitës. Kanë rritur ndjeshëm revoltën qytetare dhe dëshirën për reagim të fuqishëm.

Gjykoj se procesi zgjedhor është dëmtuar rëndë që në nisje dhe këtë duhet ta dinë e ta mësojnë të gjithë shqiptarët. Ose më saktë, legjitimiteti i procesit zgjedhor është vënë në rrezik të madh për të mos thënë të vërtetën se ai është dëmtuar rëndë

-Prof. Islami, tashmë Shqipëria ka një kod të ri zgjedhor të miratuar vetëm nga mazhoranca, pra pa pjesëmarrjen e opozitës.  Çfarë efektesh do të ketë kjo njëanshmëri për  procesin zgjedhor?

Më vjen mirë që keni arritur në këtë përfundim dhe keni këtë opinion, që mesa kuptoj është mendimi i shumicës  masive të shqiptarëve. Së pari, është e vërtetë se si asnjëherë më parë, para vitit 2013 dhe si në asnjë vend tjetër të botës demokratike, sistemi zgjedhor të jetë ndryshuar vetëm 7 muaj para zgjedhjeve, duke dhunuar një nga kërkesat e Kodit Etik të Komisionit të Venecias, për praktikat  e mira që garantojnë zgjedhje të lira e të ndershme. Së dyti, miratimi i këtyre ndryshimeve është bërë në mënyrë arrogante e të njëanshme nga Rama dhe shpura e tij e servilëve dhe sharlatanëve, duke menduar se do të mund të fshihen pas votës kolektive dhe duke dhunuar ndërkohë një marrëveshje mazhorancë-opozitë që ishte arritur më 5 qershor 2020.

Cilat mund të ishin pasojat për procesin zgjedhor nëse kanë ndodhur të gjitha këto?

Gjykoj se procesi zgjedhor është dëmtuar rëndë që në nisje dhe këtë duhet ta dinë e ta mësojnë të gjithë shqiptarët. Ose më saktë, legjitimiteti i procesit zgjedhor është vënë në rrezik të madh, për të mos thënë të vërtetën se ai është dëmtuar rëndë. Jo se ka shumë rëndësi, por besoj shumë se misioni ndërkombëtar i vëzhgimit të zgjedhjeve, në rolin e arbitrit ndërkombëtar, do ta evidentojë këtë fakt ose për të qënë më i saktë, unë gjykoj se ky mision do të duhet ta evidentojë një gjë të tillë. E them këtë ndonëse mendoj se prioritar është dhe mbetet gjykimi dhe reagimi i votuesve shqiptarë.

Disa nga vendet e BE, pavarësisht raportit të paplotë të KE, janë shprehur qartë se kjo sjellje e Ramës rrezikon hapjen e negociatave të Shqipërisë me BE, që është një gjë shumë e rëndë dhe me pasoja afatgjatë…

Nëse kjo është e vërtetë, a do të pengonte ky ilegjitimitet rrotacionin politik të cilin e ka deklaruar edhe ambasadorja amerikanë në Tiranë?

Me shumë gjasa të gjithë këto marifete dhe hile janë kryer për të pasur ndikim në rezultatin zgjedhor dhe me shumë gjasa do të kenë ndikimin e tyre. Por shpresoj shumë që ky ilegjitimitet, apo thënë ndryshe, mosbesimi që kanë krijuar qytetarët te zgjedhjet e lira e te ndershme, nuk do të arrinte të afektonte angazhimin e tyre maksimal për të kryer rrotacionin politik, sepse mendoj që mbështetja ndaj opozitës është aq e madhe, sado do të ishte e pamundur për të penguar rrotacionin politik, pra për të përmbysur situatën elektorale?! Për më tepër që nga të dhënat e sondazheve të besueshme, jo të atyre të sharlatanit të paguar prej Ramës me paratë e pista të korrupsionit, krimit e të trafiqeve, rezulton se fitorja e opozitës është e padiskutueshme dhe aq e thellë sa do të ishte e pamundur të pengohej rrotacioni politik nga çfarëdolloj manipulimi, parregullësish apo ilegjitimteti. Ky është një përfundim që e dëgjoj jo vetëm nga të gjithë drejtuesit e opozitës por  kudo, në çdo tavolinë apo bisedë qytetarësh dhe e ndjej vetë gjatë takimeve me njerëz të thjeshtë dhe racionalë.

– Sa e dëmtojnë opozitën  këto ndryshime të njëanshme të Kodit Zgjedhor dhe sa e avantazhojnë?

– Duhet patur parasysh së për çdo veprim gjithnjë ka një kundërveprim, madje kur veprimi perceptohet negativ mund të ketë edhe reagim boomerang. Thënë ndryshe, çdo veprim, kur kryhet ka pasoja avantazhuese dhe dizavantazhuese si për atë që e kryen, ashtu edhe për atë që e pëson dhe më vjen shumë mirë që ju e shtroni në këtë mënyrë pyetjen tuaj. Të përmbledhura shkurtimisht avantazhet e dizavantazhet mund të përshkruheshin kështu në mënyrë metaforike: opozita ishte përgatitur për të shkuar në zgjedhje në formë sfere apo rrethi dhe me një cipër me disa shtresa, tani do të detyrohet të përballet duke marrë formën e elispoidit apo të elipsit me një shtresë të vetme, por shumë më të fortë. Të dy këto figura gjeometrike vlerësohen shumë solide, të qëndrueshme dhe të forta  në përplasje. Kini parasysh se çfarë ndodh me përplasjen e vezëve të kuqe, që kanë formë elipsoidi. Thënë ndryshe, opozita me shumë gjasa do të paraqitet në zgjedhje me dy qendra, për të siguruar një mbështetje më të madhe elektorale. Për më tepër që mbështetja e madhe për opozitën do të gjenerohet edhe nga bumerangu apo neveria për qeverinë, të cilat lidhen me babëzitë, marrëzitë, e prapësitë e Ramës dhe të sektit të tij që jua kanë sjellë shpirtin në majë të hundës shqiptarëve. Shqiptarët janë të bindur se reagimi boomerang, apo reagimi i tyre i fortë ndaj prapësive të fundit, kanë rritur ndjeshëm revoltën opozitare dhe kanë zmadhuar edhe përmasën edhe dëshirën e tyre për ndryshim. Fakti që synimi i fundit i Ramës shitet nga “rilindasit” si vështirësi ndaj opozitës, ka rritur revoltën te njerëzit e ndershëm, madje edhe të atyre që  nuk janë me opozitën, por me këtë rast i janë bashkuar kauzës së opozitës për të larguar sektin e së keqes.

Përse nuk ua ndien ndërkombëtarët për këto ndryshime të njëanshme, derisa ata u bënë garantë të marrëveshjes konsensuale të 5 qershorit?

Së pari, e mbi të gjitha, unë nuk jam zëdhënës i ambasadorëve dhe asnjëherë gjatë angazhimit politik nuk kam komentuar qëndrimet apo mosqëndrimet e tyre, aq më pak reagimet apo mosreagimet e tyre. Së dyti, për të qënë realist, do të thoja në mënyrë shumë direkte, se qëndrimet e ndërkombëtarëve nuk kanë qenë homogjene e unike, siç mund të jenë pritur nga shumë qytetarë. Por kjo s’është ndonjë çudi e madhe që ndodh për herë të parë po t’i analizojmë ato me lupë. Veçanërisht po t’i referohemi qëndrimeve apo raporteve të tyre pas vitit 2013. Së treti, duhet thënë se ka pasur edhe qëndrime të qarta dhe të forta kundër Ramës nga PPE dhe nga Gjermania, por edhe nga Britania.  Së katërti, disa nga vëndet e BE, pavarësisht raportit të paplotë të KE, janë shprehur qartë, se kjo sjellje e Ramës rrezikon hapjen e negociatave të Shqipërisë me BE, që është një gjë shumë e rëndë dhe me pasoja afatgjatë. Së pesti, lidhur me qëndrimin e ndërkombëtarëve duhet pasur parasysh një qëndrim që është bërë prezent në ceremoninë e inagurimit të Presidentit amerikan në vitin 2016:  “Amerika së pari! Vendet e tjera duhet të kenë parasysh se s’do të ketë më eksport të demokracisë drejt tyre. Kush do të ndërtojë demokracinë, ta ndërtojë vetë… e tjerë e tjerë!…”

Në këto rrethana, çfarë mund të bënin qytetarët shqiptarë?

– Për t’i rënë më shkurt pyetjes suaj mendoj se shqiptarët s’duhet të harxhojnë më shumë kohë duke e vrarë mendjen se çfarë mendojnë ndërkombëtarët, por duhet të angazhohen seriozisht për të ndërtuar demokracinë e tyre vetë, pikërisht ashtu siç e ka bërë të qartë presidenti i SHBA-së në mesazhin e tij të vitit 2016.  Është shumë e rëndësishme që shqiptarët të kenë mirë parasysh gjithashtu se çfarë ka thënë Çurçilli për demokracinë, që nga greqishtja e vjetër do të thotë “qeverisje e popullit”:“Çdo popull meriton qeverinë e tij…”. Ndërkohë, që populli ynë i mençur përdor shpesh dy thënie: i)  “sipas kokës festja ose qeleshja”… dhe ii) “i zoti e nxjerr vetë gomarin nga balta…”… Thënë ndryshe e përmbledhtas,  askush nuk duhet të presë që demokracia në vendin tonë të ndërtohet me orientime apo urdhëra nga lart dhe aq më pak nga jashtë! Qofsha i gabuar! Ky nuk është aspak qëndrim sovranist kundër ndërkombëtarëve, por thjesht e vetëm një qëndrim realist për angazhimin e shqiptarëve, për të vepruar me përgjegjshmëri në demokraci.

Pritshmëritë e qytetarëve janë për rrotacion politik, nëse ky rrotacion pengohet nga Rama mund të kishte shpërthim të revoltës së tyre. Uroj që kjo të mos ndodhë sepse në këtë rast fundi i Ramës do të ishte i tmerrshëm dhe pasojat për vëndin do të ishin afatgjata

– Përse nuk kemi qëndrim in extremis nga PD pas kësaj “hataje”?

– Gjykoj se opozita po përgatitet për të fituar bindshëm në zgjedhje dhe nuk ka asnjë arsye dhe interes të devijojë, të defokusohet apo të konsumojë energji të panevojshme për veprime që do të shmangnin realizimin e këtij objektivi madhor. Opozita ka deklaruar se në 25 prill do të fitojë me vota me çdo kusht dhe nëse do të vepronte ndryshe, mund të jepte mesazh kontravers që një segment i qytetarëve mund ta keqabsorbonte.

Në PD thonë se do ta mbrojnë votën edhe me gjak. Parashikoni mosnjohje të rezultatit zgjedhor?
Nuk e kam dëgjuar një deklarim të tillë nga asnjë prej liderëve të opozitës dhe për më tepër do të më dukej shumë ekstrem. Për më tepër për të qënë i sinqertë me ju, së pari, nuk mendoj se nuk do të shkojë puna deri aty dhe realisht nuk duhet të shkojë puna deri aty, sepse në fund të fundit çdo parti opozitare është një “mekanizëm politik” që nuk mundet dhe nuk duhet të veprojë në mënyrë ekstreme e me mjete ekstreme. Nga ana tjetër, të gjithë drejtuesit e opozitës, pa përjashtim janë shprehur se do të fitojnë thellë dhe do ta shporrin Ramën. Së dyti, nisur nga bindja e thellë se do të ketë pa asnjë diskutim rrotacion politik, është jo logjike të ketë mosnjohje të procesit nga fitimtari i zgjedhjeve,  për më tepër që në vendin tonë gjithnjë rezultatin e zgjedhjeve e ka kontestuar humbësi i tyre. Nuk e di nëse Rama do ta kontestonte rezultatin zgjedhor për forcën e tij, ndërkohë që gjatë 30 vjetëve një gjë e tillë nuk ka ndodhur asnjëherë nga partia në pushtet. Madje, kur ka pasur rrotacion politik, kryetari i mazhorancës, që ka organizuar zgjedhjet, ka dhënë sipas rregullave statutore dhe moralit politik, dorëheqjen, duke e pranuar rezultatin e zgjedhjeve, pavarësisht komenteve apo rezervave për parregullsitë në zgjedhje.

– Mendoni se do të kishte përplasje qytetarësh në ditën e votimit?

– Besoj dhe shpresoj shumë që kjo gjë të mos ndodhë. Madje, dita e votimit mund të them me shumë siguri do të jetë e qetë e paqësore. Por edhe pas fitores së opozitës shpresoj shumë dhe uroj të jetë qetësi e madje atmosferë feste. Nuk do të përjashtoheshin protesta masive si në Bjellorusi apo Kirkizstan nëse Rama dhe policia e tij do të pengonin rrotacionin politik, duke manipuluar rëndshëm rezultatin zgjedhor përmes blerjes së votes,  apo duke friksuar e dhunuar  votuesit me anë të kriminelëve të veshur civilë, apo me uniformë. Pritshmëritë e qytetarëve janë për rrotacion politik, nëse ky rrotacion pengohet nga Rama mund të kishte shpërthim të revoltës së tyre. Uroj që kjo të mos ndodhë, sepse në këtë rast fundi i Ramës do të ishte i tmerrshëm dhe pasojat për vendin do të ishin afatgjata.

Cili do të ishte mekanizmi që do të ngrinte opozita për mbrojtjen e votës?

– Për të qënë lakonik e direkt në përgjigje do të thoja se kjo pyetje nuk më përket në asnjë rast mua. Mendoj se opozita po përgatitet për fitore të thellë në çdo rast e rrethanë. Dhe aspak për kontestuar rezultatin e zgjedhjeve. 25 prill 2021 mendohet nga çdo opozitar si ditë fitoreje. Megjithatë, po të më pyesnin mua, do të sygjeroja që opozita krahas, apo paralelisht me marrjen e të gjithë masave për fitoren e thellë e të padiskutueshme, duhet të ngrinte një mekanizëm efikas për evidentimin/fotografimin e çdo parregullsie apo manipulimi zgjedhor, për të përgatitur dosjen e prapësive eventuale të 25 prillit, që do të shërbenin për të ndëshkuar rëndë, e ndoshta për herë të parë e të fundit në Shqipëri, të gjithë ata që do të preknin zgjedhjet, si dhe urdhëruesit e tyre.

– Nga individë të shumtë të opozitës thuhet se ka një pakënaqësi masive si rrallë ndonjëherë më parë, atëhere mendoni se do të ketë votë plebishitare? Nëse do të jetë kështu, përse friksohet  atëhere opozita?

– Jo vetëm nga drejtuesit e opozitës dëgjohet një përfundim i tillë. Jo vetëm nga sondazhet e brendshme të partive politike apo të organizmave të pavarur dhe të mediave të ndryshme rezulton një opinion i tillë. Jo vetëm nga telefonatat që qytetarët bëjnë çdo mëngjes në emisionet televizive të leximit të gazetave ndjehet një pakënaqësi e madhe dhe ekstreme për qeverinë Rama. Por edhe nga takimet me qytetarët kudo, në kafe e vende të ndryshme, dëgjoj shumë ankesa e pakënaqësi, e deri revoltë si asnjëherë tjetër më parë kundër Ramës dhe bashkëpuntorëve të tij të ngushtë. Mendoj se ju keni të drejë që kur thoni se kjo pakënaqësi do të mund të derdhej në formën e një vote plebishitare. Sigurisht, nëse zgjedhjet do të ishin minimalisht të lira e të ndershme ose të paktën të pranueshme, humbja e Ramës do të ishte dërmuese. Asnjë lider i opozitës nuk do të mund ta vinte në dyshim një realitet të tillë që duket në dritë të diellit. Gjykoj se edhe vetë Rama e ka mirë parasysh një gjë të tillë dhe të gjithë përpjekjet e tij është e pamundur të pengojnë rrotacionin politik, por ai mendon se do të mund të shmangte ndëshkimin e tij, duke kapur postin e presidentit…?! Gjë që unë mendoj është e pamundur dhe do të ishte katastrofike për maxhorancën e re dhe qeverisjen e ardhshme. Retorika denoncuese e opozitës kundër prapësive të Rames, sado e fortë që të tingëllojë, s’duhet lexuar të paktën në asnjë rast, si frikë apo pasiguri e opozitës, përkundrazi. Gjykoj mbi bazën e një analize të  thellë e racioanle, se frika është në anën e Ramës, sepse:  Rama  ka frikë nga humbja e pushtetit; ii) ai ka frikë nga ndëshkimi për të gjithë marrëzitë e prapësite që ka bërë; iii) ai dhe miqtë e tij të ngushtë kanë shumë frikë, se pas ndëshkimit do të humbin eventualisht pasuritë e paligjshme dhe mundësitë për të bërë jetë luksoze përrallore. Qytetarët dhe opozita nuk kanë se çfarë të humbin, kanë vetëm një mundësi: të rifitojnë nga rrotacioni politik lirinë e të rivendosin demokracinë dhe të rikthejnë gjithçka vëndi dhe qytetarët kanë humbur gjatë këtyre 8 vjetëve.

Si do ta cilësonit përmbledhtas gjthçka ka ndodhur me reformën zgjedhore? Vendimin e Ramës e të enturazhit të tij për të vepruar në mënyrë të njëanshme? Qendrimin e ambasadorëve? Dhe çfarë duhet të pritet nga opozita?

– Më votimin e njëanshëm të Kodit Zgjedhor, Rama kreu prapësinë e rradhës, që tregon frikën e madhe dhe njëkohësisht dobësinë e tij ekstreme. Ka një opinion të përgjithshëm se Rama ka dalë jashtë kontrollit të qytetarëve, pa përmendur miqtë ndërkombëtarë. Gjykoj se ndërkombëtarët duhen lënë në punën e tyre, sepse sfida për zgjedhje të lira e të ndershme, është kryesisht sfidë e qytetarëve shqiptarë, pa tentuar në asnjë rast të stigmatizohen negativisht partnerët ndërkombëtarë. Kjo është sfidë e shqiptarëve edhe në një aspekt tjetër, prapësitë dhe marrëzitë e Ramës ka rritur avantazhin moral të opozitës dhe të qytetarëve, kanë rritur mbështetjen qytetare ndaj opozitës. Kanë rritur ndjeshëm revoltën qytetare dhe dëshirën për reagim të fuqishëm. Për më tepër që tanimë Rama ka mik e shok frikën e humbjes së gjithçkaje, pasi ka zaptuar e grabitur gjithçka. Rama ka frikë të madhe se mos ketë fatin e diktatorëve të tjerë, sepse ai e di shumë mirë se kur populli revoltohet dhe del në protesta masive të gjithë pa përjashtim bëhen me të dhe s’ka asnjë lloj forcë që mund të pengojë vërshimin e tij.

Tanimë Rama ka mik e shok frikën e humbjes së gjithçkaje, pasi ka zaptuar e grabitur gjithçka. Rama ka frikë të madhe se mos ketë fatin e diktatorëve të tjerë