Prof. Dr. Lush Susaj: Naftëtarët e Ballshit, dëshmia e degjenerimit të shtetit dhe politikës. Jemi njësoj të vjedhur e të mashtruar

427
Sigal

 Të përçudnuarit e politikës, përmes korrupsionit dhe demagogjisë përçarëse, e mbytën dhe e shuan lëvizjen sindikaliste

Pa asnjë shpresë janë edhe të burgosurit e masakruar nga korrupsioni në drejtësi

 Prof. Dr. Lush SUSAJ

 Të përçudnuarit e një mutacioni politik

Greva e naftëtarëve të Ballshit është dëshmia më e mirë e asaj që ka ndodhur me financat dhe gjithë ekonominë tonë kombëtare. Tek naftëtarët e shtrirë, të vjedhur e të përbuzur, sot e gjen vetën çdo qytetar, puntor apo nëpunës i ndershëm i këtij vendi. Të përçarë në shoqata e sekte politike, për herë të parë në historinë e këtyre 108 -viteve, populli shqiptar gjendet sot i gjunjëzuar e i shtrirë për vdekje përpara hajdutëve dhe të korruptuarëve që pushtuan me çdo mjet partitë politike, e më pas edhe ministritë dhe të gjitha institucionet ligjbërëse e ligjzbatuese të Shqipërisë. Vjedhja e pronave dhe investimeve, shoqëruar edhe me korrupsionin e gjithanshëm e të hapur në vendimarrjen politike dhe zinxhirin e administrimit të mjedisit dhe të burimeve natyrore, është karakteristika bazë e sjelljes antikombëtare e antishtetërore të sundimtarëve dhe klaneve hajdutërore të këtyre  30 -viteve, por që kulmoi  si asnjëherë tjetër nën propagandën dhe siglën e njohur të “Rilindjes”, pa asnjë rilindas në kuptimin historik e kombëtar të këtij termi. Të gjithë e kujtojmë mënyrën se si klani që shkatërroi pa mëshirë e me paturpësi ekonominë, demografinë, funksionet dhe imazhin e shoqërisë dhe të shtetit tone të brishtë, fillimisht, erdhi duke propaganduar idetë e Rilindjes sonë Kombëtare, madje dhe u vetëquajtën “Rilindje”, por që rezultoi të ishte bashkimi më i zi e më antishqiptar i njerëzve të antiligjit, të antivlerave dhe sjelljeve më antinjerëzore dhe më antikombëtare.

Njerëzit e fshehur nën këtë koperturë demagogjike nuk e njohën kurrë dhimbjen as përgjegjësinë ndaj popullit dhe fateve të vendit të tyre. Këta njerëz nuk punuan as edhe një ditë për interesat e politikës e të shtetit ligjor në Shqipëri. Pa pikë dyshimi, këta do të kujtohen shumë gjatë si njerëzit më të pamoralshëm e më të neveritshëm për shkak se erdhën me fjalët transparencë, bashkëqeverisje e bashkëpunim dhe kultivuan si asnjëherë tjetër përçarjen, pabesinë dhe mashtrimin politik e shtetëror. Lartësuan aq shumë hajdutërinë dhe korrupsionin pandemik. Mbollën dhe prodhuan demontimin dhe diskretitimin e pashembullt të shtetit, bashkë me përçarjen e gjithanshme shoqërore e kombëtare. Për ata që ideuan dhe ngritën këtë sistem defaktorizues, dekurajues, shkombëtarizues e varfërues, ka vetëm një arsyetim shkencor që i trajton si një formë e denatyruar e një mutacioni politik regresiv, formë shumë e rrallë dhe mbase edhe e pashembullt e kësaj bote. Është një formë që ka për bazë demagogjinë, pandjeshmërinë dhe sofizmin, ka rrenën sy më sy, hajdutërinë dhe korrupsionin në dritë të diellit, një formë kjo e praktikuar dikur në sheshet e Greqisë së Lashtë, por që në mbi 2400 vitet e fundit, nuk guxoi dhe nuk arriti askush që ta implementonte e ta kthente në sistem politik e shtetëror të një vendi të pavarur. Askush nuk do ta imagjinonte, as nuk do të dëshironte që të përjetonte fatin dhe dramën e pashembullt të vendburimeve dhe të industrisë së naftës shqiptare. Askush nuk do të donte të prekte çdo ditë varfërinë e naftëtarëve të vjedhur e të mashtruar deri në palcë, e që sot në vend që të jenë të lumtur nga puna dhe nga prona e tyre, janë shtrirë dhe po shkojnëtë vendosur drejt vetëflijimit për pagat, për asgjë më shumë se për bukën e gojës.

Për të tilla mutacione dhe monstra politike, duket që nuk gjen zbatim as analiza politike, as analiza e mirfilltë filozofike dhe asnjë lloj analize historike. Të tillë sundimtarë dhe administratorë, mutantë e të përçudnuar, padyshim që janë të trashë e të pandjeshëm edhe përballë vdekjes së ngadaltë të sektorëve më strategjikë e më fitimprurës të ekonomisë së vendit sikurse janë nafta, kromi dhe energjetika. Janë të pandjeshëm edhe ndaj shpopullimit dhe vdekjes së ngadaltë të shpresës së rinisë dhe të atyre pak puntorëve që akoma kanë ngelur e që duan të punojnë e të jetojnë në banesat dhe në trojet e tyre shqiptare. Institucionet e BE-së dhe SHBA-së, qendrat e mëdha të analizës ekonomike e politike, duket që e kanë të vështirë që të besojnë se ka në botë të tilla  qeverisje mashtruese, pa moral, pa ligje, pa bashkëpunim e aromë as ndjesi shtetërore e administrative. Do të vijë dita që kjo e vertetë do të kuptohet. Do të jetë shumë e afërt  dita kur do të ndriçohet edhe ky realiteti ynë i trishtë e i mbytur nga propaganda, nga sofizmi dhe mashtrimet e mutantëve të politikës shqiptare. E një populli që gjithmonë i ka dashur dhe e ka ëndërruar veten përkrah me BE-në dhe SHBA-në.

Njerëzit e fshehur nën këtë koperturë demagogjike nuk e njohën kurrë dhimbjen as përgjegjësinë ndaj popullit dhe fateve të vendit të tyre. Këta njerëz nuk punuan as edhe një ditë për interesat e politikës e të shtetit ligjor në Shqipëri

Jemi me naftëtarët, jemi njëlloj të vjedhur e të mashtruar

Naftëtarët dhe të gjithë shqiptarët kanë përjetuar dhe duruar një eksperiment shumë të hidhur. Dihet se si jetojnë e punojnë mbi puset e naftës e në zonat më naftëmbajtëse e mineral mbajtëse  të rajonit. Ndërsa jetojnë në një varfëri ekstreme e pa asnjë të drejtë mbi pronat, as fatet tona. Të përçudnuarit e politikës, përmes korrupsionit dhe demagogjisë përçarëse, e mbytën dhe pothuajse e shuan lëvizjen sindikaliste dhe morën vendime e nënshkruan kontrata konçensionare që e fundosin sektorin e naftës dhe gjithë ekonominë tonë kombëtare. Në të njëjtën mënyrë vepruan edhe me burimet ujore, me mbetjet urbane dhe me tokat dhe mjedisin natyror. Në të njëjtën mënyrë vepruan edhe me nxjerrjen dhe përpunimin e kromit, të bakrit dhe të hekur nikelit. Në të njëjtën mënyrë vepruan edhe me bujqësinë e agroturizmin, ku çdo vendimarrje bie vetëm erë korrupsioni e shpërdorimi të projekteve dhe të fondeve të investimeve. Pasojat e këtyre shpërdorimeve do të dalin edhe më në shesh, sapo të fillojnë reshjet e para me mbi 150 mm reshje në 24 orë. Në të njëjtën mënyrë është vepruar edhe me pyjet që sot nuk administrohen dhe as nuk mbikqyrën më nga shteti. Pyjet e Shqipërisë ka kohë që nuk përdorën më nga blegtorët as nga populli që është pronar i tyre, por përdorën e shfrytëzohen nga banditët e kultivimit dhe të kontrabandimit të drogës dhe të lëndës drusore. Kjo është njëra nga arsyet kryesore të shpopullimit dhe braktisjes së territorit të vendit nga banorët e saj të vjetër. Mutantët e politikës shqiptare nuk duan ta kuptojnë faktin që nga kultivimi i drogës, populli vetëm sa është varfëruar, është përçarë edhe më shumë me vrasje e hasmëri, si dhe ka mbetur pa punë e pa mjete jetese të qëndrueshme. Kultivimi i drogës po i boshatis çdo ditë e më shumë trojet shqiptare nga popullsia autoktone dhe nga tradita e njohur e prodhimit bujqësor e blegtoral vendas, duke sjell kështu një tjetër realitet të rrezikshëm e të panjohur më parë, atë të lenjes së vendit në dorë të grupeve kriminale që hanë kokat e njëri- tjetrit e të skllevërve që mbajnë për roje e për koka turku sa herë që mësyn policia. Ndërsa janë pasuruar, madje duket sikur në këtë vend bie dielli vetëm për një grusht përbindëshash të politikës dhe të zinxhirit komandues të policisë, që për xhepat e tyre nuk ngurrojnë të helmojnë me hashash as fëmijët dhe rininë shkollore, as të dekonspirojnë operacionet ndërkombëtare dhe as të bëjnë sikur po kontrollojnë territorin me dronë e me helikopter në mes të Tetorit, kur të gjithë e dinë që hashashi i fundit korret e thahet deri në mesin e Shtatorit. Nuk ka shqiptar që të ketë kaluar nëpër rrugët automobilistike të Shqipërisë gjatë periudhës Korrik-Shtator e që të mos ketë dëgjuar erën e fortë të boçeve të hashashit të mbjellur deri në anë të rrugës së makinës, deri pranë institucioneve, natyrisht jo përpara ministrive dhe as në bulevardin qëndror të Tiranës. Vetëm drejtuesit e policisë dhe të pushtetit lokal e qëndror nuk e dinë vendin ku mbillët dhe nuk e dëgjojnë aromën e pjekjes dhe tharjes së hashashit nëpër hangarët e hapur e të kudo ndodhur. Sot nuk janë të dhunuar, të vjedhur e të shtrirë për vdekje vetëm naftëtarët e Ballshit. Përkundrazi, në të njëjtën mënyrë e pozicion janë të shtrirë e të masakruar të gjithë shqiptarët. Të mashtruar e të shtrirë janë edhe fermerët e blegtorët që nuk prodhojnë do të asgjë. Janë edhe minatorët e metalurgët pa punë e mjete jetese. Janë edhe mjekët dhe infermierët pa mbrojtje e me paga shumë të ulëta. Janë edhe mësuesit dhe profesorët pa status e me pagat më të ulëta në rajon. Janë edhe nxënësit dhe studentët të ngelur pa asnjë shpresë apo mundësi për të jetuar e punuar sipas meritës në vendin e tyre. Janë edhe artistët e krijuesit që politika klanore dhe e korruptuar ua shëmbi soletën mbi kokë e ua grisi fotografitë dhe krijimtarinë në fytyrë. Pa asnjë shpresë janë edhe policët e kequshqyer e të keqtrajtuar deri ku thërret qameti. Pa asnjë shpresë janë edhe të burgosurit e masakruar nga korrupsioni në drejtësi, e ku shumica prej tyre janëmbyllur nëato qeli e pranga për punën e krahut në parcelat e drogës apo për 10-15 gr hashash të kapur në xhepa e të marrë nga magazinat e pushtetarëve e politikanëve, ku ata qethin boçet me një pagë të njohur prej 2000-3000 lekë/kg. Dihet nga të gjithë që akoma nuk është burgosur asnjë importues as shpërndarës i farave dhe fidanave të kanabisit, asnjë shpërndarës plehërash, pesticidesh e teknologjishë, asnjë shofer furgonash apo autobuzësh që bëjnë nga 4-6 rrugë në ditë e që të gjithë i shohin e i njohin. Më e rënda nuk di që të jetë gjykuar as dënuar asnjë nga kryebashkiakët apo shefat dhe drejtorët e policisë lokale apo rajonale. Ndërsa si asnjëherë tjetër janë mbushur burgjet me të varfër qëkanë punuar për 10000 lek të vjetra në ditë, e qëkan lenë mbrapa fëmijë, pleq e bashkëshorte në pikë të hallit. Kokat e këtyre  mutantëve politikë, as që duan tia dinë për dhimbjen dhe dramën e thellë që u kanë shkaktuar naftetarëve, as puntorëve, as intelektualëve, as të burgosurve për koka turku, as të rinisë shkollore që e helmojnë dhe po e zhysin në errësirën e fiktivitetit dhe kohësh së humbur. Në gjykimin tim më rezultojnë që të jenë sadistë e narcistë ekstremë, pasi shoh që nuk iu bëhet aspak vonë edhe sikur i gjithë populli shqiptar të shtrihej e të vdiste nën këmbët e tyre. Shkrimtari Ismail Kadare ka shkruar se:“Ka gjithmonë kohë që njerëzit të bëjnë diçka për popullin e tyre”. Unë mendoj se është koha që rinia shkollore, intelektualët dhe i gjithë populli shqiptar, pa asnjë dallim e mëdyshje, të mos shtrihet për vetëflijim, por të bashkohet dhe të ngrihet për ta përbuzë njëherë e përgjithmonë këtë lloj sjellje antishtetërore e antikombëtare ndaj vendit, jetës dhe fateve tona të përbashkëta.

Pasojat e këtyre shpërdorimeve do të dalin edhe më në shesh, sapo të fillojnë reshjet e para me mbi 150 mm reshje në 24 orë. Në të njëjtën mënyrë është vepruar edhe me pyjet që sot nuk administrohen dhe as nuk mbikqyrën më nga shteti.

 

Shkrimtari Ismail Kadare ka shkruar se:“Ka gjithmonë kohë që njerëzit të bëjnë diçka për popullin e tyre”. Unë mendoj se është koha që rinia shkollore, intelektualët dhe i gjithë populli shqiptar, pa asnjë dallim e mëdyshje, të mos shtrihet për vetëflijim, por të bashkohet dhe të ngrihet për ta përbuzë njëherë e përgjithmonë këtë lloj sjellje antishtetërore e antikombëtare ndaj vendit, jetës dhe fateve tona të përbashkëta.