Seit Jonuzaj: Lufta e Vlorës dhe kontributi i fshatit Kallarat

567
Sigal

Kallarati dërgoi çetën e tij me mbi 35-40 vetë, që nuk ishin pak për këtë fshat të vogël

Me rastin e 100-vjetorit

U mbushën 100 -vjet nga epopeja e Luftës së Vlorës e vitit 1920, kundër imperialistëve italianë që mbanin të pushtuar Vlorën dhe krahinat e saj. Kjo luftë, pas Kongresit të Lushnjes (janar 1920), shënoi një nga faqet e ndritura në historinë e popullit tonë. Lufta e Parë Botërore 1914-1918 ndërmjet Fuqive të Mëdha, Gjermanisë e Austro-Hungarisë nga njëra anë dhe Fuqive të Antatës: Anglisë, Francës e Rusisë nga ana tjetër, bëri që Shqipëria të bëhej objekt i lakmive të shteteve ballkanike për të gllabëruar, secili për vete, pjesë të trojeve shqiptare. Kështu, më 1914 Greqia pushtoi vise të Shqipërisë së Jugut, ndërsa Italia Sazanin e Vlorën. Më 1915 Serbia pushtoi Shqipërinë e Mesme dhe Mali i Zi treva të veriut. Përkundër këtyre, në fillim të vitit 1916 , vërshuan drejt trojeve shqiptare edhe ushtritë austro-hungareze e bullgare, dhe në krahinën e Korçës, u vendos ushtria franceze. Përballë këtyre veprimeve pushtuese të forcave ushtarake të huaja, shqiptarët nga të gjitha anët, brenda e jashtë Shqipërisë, ngritën zërin e tyre, duke iu drejtuar me protesta Fuqive të Mëdha dhe Konferencës së Paqes në Paris. Por ata nuk u mjaftuan  vetëm me protesta e memorandume që binin në vesh të shurdhër. Atdhetarët shqiptarë u hodhën edhe në veprime konkrete. Më 29 maj 1920 organizuan një kuvend në Barçalla (në malin mbi Dukat) me pjesëmarrjen e 200 përfaqësuesve nga krahinat dhe fshatrat e Vlorës, ku nuk munguan as përfaqësuesit e fshatit të vogël me emrin Kallarat në Kurveleshin e Poshtëm. Pjesëmarrësit  e mbledhjes u zotuan se do të luftonin kundër pushtuesve italianë, me ose pa ndihmën e viseve të tjera të Shqipërisë, derisa krahina e Vlorës të bashkohet me shtetin shqiptar. Për organizimin e luftës u zgjodh Komiteti i “Mbrojtjes Kombëtare” me kryetar Osmën Haxhiun e sekretar Halim Xhelon dhe sipas burimeve të shkruara, sekretar i atij Komiteti figuron edhe shoku i ngushtë i Halim Xhelos, kallaratasi Meçan Selami, ndërsa anëtar komiteti, kallaratasi tjetër Veliko Murati, (shih Enver Memishaj, “Emblema e një epopeje”, Tiranë 2010).   Më 2 qershor 1920 në Beun, ku ishin grumbulluar luftëtarët vullnetarë, në një mbledhje tjetër të Komitetit “Mbrojtja Kombëtare”, u zgjodh Komisioni i Luftës, ku Meçan Selami u zgjodh sekretar i tij dhe i Gjykatës së luftës (shih burimin e mësipërm). Nga Beuni iu dërgua një ultimatum Komandës së Trupave italiane në Vlorë me gjeneral Piaçentinin në krye, në të cilin kërkohej largimi i trupave italiane nga Vlora. Siç dihet, ultimatumin e dorëzoi luftëtari popullor Mehmet Selim Mallkeqi me afat përgjigjeje deri në orën 7 të mbrëmjes së datës 4 qershor. Por gjenerali i tha: “Përgjigjen do t’jua japin topat e mi në Kotë, Gjorm, Kaninë e Llogora”.   Me mbarimin e afatit të ultimatumit, kryetari i Komitetit “Mbrojtja Kombëtare”, Osmën Haxhiu, urdhëroi fillimin e sulmit  më 5 qershor ndaj garnizoneve italiane të Kotës, Gjormit e Llogorasë. Pas luftimesh të përgjakshme, këto garnizone ranë në duart e çlirimtarëve. Në Luftën e Vlorës morën pjesë me çeta luftëtarësh çdo fshat e krahinë, duke përfshirë edhe fshatrat e Kurveleshit e të krahinave të tjera të Vlorës e të rretheve fqinjë. Kallarati dërgoi çetën e tij me mbi 35-40 vetë, që nuk ishin pak për këtë fshat të vogël. Ndër ta bënin pjesë Telo Duro, Veip Balili, Maman Boçaj, Meçan Strataj, Veip Xhaferaj, Halil e Dalan Haxhiu, Sali Asllani, Manxhar Mezini, Shaban Dauti, Binjar Lulo, Boro e Leven Ribaj, Xhemil e Feti Tozaj, Xhevair Golloshaj, Ramadan Rjepaj, Dino Matjani, Tasim Janjaj, Meto Laçaj, Çelo Gjonaj, Hetem Boshi, Bilbil Karabollaj, Kajtaz Bejko, Islam Emini e të tjerë. Komandant i çetës u caktua Fein Çelo Strataj dhe nënkomandant Habib Gjonaj. Ndërsa në shtabin organizues ishin Lame Sinani, Hodo Kalemi e Meçan Selami. Në këtë luftë, në të gjithë sektorët që i caktoheshin, çeta e Kallaratit shpalosi guximin dhe trimërinë e kallaratasve, duke luftuar trimërisht, ashtu siç kanë ditur të luftojnë gjithnjë në ço luftë kallaratasit për mbrojtjen e çlirimin e trojeve të tyre. Ajo në mesnatën e 11 duke u gdhirë 12 qershor, së bashku me çetat e Bolenës, Bratajt, Tërbaçit etj. nisi sulmin për të marrë kështjellën e Kaninës. Aksioni ishte shumë i vështirë se sulmohej nga poshtë-lart për të marrë kështjellën që ndodhej në majë të kodrës së pjerrët, nën breshërinë e armëve të armikut nga lart-poshtë. Në këto kushte luftëtarët kallaratas e të tjerët detyroheshin të mësynin, por edhe të zmbrapseshin disa herë, derisa me sulme e kundërsulme të guximshme e thyen qëndresën e mbrojtësve të kështjellës dhe kjo ra në duart e çlirimtarëve. Në vazhdim të luftimeve për çlirimin e Vlorës, çeta e Kallaratit sulmoi majën e Vreshtave të Mëdha. Edhe këtu lufta qe e rreptë, me sulme e kundërsulme, por kundërsulmet e armikut u zmbrapsën dhe luftëtarët kallaratas e të tjerët ia dolën ta merrnin majën. Këtu, duke u kapur fyta-fytas me një major italian, ra trimërisht, djaloshi kallaratas Xhevair Golloshaj dhe u plagosën  Veip Balili e Leven Boro nga çeta e Kallaratit.

  Luftime të ashpra zhvilloi çeta e Kallaratit edhe në Grykën e Kallafetit për nën Kaninë.

Ago Agaj shkruan:“Këtë ditë shumica e mbrojtësve përbëhej prej bolenasve e kallaratasve. Këta kishin për kryetarë të dy astritët që përmendëm që në fillim: Aliko Shaipin nga Bolena dhe Fein Çelon nga Kallarati. Ushtria armike u ra befas, si e rënë nga qielli, duke ardhur nga maja e lartë dhe shpërtheu në atë grykë të ngushtë një vërsulje aq të fortë, sa kallaratasit e ata pak Rrëzjotë që u ndodhën, u bënë viktimat e para të kësaj befasie.” (shih Ago Agaj, “Lufta e Vlorës”) Dhe më poshtë autori Agaj vazhdon:

“Po një ngjarje tjetër i mbushi me shpresë dhe fuqi të reja këta trimat tanë dhe pa vonesë e muar ata iniciativën e betejës në mënyrë që i çuditi italianët, të cilët filluan ta kthejnë sulmin e tyre në mbrojtje. Fuqitë e Kallarate e kishin mbledhur veten, kishin zënë vend në brinjë të armikut, duke e futur këtë si në një thes. Fein Çelua, pa humbur kohë, zuri t’i rregullonte shokët në mënyrë që të mos i linte shteg armikut për tërheqje. Rrëzjotët përtej Grykës bënë dhe ata të njëjtën lëvizje dhe pas kësaj nisën të dy anët një zjarr të fortë kundër armikut fatkeq të vënë në mes. Kësisoj, tërë fuqia e arditëve (italianëve-shënim i S.J.) në Grykë të Kallafetit u asgjësua krejtësisht”.    Me sulme e kundërsulme nga të gjitha forcat vullnetare dhe nga të gjitha anët e Vlorës, lufta vazhdoi, derisa u ndërmor edhe sulmi i fundit mbi forcat italiane të vendosura brenda qytetit të Vlorës. Humbjet e mëdha që po pësonte ushtria italiane e detyruan qeverinë e Romës të hynte në bisedime me shqiptarët, të cilat përfunduan më 2 gusht me nënshkrimin e protokollit shqiptaro-italian sipas kushteve të palës shqiptare. Në bazë të protokollit, ushtria italiane u tërhoq nga Vlora brenda një muaji. 2 gushti shënoi mbarimin e luftës, por forcat shqiptare më 3 shtator 1920 u futën triumfalisht në qytetin e Vlorës dhe festuan me madhështi fitoren e tyre. Për arritjen e kësaj fitoreje dha kontributin e tij të vyer edhe Kallarati.  Kjo ngjarje e madhe e historisë sonë është përjetësuar në këngë të shumta, siç janë dhe këto:

Tri beteja të mëdha

Kota, Gjormi, Llogoraja

Tri beteja të mëdhaja…

Me sëpata e me hanxharë,

Dyfeqet lidhur me gjalmë,

Fishekët në xhep i mbajnë…

Ç’paskanë pjellë ato nëna,

Paskanë pjellë e bërë drëra…

Për atdhe e për flamur,

U dogjën flakë si nur.

 

Shqipëria e bardhë

Atje te hani në grykë

Te ura në Drashovicë

Qëllon topi i Italisë

Ka nijet që ta vithisë

Komision e Shqipërisë.

O moj Shqipëri e bardhë

Bota ç’ta kanë sevdanë

Italia me Junanë

Edhe serbi me bullgarë

Të keqen ta kanë marrë.