Suplementi Pena Shqiptare/ Duro Mustafai: “Po ikin miqtë e vjetër”

467
-Kushtuar miqve tanë që janë ndarë nga jeta kohët e fundit
Një nga një po ikin…
Si bimët në vjeshtë,
ju bini një nga një.
Prapa lini ëndrrat e bukura
Për këtë botë,
Ju bini e puthni,
Të shtrenjtën tokë,
E ne me lule ju mbulojmë
E mbi lule, derdhim dashuri e lot.
Po na ikin miqtë tanë të vjetër,
Ata që kemi dashur shumë.
I kujtojmë. Dhe në gjumë,
Si në një vegim pasqyre,
Shohim fytyrat e tyre,
Dëgjojmë fjalët që thonë:
“Brenda zemrës suaj,
zemra jonë rron.”
Një nga një po na ikin
Miqtë e vjetër,
Bien, si bie një meteor në det,
I kërkojmë, po ku t’i gjejmë?
Ndoshta në një botë tjetër,
Po a ka botë tjetër me të vërtetë?
Dikush tha se ikët, u bëtë re,
E nga qielli erën e dashurisë
Dërgoni,
Si për të na thënë se jeni me ne
E se prapë me ne jetoni,
Se mes hallesh qeshni
E bisedoni.
Sikur të ishit gjallë,
E ne për ju e shtojmë mall.
Një mall që në çdo zemër rri,
Sa të kemi jetë e dritë në sy.
Ju e donit, këtë tokë,
Vendlindjen e nënës
Dhe vini këtu netëve
Me rrezet e hënës.
Uleni mëngjeseve, bashkë me diellin,
Si dikur me dritën e diturisë suaj
Që mbulonin tokën e qiellin.
Për vendlindjen s’kursyet, as djersë,
As gjak,
Që t’i shëronit asaj çdo të keqe
E plagë,
Në çdo bimë që rritej
Dhe në çdo prag.
Ata që u ndan nga ne,
Ishin luftëtarë të dijes e lirisë
E në liri shpërndanin
Kulturë e dituri,
Dhe punuan edhe në pleqëri,
Si dikur në rini.
E, nuk u lodhën gjithë jetën
Trëndafila dashurie në zemra mbollën
Dhe trëndafila në çdo zemër mbetën.
Ikën miqtë tanë
E dhimbje na lanë,
Sytë tanë s’kanë për t’i parë
Ato fytyra që ndrisnin si diell,
Në kafen e mëngjezit s’kemi për t’i parë,
S’do vijnë çdo të enjte e të shtunë 
Siç vinin përherë.
Veç për ta do të lexojmë
Në libra e gazeta,
Fotografitë e tyre do shikojmë
E me zë të dridhur do kujtojmë,
Se sa e bukur,
Por edhe sa e hidhur është jeta.
Por te fëmijët e tyre,
Nipërit e mbesat,
Do mbeten të gjallë,
Në ditëlindjen e festat,
Në fejesat e martesat.
E ne do shohim si shtegton,
Gjaku juaj,
Në udhën që hapët për brezat.
Miqtë e mi,
Nji nga nji
Si gjethet në vjeshtë
Ju bini e puthni të shtrenjtën tokë,
E ne ju mbulojmë me lule,
E mbi lule derdhim dashuri e lotë.
Sigal