Suplementi Pena Shqiptare/ Dritëro Agolli: “Poeti ja shet shpirtin fjalëve”…

15
Sigal

Çfarë është poezia për Dritëro Agollin…?

“ Për mua poezia është një mënyrë jetese e veçantë, që e kanë vetëm disa njerëz nga bota e madhe njerëzore, ashtu siç e kanë mënyrë jetese besimtarët fenë. Fetarët besojnë në një botë të dytë, që ua thotë Zoti. Poetët besojnë në një botë të dytë, që ua thotë poezia. Ndryshimi është se besimtarët besojnë dhe falen kolektivisht, kurse poetët besojnë dhe falen individualisht. Dhe feja e të dy palëve kërkon harmoninë duke u larguar për një çast nga bota reale. Nga kaosi i sendeve poezia formon harmoninë. Edhe në një album me lule, apo fletë bimësh e pemësh nga një koleksioner mund të gjesh harmoninë, por kjo harmoni nuk është në lëvizje, sepse nuk krijon raporte mes luleve apo fletëve, si në poezi. Prandaj poeti quhet bir i harmonisë. Poeti ia shet shpirtin fjalëve. Dhe me këtë i jep shpirt materies së fjalëve. I bën fjalët të dalin nga lëvozhgat apo guackat e tyre, i bën të ikin nga pronat e tyre nominale. Lajthia hidhet në tokë bashkë me guackën. Në tokë lajthia mbin dhe del nga guacka. Edhe poeti këtë fjalë me guackë e bën të mbijë duke e zhvoshkur nga guacka.

Unë për poezinë marr shembull nga liriku i madh Don Kishoti. Ky lirik i madh, siç thotë një i ditur, e quajti Dulqinjë fshatarkën e zakonshme Aldonsa. Bashkë me emrin Don Kishoti ia ndërroi edhe përfytyrimin, e bëri aristokrate dhe zonjëz të bukur dhe fisnike. Don Kishoti donte ta dylqinizonte botën dhe realitetin. Bota ishte një Aldonsë e zakonshme. Ai këtë botë e kthente në përfytyrimin e tij në Dulqinjë, në simbol të bukurisë. Edhe unë, si poet, me poezinë time kërkoj harmoninë, marr nga realiteti Aldonsën dhe e transformoj në Dulqinjë dhe këtu ndjej kënaqësi. Kjo kërkesë drejt transformimit tw përhershëm të sendeve më është bërë mënyrë jetese dhe dua t’i jap vetes kënaqësi, por edhe njerëzve që ushqehen me poezi t’u rritet dëshira për ta ndryshuar botën. Njeriu kërkon të bukurën. Të shëmtuarën në jetë e bashkon me të bukurën dhe nxjerr të bukurën ideale, Dulqinjwn e Don Kishotit …”

Qiriri

Në mes tuaj kam qëndruar

dhe jam duke përvëluar …

Naim Frashëri

E ndezëm qiririn për miqtë,

qiriri bënte dritë dhe qante:

ashtu siç qan çdo gjë që bën dritë.

Në faqet e verdha lotët i ngrinin.

Nga drita qante dhe veten e hante.

Përmes qiririt vështroja Naimin:

bënte dritë dhe qante…

1995

Tymi i ditëve të djegura

Më dhembin kapakët e syve nën vetulla.

Më shpojnë nga tymi i ditëve të mia të djegura.

Më djegin nga pluhuri, që ngritën këmbët e viteve

tek i përplasën potkonjtë në rrugë vrapimeve.

Është tymi i ditëve të djegura dhe s’është i pyjeve!

Është pluhuri i viteve bashkë me hirin e yjeve…

Ah, sa ditë kam djegur të ngrohesha mërzitur prej ngricave!

Ndaj tymi i tyre sytë m’i shpon me majat e spicave!

1995

 

Djajtë e përparimit

thonë: E duam Perëndimin,

Se na jep përditë uratën,

por s’e fshehin përgjërimin

as për muzgun, as për natën.

Sytë e tyre grisin qiellin

plot qëndresë e plot përpjekje.

Sa të skuqë e presin Diellin

ta dënojnë atë me vdekje.