Korrupsion zgjedhor, SPAK përfundon hetimet dhe çon për gjykim dy të akuzuar

33
Sigal

SPAK përfundon hetimet dhe çon për gjykim dy të akuzuar për korrupsion zgjedhor të kapur para zgjedhjeve të 14 majit.

Në përfundim të hetimeve paraprake të procedimit penal nr.96 të vitit 2023, Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka paraqitur para Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë Për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar (në datën 27.09.2023) kërkesën për gjykim në ngarkim të pandehurve:

1. Kristo Agalliu, akuzuar për veprën penale të “Korrupsioni aktiv në zgjedhje”, parashikuar nga neni 328 i Kodit Penal.
2. Agron Duraj, akuzuar për veprën penale të “Korrupsioni pasiv në zgjedhje”, parashikuar nga neni 328/b i Kodit Penal.

Nga hetimi i këtij procedimi penal ka rezultuar se, në datën 09 Maj 2023, i pandehuri Kristo Agalliu i ka ofruar shuma monetare të pandehurit Agron Duraj për të ndikuar në vullnetin e këtij të fundit, në mënyrë që të votojë një kandidat të caktuar në Zgjedhjet për Organet e Qeverisjes Vendore, që janë zhvilluar datën 14 Maj 2023.