Suplementi Pena Shqiptare/ Bedri Alimehmeti: Sot, 102-vjetori i Tiranës kryeqytet

266
Sigal

Të shkruaj një libër për të gjithë tironcit bashkëqytetarët e mi të nderuar, të fismë, zemërbardhë e shpirtgjerë, që aq shumë i dua. Ky ka qenë synimi im i kahershëm. Tashmë ndihem i qetë që këtë gjë e kam bërë realitet. Në faqet e këtyre tregimeve, që i kam shkruar me shumë dashuri, do të gjeni një pjesë të vogël nga gjithçka na mungon aq shumë nga qyteti ynë i shtrenjtë. Në radhët e tyre jam përpjekur të zgjoj nostalgjitë për mëhallat, rrugicat me kalldrëm, avllijat dhe oborret e kopshtet plot me lule. T’u sjell ijet, kannat, momat e nonat, që e kishin zemrën të bardhë si marhamani, që mbanin mbi krye. T’u ringjall në kujtesë ata burra të pashoq, të mençur e bujarë, mjeshtër në profesionet që ushtronin, të cilët me fjalët e tyre të urta u jepnin udhë e zgjidhje halleve e problemeve të ndryshme të jetës. Veçmas kësaj, dëshira ime ka qenë të pasqyroj në to disa prej virtyteve njerëzore tejet të pazakontë, sidomos në drejtim të humanizmit, bashkëjetesës, njerzillëkut, bujarisë e zemërbardhësisë që në Tiranë kanë qenë të rrënjosura si tek askush tjetër. Në faqet e këtij libri jam munduar të pasqyroj, momente nga jeta dhe veprimtaria e disa prej figurave të shquara të trevës sonë, tejet të begatë në vlera njerëzore e kombëtare, që në kohën e regjimit totalitar janë nëpërkëmbur me të padrejtë. Sa kam arritur t’ia dalë mbanë në këtë synim që i kam vënë vetes?

Mendoj se do të jetë vetëm ana juaj, ajo që do të japë përcaktimin e saktë. Ndërkohë në këto pak radhë në fletët e para të këtij libri që them se mund ta quani edhe tregim dua të ju rrëfej se si e mora shtysën e parë ose më saktë si më lindi idea për të shkruar këto tregime. Ishte viti 1966. Kisha vetëm pak ditë, që isha kthyer nga ushtria. Pra e kam fjalën për shumë kohë përpara se të bëhesha i njohur si njeri i letrave. Them kështu, sepse deri në atë kohë kisha botuar nja dy a tri shkrime të shkurtra në “Sporti Popullor” e në “Zëri i Rinisë”. Për poezi apo për ndonjë skicë a tregim, që i kisha aq të shumtë nëpër blloqe, s’bëhej fjalë. Kisha tentuar një herë, kur me një tufëz poezish i kisha ngjitur gjithë ankth e plot emocion shkallët e redaksisë së gazetës “Zëri i Rinisë”, e cila një herë në dy javë në faqet e saj kishte suplementin letrar “Tribuna e letrarëve të rinj”. Eh, nuk e harroj trokitjen e lehtë te dera dhe drojën time për të bërë hapin e parë brenda. Më pas biseda me një redaktor shumë dashamirës, që i lexoi krijimet e mia me vëmendje. Kanë kaluar shumë vite, por ende më ka mbetur në mendje ngrohtësia e zërit të tij pas përgjigjeve të mia me zë drithërues. Jo, absolutisht nuk më bëri vërejtje, por vetëm më pyeti për familjen, origjinën e saj, nga jeni, në ç’shkollë mësoni, babai ç’punë bën etj. Pa i dhënë asnjë përgjigje gjithë këtyre pyetjeve, zgjata dorën dhe i mora fletët me poezi. “Do t’i shoh edhe një herë, – i thashë, – pastaj do jua sjell”. Dhe teksa ai mbeti si i hutuar, e njëherësh i habitur nga ç’kisha thënë e bërë, e përshëndeta dhe dola jashtë.

Për ç’origjinë familjeje t’i thoja, kur im atë ishte ende në burg, pa thënë për të tjera probleme. Kështu edhe pse ende nuk i kisha bërë shtatëmbëdhjetë vjeç, pyetjet e shumta e të hollësishme të redaktorit, qartësonin faktin që autorët e krijimeve letrare domosdoshmërisht duhej të ishin me biografi të pastër. Nuk e vë aspak në dyshim, ai njeri aq dashamirës, që i lexoi me shumë vemëndje krijimet e mia, po ta kisha gënjyer poezitë do të m’i kishte botuar. Po kur të mësohej e vërteta kush e di ç’pasoja do të kishte. Ndoshta mund të humbiste edhe vendin e punës. Këtë nuk mund t’i lejoja vetes. Poezitë e mia le të rrinin ende aty, ku ishin nëpër blloqe. Do të vinte dita që edhe ato do ta shihnin dritën e botimin, siç edhe ka ndodhur tashmë prej kohësh. Ndryshe kur isha ushtar. Gjatë asaj periudhe dy vjeçare kisha shkruar e botuar në faqet e gazetës “Lufëtari” thuajse çdo javë kronika lajmesh, skica, reportazhe edhe poezi. Madje merrja edhe honorare, që për xhepin e një ushtari ishin jo pak. Por tashmë kisha rreth dy javë që vërdallosesha rrugëve të Tiranës, ende i papunë, dhe nuk më shkonte mendja për të shkruar e jo më për të botuar. Ishte viti 1967, rradha e njerëzve që kërkonin punë në zyrat e lagjes nuk kishte të mbaruar. Herën e parë që arrita të futem aty rastisa të isha i veshur jo keq. Një këmishë neilon, nga ato që shiteshin te dyqani i valutës (ish banjo Demneri), te rruga “Postës” (sot “Luigj Gurakuqi”), të cilën me shumë sakrificë kishte arritur të ma siguronte nëna, kostumi i vjetër i babait, që ma kishte ujdisur për trupin një kushuriri ynë dhe pardesyja “fësh-fëshe”, (3500 lekë të vjetra, aq kushtonin) kështu u thonim në atë kohë atyre pardesyve punuar me material sintetik, të cilat kur ecje krijonin një zhurmë karakteristike “fësh-fësh”.

Ky ishte luksi im. Me këtë veshje hyra e kërkova punë në zyrën e lagjes. Nga vështrimi që më hodhën të pranishmit në ambientet e saj kuptova menjëherë që nuk do të më përfillnin fare. Dhe ashtu ndodhi. “Hajde nga java tjetër, mbase do të të sistemojmë në ndonjë punë”, – më thanë ftohtë. Gabimi ishte i imi. Nuk më falej nëse e përsëritja. Një javë më pas, sipër asaj uniforme ushtarake të zbardhur e të zhubravitur me të cilën isha liruar, vesha “fësh-fëshen”, mora një shok të më shoqëronte, zura radhën dhe kur m’u desh të futem hoqa me të shpejtë pardesynë e ia lashë në duar atij. Pas kësaj suksesi qe i plotë. Dola me një fletë pune për të filluar në një nga ndërmarrjet e reja ekonomike, që në ato vite në mënyrë të habitëshme po i shtoheshin kryeqytetit. Tejet i lumtur nxitova për në shtëpi me mendimin të ndërrohem e të dal nga “Broduej” për të festuar me shokët. Në nxitim e sipër kur po ngjitja shkallët në hyrje të pallatit ku banoj edhe sot, ishin dy djem të vegjël që kishin zënë vend në mes të një grumbulli revistash e gazetash të huaja, që teksa i prisnin kuturu fletët e faqet e tyre përpiqeshin të bënin një balonë. Të them të drejtën momentalisht më tërhoqën vëmendjen fotot e revistave që kishin ndër duar vogëlushët, më së shumti nga që në to pashë portrete artistësh e këngëtarësh italianë shumë të famshëm në ato vite. Ndaj mora njërën prej tyre, më kujtohet ishte “Il ragazzi”, revistë e njohur ilustrative. Në një nga faqet e saj ishte një shkrim për Adriano Çelentanon.

Tejet kureshtar, si admirues i këtij këngëtari, nisa ta lexoj. Vogëlushët sigurisht ishin nga familjet e asaj shkalle, por që unë nuk i njihja ngaqë njerëzit e mi kishin ardhur për të banuar aty gjatë kohës kur isha ushtar. Kisha dëgjuar nga të afërmit që familjet e tyre sapo ishin kthyer nga përfaqësitë tona diplomatike jashtë shtetit. Fakt ky që dëshmonte atë grumbull gazetash e revistash të huaja derdhur në sheshpushimin e shkallëve. Ndërkohë që desha të merrja një revistë tjetër vura re se djemtë, jepnin e merrnin me njëri-tjetrin e nuk po arrinin ta bënin balonën. Pa e zgjatur ua mora nga duart letrat dhe me të shpejtë i dhashë formën e duhur. Vogëlushët u gëzuan shumë dhe kur panë që isha i interesuar për revista më thanë të merrja ç’të doja. Dhe teksa po zgjidhja në atë mori letrash më ra në duar libri me tregime i shkrimtarit italian Alberto Moravia “Racconti romani”(Tregimet e Romës) . Nga ky shkrimtar kisha lexuar romanin “Çoçarja” përkthyer ato vite në shqip, që më kishte lënë shumë mbresa. Për “Racconti romani” kisha dëgjuar jo pak, madje isha në dijeni se disa prej tyre regjisorët e shquar italianë të neorealizmit si Felini, Viskonti, De Sika, Roselini etj, i kishin shfrytëzuar në skenarët e filmave të tyre të suksesshëm. Ndaj pasi e shfletova me shumë kureshtje u thashë djemve:  – Po këtë librin a ta marr unë? – Merre o xhaxhi, – më thanë njëherësh, – ai nuk bën për balonë.  Vonë në mbrëmje u ktheva në shtëpi dhe kur u shtriva për të fjetur, teksa hapa si zakonisht radion “Phanola”, u kujtova për librin. E mora dhe aty ku e hapa lexova. Tregimi titullohej “Pioggia di maggio” (Shiu i majit). Natyrisht më tërhoqi jo pak, por nuk vonoi të hasja një lloj vështirësie në disa fjalë e në ndonjë shprehje, sidomos në dialogët e personazheve. Ishin fjalë që i ndeshja për herë të parë. Thjesht nuk i kuptoja. Ndaj shkova e i thashë tim eti, i cili natyrisht e njihte më mirë se unë italishten. – – Këto, – më tha, – janë fjalë e shprehje në dialektin vendas roman. Ashtu si me napolitanët, barezët, kalabrezët etj, pikërisht për këtë gjë milanezët, torinezët etj, e kanë të vështirë të kuptohen e merren vesh edhe me romanet, dialekti i të cilëve është vërtet interesant e i veçantë. Madje unë do të thoja që është idem si dialekti ynë i Tironës, të cilin e kanë vështirë për ta kuptuar korçarët, vlonjatët, gjirokastritët po ashtu edhe shkodranët. Gjithsesi merr fjalorin “Colombo” (italisht-italisht), aty e ke!

Ai t’i shpjegon të gjitha, e natyrisht me të pranë do ta kesh më lehtë”. Dhe me të vërtetë pas kësaj vijova leximin normalisht. I madhi Moravia për të qenë sa më i saktë në ato që shkruante dhe aq më tepër nga që ngjarjet në tregimet e tij zhvilloheshin kryesisht në Romë, pra nëpër ambientet autentikë të saj, në momente të caktuara kur e shikonte të arsyeshme, preferonte të shprehej në dialektin vendas, natyrisht për të qenë sa më origjinal e i vërtetë. Pas atij tregimi e nisa librin nga kreu. Lexova “Fanatico”, më pas “Arrivederci” e kështu me radhë deri sa i dhashë fund i kënaqur e i mbushur me emocione. Dhe në çastet e përjetimit të gjithçkaje kisha shijuar nëpër faqet e qendisura nga pena mjeshtërore e Alberto Moravias mendova se është vërtet gjë e bukur, kur një shkrimtar nëpër librat e tij shkruan për qytetin ku ka lindur e është rritur. E aq më tepër kur sjell në brendësinë e tij njëherësh ambientet, atmosferën, banorët e hershëm e të rinj me zakonet e doket, me virtytet e lartë njerëzorë si edhe hallet, dertet, dashuritë e miqësitë e tyre. Sa bukur do të ishte që një ditë prej ditësh të shkruaja edhe unë një vëllim me tregime për Tironën, qytetin tim të dashur e të shtrenjtë, të cilin se ndërroj me asnjë vend tjetër në botë. Kështu pata menduar e njëherësh ëndërruar në ato çaste. Madje që atë natë vendosa në mënyrë të padiskutueshme se do ta titulloja “Tregimet e Tironës”. Ju betohem, nuk ekzagjeroj asgjë, kështu e pata menduar. Vërtet vonë u mundësua plotësimi i kësaj ëndërre, por mendoj se i rëndësishëm është fakti që tashmë ajo është bërë realitet. Aq më tepër tani bashkëqytetarët e mi do të kenë në duar “Tregimet e Tirones”.