Suplementi Pena Shqiptare/ Astrit Bulla: O Durrës i lashtë

163
Sigal

 

O Durrës i lashtë… qytet mbi qytet,

tre herë përmbytur, tre herë ndërtuar,

mikpritës në shekuj me Epidamnin mbret,

në shekuj lakmuar, në shekuj pushtuar…

 

O Durrës i lashtë, pjellë e Ilirisë,

kala e pamposhtur nga sulme armiku.

Bizanti dhe Roma, pjellë e pabesisë,

të pushtoi o Durrës, perlë Adriatiku…

 

O Durrës i lashtë, mban mbi supe halle

dhe për ata halle, nuk u qave kurrë,

mbi shpinë i mbajte. Kusarët hidhnin valle,

të vodhën, të plaçkitën, ikën, mbete burrë…

 

O Durrës i lashtë, trëndafil bregdeti,

me mure kalaje mbrojte Shqipërinë.

Teuta mbretëreshë dhe universiteti,

torra venecjane të shton hijeshinë…

 

O Durrës i lashtë i bëre sytë katër,

kur Çezari me Pompeun luftuan aty,

pranë rrugës Egnatia, në Amfiteatër,

si gladiator luftove, pa lot në sy….

 

O Durrës i lashtë, vatër qytetarie,

durove pushtime, por kurrë s’u nënshtrove.

I kishin zili fqinjët tuajat anije,

Bizantit dhe Romës, dhëmbët i tregove…

 

O Durrës i lashtë, në përmbytjen e tretë,

ikanak u bëre, ike në Berat.

Do ktheheshe prap, e dije edhe vetë,

të ngriheshe sërish në qiellin e shtatë…

 

O Durrës i lashtë, pushtim pas pushtimi,

atëherë kur prisje të vinte liria,

pas shekujsh në vuajtje, nga lufta, mundimi,

nga hiçi i’a behu, mbërriti Turqia…

 

O Durrës i lashtë, qytet në liri,

qytet peshkatarësh, qytet me kulturë,

zgjohesh një mëngjes, në qendër… xhamì,

rretheqark qyteti rrethuar me mur…

 

O Durrës i lashtë, pesë shekuj robëri,

të tundën, të shkundën, farë të keqe mbollën.

Pas shekujsh, i pari ngrite flamurin kuq e zi,

largove trishtimin, që të huajt sollën…

 

O Durrës i lashtë ndërtuar nga gjaku,

pabesia e radhës ishte italiane.

Të mbrojti si luan  Mujo Ulqinaku,

ra si një hero mbi torrën venecjane…

 

O Durrës i lashtë, i urtë dhe human,

e kalove edhe këtë etapë, me urtësì.

Nuk u bëre mik me italian dhe gjerman,

mbete homogjen deri në lirì….

 

O Durrës i lashtë, ku t’a dije ti,

që pas një pushtimi do vinte një tjetër!

Banderola feste, më në fund lirì,

veç ndërrim padronësh, histori e vjetër…

 

O Durrës i lashtë, pesëdhjetë vjet mashtrim,

mashtruar nga ati, nga biri mashtruar.

Kush hipën, kush bie, ndiejnë veç përçmim,

për Durrësin, për njerëzit, sa janë tjetërsuar…

 

O Durrës i lashtë e mposhte diktaturën,

bijtë e diktaturës erdhën në pushtet,

kanë ndërruar ngjyrë, kanë ndërruar lëkurën,

po ato mënyra, shpata vret e pret….

O Durrës i lashtë, qytet mbi qytet,

me det dhe me jod për të gjithë shqiptarët,

largoje të keqen, që vetëm vjedh dhe vret,

të vijnë më të ndershmit, të zhduken kusarët…

 

O Durrës i lashtë, mikpritës

bujar, lëre të lirë plazhin, mbi rërë mos ndërto:

më mirë do të jetë për të gjithë shqiptarët,

kjo është qytetarì, këtu veten trego…

O Durrës i lashtë, qytet mbi qytet, mos më turpëro…