Lotë të kaltër
Ai vizatoi hartën e botës,
mbi të
një qiell të pastër, të pastër.
Pastaj qau me lotë të kaltër…
Bilanc
Fitimtarët –
fitimtarë.
Të mundurit –
të mundur në përjetësi.
Në qoftë kështu,
mos ardhsh kurrë demokraci .
Kujtim
Ti ike. E nxehur, e trishtuar.
Siç duket, the, s’kemi gjë për të thënë.
Mbi filxhanin e kafes gjysmëpirë
i kuqi i buzëve si gjysmëhënë.
Tani në kafe hyj somnambul.
Më dhemb gjithçka e s’di ç’më dhëmb.
Mbi buzët e filxhaneve kafepirë
kërkoj gjysmëhënën e të kuqit tënd.
Vetëm Itaka mbetet
Kanë ndërruar anijet. S’janë më si të Odiseut.
Kanë ndërruar dashuritë. S’janë më si
të Manelaut.
Gratë ndryshe janë. S’i ngjajnë më Helenës.
Dhe prap do të ndërrojnë në shekujt
pararendës.
Vetëm Itaka mbetet.
Itaka te fëmija, Itaka te gjeniu!
Ajo, e përjetshmja,
ëndërra,
dashuria,
jeta,
vdekja:
Itaka – vetë njeriu!
Prill i Hidhur
Nostalgji
E mora në duar kokën tënde.
Prushi i gjakut pëllëmbët m’i dogji.
Në sytë e t’u si në një ëndërr rashë
dhe me s’u zgjova.
Në sytë e bukur si loti:
Me gishtat e dridhur të dashurisë,
emrin tënd shkërmoqa gërmë për gërmë.
Të thirra e dashur!
Të thirra motër!
Të thirra nënë!
Ti hesht, e bukur, e tejdukshme,
natyrshëm siç mbin bari.
Oh! Hapi ata sytë e zes,
hapi, të vijë
behari.
Hapi ata sy
më përrallorë se fantazi e Zhyl Vernit.
Dy lëndina ku rritet lirizmi.
Në retinën e tyre si në ekranin më të ndershëm
veten më mirë kuptova,
ty,
njerëzimin.
Je tepër e lashtë për të të thirrur Evë,
je tepër e bukur për të të thënë Zhuljetë.
Sa kohë kemi që duhemi? Dymijë, tremijë vjet?
Me ty e kam lindur Prometeun,
me ty shekullin e njëzetë.
Po ty
të zuri gjumi?
Shtrihu!
Ti më mësove të vërtetën e madhe:
Dashuria është një monument
mbrohet nga njeriu!
1988
Atdheu është dhimbje
Atdheu s’është sa sedilja e makinës tënde,
sa karrigia e zyrës,
sa dhoma komode.
A më dëgjon!
Ti që me flamur të ri u gdhive në mëngjes,
për ta ndryshuar, ndoshta prap në mbrëmje!
Atdheu s’është lojë kalamajsh.
Atdheu është dhimbje!
O Zot!
Dhimbje!
1991.
***
Ne jemi si dy brigje të një lumi,
përjetë përballë, përjetë të ndarë,
natën ndërtojmë në ëndrra një urë,
ditën mbetemi të huaj si më parë.
.
Pasioni
Nata jeton me pasionin e agimit,
e sotmja ëndërron të nesërmen.
Vetë hapi i njeriut mbi tokën time –
trajektore e pasioneve të ndershme.
Nga pasione të bukura, njerëzore,
lindin, vdesin, rilindin miliona dashuri.
Do të vdes nga pasioni për të qënë Njeri.
Lirikë e hidhur
Nuk e dua më këtë qytet,
e di: ai është fajtor pa faj.
Këtu ministrat janë të gjithë engjëj,
ata poshtë tyre të gjithë djaj.
Këtu të djeg malli për një hënë,
malli të përvëlon për një borë.
Këtu dhe hëna dhe dielli lindin
kur vizë t’u japin ambasadorët.
Këtu përvëlohesh për një fllad puhize.
Këtu nuk fryjnë më vrunduj erërash.
Kalon nëpër rrugë, ke frikë mos gëlltitesh
nga gojË të shqyera tenderash.
Kam dalë tani pas orës policore.
Asnjë frikë nuk kam për vete.
Po nuk i shikoj dot si dridhen jetimët
nga tmerri i betonit monumentet.
Ku është lindja, perëndimi ku?
Ku është jugu, ku është veriu?
Ku vallë mbaron betoni?
Ku vallë fillon njeriu?
Eci dhe këmbët me merren,
nuk kam pirë alkool asnjë pikë.
Me vete vargun e Brehtit pëshpëris:
kohë e vështirë për lirikën.
.






















