Suplementi Pena Shqiptare/ Arjana Gaba Fetahu: Ajo s’ishte thjesht një puthje

 

 

NOA

Ajo s’ishte thjesht një puthje nën dritë hëne!

Qe një re e butë, që më preku buzën e etur.

Ishte një çast sikur në kupën e qiellit

ttë mbledhësh gjithë yjet që mezi kishe gjetur.

 

E të vishesh, me petkun e tyre të zjarrtë,

të vallëzosh mes reve e dashuruar.

Ajo puthje, që më bëri të ndihem sikur,

gjithë botën, e kisha në duar.

 

S’ishte një puthje dosido ajo!

Ishte një zgjim lulesh kur puthen nga dielli.

Ishte një tingull lahute ku oshëtijnë bjeshkët,

e të shohësh mimikën si habitet qielli.

 

S’ishte aspak e zakontë ajo

zbraztësi e buzëve të mia, të ëmbël aromë …

Mbaj mënd lëshova veten, krahëve të tij,

si një mimozë e brishtë me shtatin e njomë.

 

Unë me atë puthje shpesh bëj çudi!

Si jetoi në mua deri në thinjën time?

Vitet që më plakën janë tjetër çmënduri,

ndërsa ajo puthje, mbeti thjesht sublime.

 

 

 

 

 

 

Në jetë i njoha që të gjithë

 

Ca miq i mbaj,

ku mbaj “gjilpërë”.

Ca të tjerë,

ku mbaj “krëhër”.

Ca që i dija ,

se i kisha për kokë.

E hapën për mua,

e ranë vetë në gropë.

Më të vërtetët,

në zemër i ruaj.

Janë miq që qajnë,

kur shohin që vuaj.

Ata janë të besës,

janë melhem për plagë!

Por dhe unë për ta,

turrem nëpër flakë.

Në sa hoje që ka zemra,

i vendosa miqtë që zura…

Në jetë i njoha që të gjithë,

dhe se sa u vlen lëkura.