Ne ikëm si korbat i dashur Atdhe!
E ndiem veten plaçkitur,
me leshra të gjata dhe barkut korse
dhe kishim një gojë t’babëzitur.
U zvarritëm në ujerat që na ishin ndaluar,
në qiejt e hapur të botës pa fre,
Ne s’kishim atëherë as kokë e as duar
e s’dinim të ngrinim “koshere” të re.
Të prishëm, të dogjëm deri sa mundëm:
çelikun ta shitëm për skarp!
Trenat i thyem se janë të Enverit,
pa ditur që duheshin prap.
Braktisëm fshatra i lamë pa shpirt,
sikur ujqërit në mal çajnë kopetë.
I lamë dhe qytetet se s’patëm më dritë,
na trëmben “rrufetë”.
Si ciganë të lamë Atdhe i dashur e shkuam,
dikur me trasta e thasë mbi shpinë.
Sot trurin tënd botës ja shtuam,
po humbim rininë.
Na fal për mëkatet që bëjmë ndaj teje,
në emrin tënd Atdhe i dashur!
Nuk di a na ka mbetur fare pak shpirt,
të jemi kaq cipëplasur?!
E gjej një arsye të kthehem
Një tjetër ndjesi më përcëlloi në fyt,
si një e vjellë pas diçkaje të prishur.
Tjetërsuar njerëzit kthyer aljenë
me zemër gërvishur.
Takova të zhveshur nga dashuria,
të vegjël në shpirt me sy të mëdhenj.
Disa të tjerëve s’ua pashë fytyrat,
si të shterurit lumenj.
As atë që e kam gjak, se takova!
Nuk erdhi ta pinim një kafe:
atë që në mërgim kurrë se harrova,
më paska harruar fare.
Kemi ngrënë në një tepsi trahana,
kafshuar të dy në një mollë.
Me mburrje thosha të kam si vëlla,
tani në shpirt mbet një njollë.
Tani në shpirt një vënd bosh.
As trarët e shtëpisë s’po i njoh!
M’u thërmua malli, u bë për në kosh,
po më erren sytë e s’po shoh.
Po iki me një zemër të ngratë,
i pangopur dhe dëshpëruar!
Nuk “më njeh më guri i thatë”,
nuk takova sy të malluar.
Por prap, e gjej një arsye të kthehem:
zbutem pa patur më të voglin pendim.
Askush në këtë botë s’ma mohon,
pak ajër të atdheut tim.
Një kafe në Fier
Një kafe në Fier,
një mall thellë në shpirt!
Një mall për rrugicat,
ku ecja pa frikë.
Për një buzëqeshje,
për një mirëmëngjes,
për ditet e mija
plot diell dhe shpresë.
I dija përmëndësh
çdo qoshe e prag.
Tani psherëtij,
sa larg jam, sa larg…!
Sa vite larg teje,
i bukuri qytet.
Një mall emigranti,
një lot që rrëshqet.
Në ëndërr e shoh
gjithmonë sikur vi…
Një kafe diku,
në Fier e pi.
Një kafe me zemër,
një kafe me shok,
ku era e dimrit
më duket e ngrohtë.
Mbushem me frymë,
sikur fluturoj.
Një kafe gjetiu
nuk është kurrë njësoj.
Një kafe në Fier!
Një ëndërr në shpirt!
Zot të lutem,
ëndrrën bëma dritë!


















