-64 apo 46?! –
20 Marsi është datëlindja ime,
që nis si ditë e rëndomtë pranverore!
Por, Universi i Mirësisë me urime
më merr në fluturime princore.
Për mua, nuk është vetëm mosha
që më bën të shpërfillshëm ndaj vetes.
Shpirtit me nipër e mbesa i mbushet shporta
e këto festa sikur më veniten e treten.
Pastaj, njeriu sado i fortë që të duket
është në çaste të tilla qenie e brishtë.
Përkëdhelja e prindit me fjalë nuk thuhet
kur mungon, s’ka gjë më të trishtë…
Melankoli, mërzitje, mallëngjim
Hedh krahëve me pelerinën e moshës,
kur vijnë mbesat e nipi me gëzim
kam tortën më të ëmbël të botës.
Dhe i flak tutje pezmatimet;
si veten më bëjnë zogjtë e pranverës sot.
Shkallëve të bardha të jetës ngjitem
dhe zemrën e bëj fole për zogjtë.
Po miqtë e mirë si bredha me frymë,
si me magji ma hoqën tisin gri.
Dinjitetit të tyre u puth synë
vijoj udhëtimin krah tyre përsëri.
Bilbila të fjalës dhe këngës si ata
janë thesar dhe fat që i kam si yje!
Shporta e shpirtit fjalët e mëdha
s’i mban dot, se ka urimet e tyre.
Po më skuq faqen Piro Bregu
tek më nis ato fjalë me shtatë drita,
po Hiqmet Mehmetaj për lirikat strategu
po flamuri në furtunë Kristo Çipa?!
Sa shumë lule çelën urimet e tyre!
Po ashtu dhe një turbullim të ëmbël.
Sa shumë u mbush shporta me yje
në datëlindjen time, si një ëndërr.