Tentoi të hynte në Shqipëri me identitet të rremë, arrestohet 40-vjeçari në Rinas

57
Sigal

Një 40-vjeçar është arrestuar në aeroportin e Rinasit, pasi tentoi të hynte në territorin shqiptar duke përdorur dokumente me identitet të falsifikuar. Ai rezulton të jetë në kërkim ndërkombëtar nga autoritetet italiane, ku është dënuar me 5 vjet burg për vjedhje me dhunë në kuadër të një organizate kriminale.

Gjatë intervistimit dhe kontrollit të thelluar në hyrje të Shqipërisë, shërbimet e Policisë Kufitare në Rinas konstatuan se shtetasi Eduart Isaku, 40 vjeç, që udhëtonte nga Madridi, kishte paraqitur dokumente të falsifikuara në emër të Ermir Isaku.

Falë bashkëpunimit dhe shkëmbimit të shpejtë të informacionit mes INTERPOL Tiranës dhe INTERPOL Romës, u konstatua se Isaku ishte i shpallur në kërkim ndërkombëtar, bazuar në një vendim të Gjykatës së Apelit të Firences, e cila në vitin 2018 e ka dënuar me 5 vjet burgim për veprën penale “Vjedhje me dhunë”, kryer si pjesë e një organizate kriminale.

Ai u arrestua menjëherë dhe aktualisht ndodhet në ndalim provizor, në pritje të procedurave të ekstradimit drejt Italisë, në kuadër të bashkëpunimit ndërkombëtar për luftën kundër krimit të organizuar dhe paligjshmërisë ndërkufitare.