Suplementi Pena Shqiptare/ Agron Mema: Nostalgjia dhe shpresa si gurgullimë shpirti në lirikat e Panajot Bolit

725
Sigal

Mbresa nga libri me poezi “Nostalgjia çapitet në rrugët me kalldrëm”

Pas vëllimit me tregime që i ngjante një ditari jetik, vjen nga poeti Panajot Boli në formatin e ditarit poetik. Ajo që është thënë në pak rreshta te parathënia dhe pasthënia, është shumë dhe flet qartë, sepse penat e mëdha si Niko Kacalidha, koncentrojnë mendimin në pak fjalë. Dhe qysh në dy fjalët e para të parathënies: “Rrugëtimi letrar i Panajot Bolit…”, jepet mesazhi se poeti është në ecje.

Është një sukses i pritur sepse poetët kanë aftësinë ta shprehin lirizmin apo shqetësimin e mimikën së fytyrës, buzëqeshjen e tyre, në artikulimin e bisedës e pse jo edhe në trokitjen e gotës së rakisë në tryezën e miqësisë me vargje.

Transmeton humanizëm dialogues, pra ka adrenalinën që i jep flatra frymëzimit. Në çdo poezi të vëllimit poeti ka qenë i kujdesshëm deri në çdo detaj dhe element letrar, aq sa zanoret i kthen në tinguj plot harmoni muzikore, çka e bëjnë poezinë krenari të poetit për përjetimet e ditëve dhe momenteve në jetën e tij dhe brezit që i përket.

Por në krijimtarinë e prezantuar del edhe e përbashkëta, nyja lidhëse e poezisë greke dhe asaj shqiptare në bashkëjetesë shumëshekullor, duke marrë e dhënë nga njëra-tjetra si proces mbijetese.

Vargëzon kujtimin dhe pikën e lotit, ndaj nostalgjia, e lirë, çapitet nëpër kalldrëm e lodhur, por jo e përpëlitur. Nëpër ato kalldrëme, rrugica, bahçe e gardhe ku shpesh fëmijëria ka gjakosur gjunjët e zhveshur nga vrapi zbathur nëpër pluhurin e zhegut, apo duke krisur cingrat dimëror nëpër pellgjet mëngjeseve të acarta dimërore.

Kujton dhe s’ka si të mos preket shpirti i poetit kur sheh që sot mbi pemët e fshatit, që ende në mbijetesë nga braktisja, lulëzojnë e lidhin kokrra si metaforë e pritjes dhe shpresës për mos të lejuar mbi çatitë e rrënuara këngën vajtimtare të qyqes që mundohet të përndjek kujtimet si vlerë e vyer shpirtërore e njeriut.

Por fëmijëria për poetin është çamaroke si çdo fëmijëri, është një moshë që jeton gjatë me kujtimin e gjyshërve. Braktisja, ndonëse vjen si metaforë, fatkeqësisht sjell dhe jep në poezi imazhin e një panorame të zymtë faktike, përjetuese dhe reale.

Kanë mbetur vetëm pleq, pak lisa të gjatë e kroje të vjetër që murmurijnë me vetveten në kthetrat e mbijetesës dhe vetminë që u gërryen shpirtin duke mbajtur ndezur akoma oxhakët e kujtimet si hoje bletësh të mjaltëzuara.

Poeti nuk është pesimist, përkundrazi i dashuruar me ditët e jetës së tij, ndaj i sjell si përballje me të sotmen, si krenari e brezit që i përket, e pse jo, e sjell edhe si përvojë e si model se jeta është e bukur e do jetuar bukur. Në vargje ka lirshmëri, shpërthim ndjenjash dhe përcjellje larg klisheve, ka jetë që pulson e bulëzon si syth pranveror. Ky është arti, kjo është poezia.

Duke e pasur mik ia di edhe shijen, ndaj nuk u ndala te ato i ka sjellë bukur e mirënjohura Zhaneta Këmbora në pasthënie, por u ndala tek vlerat, tek qasja e krijimtarisë së lirikave të tij. Autori shkruan në vetën e parë për të ardhur më i besueshëm dhe më i plotë si personazh lirik, i përvëluar e i vuajtur, i djegur nga malli i kujtimeve, nga dashuria e mbetur ëndërr si imazh dhe idil.

Dhe dihet se nga djegia edhe kur plaga mbyllet lë shenjë si kujtim i bukur e i dhimbshëm dhe kjo vjen në mjaft vargje të tij. Ky libër të ngjan se lexon një ditar zemre. Çaste që i kemi përjetuar të gjithë. Nuk mungon asnjë detaj i jetës së dikurshme e të sotme rurale deri tek Balua besnik që lehte natës së zezë ndaj një spiuni tinzar që përgjonte prapa gardhit dhe në mëngjes tundte bishtin i gëzuar pranë të zotit se e kish kryer më së miri detyrën. Poeti rrugëton.

Dhe në këtë rrugëtim poetik takon fshatin dhe fshatarët, thëllëzat e sorkadhet, dhe hënën me dritën e saj të verdhë, saksitë e luleve erëmira që gjyshet mbillnin në parvazet e dritareve të vogla, takon vetminë deri në dhimbje e përlotje mbrëmjeve tryezave të kafeneve, edhe çezmën e krojet ku piu ujë i djersitur nga vrapi e lodrat fëmijë apo i rritur kur kthehej nga puna e largët zonave të thella.

Takon dhe ëndrrën e dashurisë që i iku pa adresë në qiellin paqësor, duke e lënë vetmitar rrugëve të shpirtit e pavarësisht se i lutet hënës t’ia rikthejë në tokë dashurinë e mërguar, mjegulla kryeneçe nuk bën tutje. Është një largim pa kthim që është mishëruar dhe gjallon si kujtim duke lënur pas nostalgjinë.

Një dashuri e mbetur tanimë në ditarin e zemrës simbolikisht si mos harresë. Është kjo panorama romantike që poeti vizaton me lirikat e tij ku ngrihet mbi nostalgjinë, largon trishtimin dhe përqafon shpresën duke u dehur në kaltërimin pranveror, pranë detit dhe magjisë së tij në çdo stinë, pranë shpërthimit të gjethit, cicërimës së zogjve, shkrirjes së dëborës.

Dhe kjo shpresë e frymëzimit të shpërthimit pranveror poetin e deh aq sa bën thirrje të mos e zgjojnë nga gjumi, sepse ëndrra më e bukur është shpresa e rikthimit, e ringjalljes, e ripërtëritjes, si vet stina pranverore. Kemi në duar një reportazh poetik të botës së shpirtit të shkruar me mjeshtëri. Suksese!