Suplementi Pena Shqiptare/ Irsa Ruçi : “Melodia e duarve”

105
Sigal

Në gëzim vendosim dorën mbi gjoks, në dhembje me pëllëmbët bashkuar fshehim lotët nën sy, në kërcim vallëzojmë me shpirtin peshë në ajër, duke ndjerë ritmin me dorën e lëshuar lirisht në lumturi. Duart janë esenca e përjetësisë, forma më sublime me të cilën njohim njeriun në thelb të tij.

Në gishtat e vegjël të foshnjës kalon lumi i jetës, në prekjen mes duarsh tek të dashuruarit shkruhet magjia e ëndrrës, në duart që zgjaten drejt lutjes, zoti vendos mirësinë e tij dhe në rrudhat mbi duart e të moshuarve, fle historia, ruhen kujtimet e çdo ngjarjeje që ka shenjuar moshën dhe vitet.

Një dorë mbi sup është miqësia e vërtetë, sepse brishtësinë tonë e mund veç përcjellja e të bukurës nga një zemër në tjetrën përmes urës lidhëse që janë duart.

Aty zgjohet një oqean mbushur me emocione, me fjalët që ligjërojnë mes heshtjes; gurgullojnë përjetime të pashkrueshme, të cilat kompozohen në çaste. Ne qëndisim të ardhmen me duar që dridhen nga pesha e përgjegjësisë, e buzëqeshim për të panjohurën. Sepse duart janë zgjatim i zemrës në natyrë, për t’u mbajtur me to në shtigjet e gjata të rrugëtimit tonë.

Brenda duarve flenë engjëjt, ndaj kur i takojmë së bashku, shkëndija e dritës arrin qiellin…