Suplementi Pena Shqiptare/ Agim Hushi: E përdala

618
Sigal

Tregim

Ajo ka qenë në jetën time femra e parë që kam njohur unë si të përdalë.
Isha i ri dhe në qytetin tonë të vogël që gumëzhinte nga thashethemet që përbënin lajmet kryesore me të cilat argëtoheshin dhe shtynin ditët e varfra njerëzit; kjo ishte hera e parë që shihja një kuçkë të vërtetë siç i thoshim ne një femre pa moral.
Kisha dëgjuar histori me gra të liga, gra që kishin tradhtuar burrat dhe ishin zënë ‘mat’ me dashnoret e tyre, por Marjeta ia kalonte të gjithave.
Jo vetëm se ishte aq e bukur por sepse nuk donte t’ia dinte për askënd dhe për asgjë! Vishej bukur, me ngjyra të ndezura dhe fustane të prerë bukur dhe qepur ngushtë, që i nxirrnin në pah qafën dhe gjoksin e bukur, të lëshuar. Por mbi të gjitha i tregonin belin e ngushtë epshndjellës dhe të pasmet e mbushura.
Të gjithë meshkujt kur kalonte ajo në rrugë kthenin kokën dhe e ndiqnin me sy.
Dikush lëshonte edhe ndonjë pasthirrmë mashkullore apo ndonjë fjalë për ta ngacmuar!
Por Marjeta jo vetëm që nuk skuqej apo nuk ndjehej keq, por përkundrazi ajo ngrinte kokën lart dhe u hidhte vështrime provokuese dhe buzëqeshte me çapkënllëk.
Jo pak meshkuj kishin rënë pre e bukurisë dhe sjelljes së saj.
Flitej se rreth shtëpisë së saj silleshin jo vetëm djem të rinj e të pashëm por dhe burra të martuar.
Marjeta i sillte rrotull shumicën e tyre, por ndonjëri qëllonte dhe me fat…
Midis atyre që e adhuronin Marjetën isha dhe unë…
Jo thjesht si femër, por më shumë si karakter.
Më tërhiqte natyrshmëria e saj, kurajo për të pranuar veten ashtu siç ishte dhe forca që kishte në atë paraqitje të brishtë femërore për të përballuar opinionin e një qyteti që e konsideronte si të përdalë. Kishte një bukuri mahnitëse që ia shtonte makijazhi i veçantë me të kuqin e buzëve të ndezur që nuk ishte zakon i vajzave beqare, rimelit në qerpikët e dendur e të gjatë dhe vetullat e hequra, të ngritura! Më magjepste pamja e saj dhe krenaria që shfaqej në ato vetulla të ngritura dhe në atë shikim moskokëçarës!
Një buzëmbrëmje teksa isha duke kaluar në rrugicën e saj, pranë kinemasë verore të qytetit për pak u përplasëm me njëri tjetrin.
Po afrohej nata dhe në rrugë s’kishte njeri.
Tek e pashë ashtu aq të bukur përballë meje u shtanga…
Mund të isha 16 ose 17 vjeç…
-Ç’më shikon ashtu si buf? S’ke parë femër me sy? Me libra do flesh gjithë jetën ti? Doli se ajo më njihte.
Pastaj m’u afrua dhe më hodhi dorën në qafë duke më tërhequr me forcë nga vetja!
Pastaj sa hap e mbyll sytë më puthi gjithë afsh në buzë!
-Hmmm, mërmëriti ajo, ke buzë të mira.
Ndjeva një aromë parfumi dhe gjuhën e saj thellë në gojën time dhe u çudita…
S’kisha puthur kurrë më parë dhe s’e mendoja kurrë puthjen kështu… tamam puthje kurve mendova dhe më erdhi ndot nga vetja.
-Je i pamësuar, tha ajo kur pa se unë kisha shtangur… Duhet të fitosh ca eksperiencë, tha dhe më lëshoi duke u larguar me hapa të lehtë dhe u zhduk në rrugicën me plepa dhe selvi, hija e të cilave e bënin muzgun më të errët!
Atë natë s’më zuri gjumi. Më vinte turp nga vetja që më kishte puthur një kurvë si Marjeta’ por ndjeja dhe një farë krenarie mashkullore’ se isha burrëruar dhe kisha provuar një puthje femre…
S’më shqitej nga mendja puthja e saj dhe Marjeta me sharmin e saj femëror aq të spikatur…
Kaluan muaj dhe një ditë ndodhi diçka që s’do ta harroj kurrë …
Teksa bënim shëtitjen e mbrëmjes në bulevardin e vetëm të qytetit me një shokun tim të fëminisë nga ana tjetër e trotuarit dëgjoheshin ca klithma grash. Ishte mbledhur një grumbull njerëzish kureshtarë që po rritej dhe po sodisnin një sherr të saponisur grash.
U afruam dhe ne por jo shumë pranë…
U trondita kur pashë Marjetën e bukur që e kishte kapur për krahu një grua shpatullgjerë dhe e egërsuar në kulm.
-Kurvë! I bërtiste gruaja e zemëruar në fytyrë Marjetës që s’dinte nga t’i hidhte sytë nga poshtërimi!
-Lëre burrin tim në punë të vet ,se është baba fëmijësh… Kurvë, vazhdonte t’i ulërinte gruaja në fytyrë dhe befas iu hodh përsipër duke e zënë për flokësh…
Njerëzit që ishin rrotull duke u argëtuar nga kjo skenë mizore zunë të qeshnin…
-Ouuu, thirri nga dhimbja Marjeta..
Më theri në shpirt ajo piskamë e dhimbshme.
Marjeta ngriti duart dhe u mundua t’ia hiqte duart nga flokët gruas së inatosur që po ia tërhiqte pa mëshirë.
Papritur gruaja u rrëzua dhe u ngrit më e egërsuar…
-Kurvë si guxon të më marrësh burrin, babain e fëmijëve të mi dhe të vësh dore mbi mua…
Papritur një djalë i ri, siç duket i biri iu turr Marjetës me një egërsi jashtë çdo kontrolli dhe e qëlloi me grusht në fytyrë. Befas Marjeta u trondit dhe u rrëzua. I riu si një egërsirë filloi ta shkelmonte në trup, brinjëve… Marjeta mundohej të mbronte veten duke u mbuluar me duar. Pas çdo goditjeje të tij më dukej sikur po më godiste dikush me një thikë në gjoks. S’durova më dhe u sula t’i dilja zot asaj femre që po dhunohej në sy të njerëzve kaq barbarisht. Por shoku im më doli përpara dhe s’po kuptonte se ç’doja të bëja…
-Ke luajtur mendsh? Do t’i dalësh zot një kurve? Filloi të më fliste ai në fytyrë duke më sprapsur!
Pashë Marjetën që i ishte nxirë njëri sy dhe nga hundët i kishte shpërthyer gjaku… s’do ta harroj kurrë atë pamje aq të trishtë.
-Kuurvë, hiq dorë nga burri im!, thërriste gruaja e inatosur teksa dikush e tërhiqte larg skenës së sherrit.
I biri e kishte zënë për dore.
Ndërkohë që Marjeta e shtrirë kishte larë rrugën në gjak. Befas sytë m’u përlotën. Trupi i asaj gruaje të bukur që kishte guxuar të ndiqte zjarrin e instinkteve të saj dukej si një akuzë mbi qytetin që fshihte poshtërsinë dhe fajësonte për gjithçka një grua, duke vënë dorë mbi brishtësinë e saj për të larë veten… S’doja ta besoja se do ta shihja Marjetën krenare ashtu të shtrirë dhe të dhunuar aq barbarisht në rrugë!
Pas pak dikush kishte thirrur ambulancën e vetme të qytetit. Titi, shoferi e mori në krah dhe e vuri në krevatin portativ të ambulancës. Pastaj me shpejtësi vetëtime siç dinte të ngiste makinën vetëm Titi, shkoi në urgjencën e vjetër të qytetit.
Kjo ishte hera e fundit që e pashë Marjetën. Siç duket u mbyll brenda në shtëpi dhe s’doli më kurrë. Pas disa kohësh mora vesh se ishte martuar në Tiranë dhe se ishte bërë grua për shtëpi dhe një nënë e mirë!
Gjithsesi ishte dhe mbeti në kujtesën time dhe historinë e qytetit tonë të vogël si kurtizania e parë…