(Sprovë psikologjike)
Ai u ul në tryezën, që i doli përballë
duke flakur nga gjoksi ca ofshama dhimbje.
S’i hodhi më sytë nga tryeza e bardhë,
ku rrinte me të çdo mbasdite.
Tashmë rreth saj, rrinin të tjerë;
Dy pleq të drobitur lëkurë tharë.
Më kot u mundua, për t’i sjellë në kujtesë,
po si kish ndeshur më parë.
Nuk nxirrnin fjalë, veç mërmërisnin
duke mbajtur me zor filxhanët në duar
sikur ta dinin, se po rrinin
përmbi një dashuri të shuar!
Jehonin zërat rreth e rrotull
veç zërit të saj, me theks nazik.
Ai u ndje befas i braktisur
dhe ndjeu nga vetja pakëz frikë.
Një drithmë gjithë trupin i’a pushtoi;
më tej një dhimbje si kafshim.
Vetëm atëherë ai e kuptoi
se ikja e saj, s’ kish më kthim.
S’kish më dëshirë, aty të rrinte,
as dhe të kthehej në shtëpi!
Përpara tij askundi shtrihej
pas tij një hon, konik, i zi.