Ne gratë Penelopa, Kleopatra, Helena dhe Eva,
kemi llavën, më të nxehtë se vullkani Etna,
jemi flaka misterioze që ndez ndjenjat e çdo burri,
jemi joshëse, dehëse, deri në heqje truri.
Ne gratë Eva, tunduese dhe mëkatare të globit,
jemi dhimbja e Shën Marisë, në pikën e lotit,
drithërima e dashurisë, që thërrmon zemrën e gurit,
jemi helmi i nepërkës mbi buzën e burrit.
Ne gratë Eva, s’e njohim frikën kur burrat dashurojmë,
kur buzën u puthim, deri sa u ndalet fryma,
kur neuronet e trurit, me rigëtima pushtojmë,
kur shpirtin ua shtrydhim, me psherëtima.
Ne gratë Eva, të vrasim me pambuk kur s’të dëshirojmë,
bëhemi shushunja të etura për limfë të ngrohtë.
Ne gratë viktima të meshkujve me muskuj të fortë,
në çengelin e ftohtë të kohës, veten ndëshkojmë!
Ne Evat emblematike kërkojmë dritën e dashurisë,
guaskën e vetmisë thyejmë, si arrë me gjinj,
vjelim gjithë afshet që shtojnë urinë e dëlirësisë,
lutemi për dashurinë, të mos ketë mjegullim.
Ne Evat i buzëqeshim vdekjes, kur sjellim krijesa në tokë,
në Luginën e Vdekjes,rrënjët e jetës forcojmë,
dhimbjet që durojmë ne, asnjë burrë s’mund t’i durojë,
jemi rrap shekullor, me foshnje në gjoks.
Ne gratë, Eva tunduese dhe mëkatare të globit,
jemi një nga fytyrat e dashurisë së Zotit,
muzgu i largët parahistorik, me aureolë dashurie,
gurgullimë e ëmbël, me muzë perëndie.






















