Suplementi Pena Shqiptare/ Mimoza Çobo: Dashuria juaj është ushqimi jetësor që ushqen qenien time

600
Sigal

Shpeshherë nga thellësitë e shpirtit më buron ndjesia e ëmbël të nanuris kohën e bukur të fëmijërisë tuaj,njëlloj si era që nanurit bisqet e njoma të pemëve. Prelud i cicërimave tuaja, më rrëmben me krahë zanash, për të eksploruar grimcat shpirtërore të asaj kohe ,ku ende frymojnë gjurmët e fëmijërisë. Diku, në limanin e fëmijërisë tuaj ,ankoroj anijen e shpirtit në buzët e një potiri ,ku flladiten petalet e trëndafilta të buzëve qumështore. Befas, një dritë e çuditshme shkreptin në retinën e syve e në çast ndiej kuartetin e cicërimave në kraharorin e zanafillës së dashurisë, që mbeti në hemisferat e trurit, vite më parë, kur fluturonit drejt burimit qumështor ,njëlloj si turmat e zogjve që fluturojnë drejt burimeve për të shuar etjen. Teksa më ngroh dielli i artë i fëmijërisë, që shndrit udhët e shtruara me bekime, që vetëm ju dhe unë ua dimë vlerën,më duket ,sikur përreth meje lodrimet tuaja ,zgjojnë nga gjumi livadhishten e mbushur me lule të bardha. Zemra më thotë, se duhet t’iu kujtoj ato kohëra të bukura, kur luanit me kukulla dhe kërcenit aq bukur, duke u hedhur në litar. Ndiej tingujt e ëmbël të zërave ,ndiej fëshfërimën e hapave, që më futen drejt e në zemër dhe anijen e shpirtit e ngarkoj me kujtimet e fëmijërisë tuaj e nisem drejt limanit të vajzërisë ,aty ku çel lulja e diellit ,me petale të arta .Ankoroj anijen e shpirtit, aty ku hidhni hapat sot, në udhët e dritës dhe dijes. Ngazëlloj duke soditur zbardhëllimin e shpirtit vajzëror dhe imazhin paqësor. Dijeni bijat e mia, se dashuria ime për ju, është energji universale me gravitet të fuqishëm, që na mban lidhur përjetësisht, në qiellin shekullor të familjes, ku lindin e shumohen yjet e rinj të fisit.

Dua t’ju them, se bukuria është fuqia e çdo vajze, por mençuria është burimi i të gjitha bukurive që formësojnë imazhin unik femëror. Vajza e mençur di të zotërojë ndjenjat, di të përzgjedh dashurinë e jetës, di të ndërtojë kështjellën familjare, kurse e marra e shemb pa pyetur zemrën. Nëse do ndalja kohën në pafundësi ,nuk do ndryshoja asgjë nga e kaluara nostalgjike, sepse ju kam juve fanar drite, ku ankoroj anijen e shpirtit. Të dashura bijat e mia,kam mësuar shumë gjera të bukura nga ju. Mësova, se të qenit nënë është vetë mrekullia,se kur iu shtrëngoja në gji,më dukej sikur kisha pranë gjithë thesaret e botës dhe yjësitë. Duajeni jetën bijat e mia, përkëdheleni siç përkëdhelet fëmija, që ajo të bëhet diell dhe dritë për ëndrrat dhe dëshirat!

Në këtë botë të trazuar edhe një pemë ka shpresë dhe jo më një njeri. Nëse stuhia njerëzore ia pret shtatin, ajo rilind sërish, duke u lartuar drejt qiellit me degë e gjethe. Bijat e mia,jeta është e bukur, por dhe e vështirë, ndaj hidhni rrënjë në tokë të mirë e të lagësht që shtati të rritet në lartësitë e një panje dhe vështrimi të pushtojë horizontet e bardha të universit. Mbajini pranë vetes njerëzit që ju duan me gjithë zemër dhe largojini ata që ngjizin telashe e të këqija. Tronditem dhe më zënë dridhmat, që nuk munda të bëja më shumë për mirëqenien tuaj, por gjithsesi dua t’iu them, se ju kam ushqyer pafundësisht me dashuri ,buzëqeshje e lumturi. Ndaj dua t’iu jap një këshillë: Nëse një ditë do të arrini kulmin e bollëkut e të mirëqenies, kthejini sytë nga varfëria, në ujërat e së cilës kemi vozitur varkën e familjes, me mundim e sakrifica. Dijeni,për mua, ju jeni pasuria, jeni limfa e jetës që ushqeni qenien time, ndaj me shpirt iu them: Ju dua shumë, pafundësisht!

Mamaja juaj, Mimoza Çobo