Gëzim Zilja: Memorandumi i Kuçit dhe kuçedrat Lumit të Vlorës

62
Sigal

Sot KM-ja kaloi në Kuç, si pa mendje, ku ndaloi nja njëzetë minuta. Mblodhi me porosi shpejt e shpejt nja nëntë qimebardhë, dymbëdhjetë kokërrjepur dhe tetë kapele republike. Dërdëlliti mbarë e prapë për sukseset e jetën e gëzuar që ka prurë Rilindja, u fërkoi bishtin si rracë trimash, u hipën kuajve me katër rrota dhe u larguan. U mërzitën ca kuçjotët se gjithë kohën e kishin mendjen se KM-ja me Tavon, Çuçin e Gjiknurin do shtronin ndonjë drekë badiava, te hanin ndonjë brinjë keci a shterpe, me ndonjë dopjo raki koçimareje. Po nejse. Kështu u ka shkuar gjithë jeta të zinjve…

Tre orë më vonë me fjalimin në qytetin e Vlorës KM-ja dha sihariqin se në Kuç na qenka firmosur Memorandumi nga gjthë banorët Kuçit në favor të Rilindjes. Po Kuçi nuk është në Himalaje që njerëzia të mos informoheshin se ç’qe gjithë ajo shfaqje kllounësh e gënjeshtarësh!?

Por ajo që kërcet fort deri në neveri në këtë mbledhje rrufe, veç gënjeshtrës së memorandumit është mungesa e guximit nga pjesëmarrësit në takim për çështjen e Lumit të Vlorës që po i kalon Himarës. Asnjë nuk pipëtiu, asnjë nuk foli. asnjë nuk pyeti. Buzëqeshnin si kinezë nga fjalët e KM-së që me sjelljet e tij është bërë si Shaban Qosja i Tiranës dikur.

180 vjet më parë në Lumin e Vlorës erdhën taksidarët turq me ushtri jo për të marrë Lumin, por për të mbledhur taksat. Dhe historia gjëmon:

Kallarat Kuç e Bolenë

Të madhe e bënë benë

Të vogjël e të mëdhenjë

Do zenë luftë me mbrenë

*

Nizamë e xhelepe s’ka

Është vendi fukara

Jetojëm me lakëra

Katër shtëpi me një ka.

Lebërit e bënë luftën, shkruan historinë me gërma të arta, mbrojtën vatanin, tokat e tyre, nderin, familjet, duke e derdhur gjakun lumë, kundër ushtrisë së Perandorisë më të madhe të kohës. Prej andej u shpërndanë në gjithë Shqipërinë vargjet e famshme, të pavdekëshme, burim frymëzimi edhe sot

Pse lufton a derzi?

As për mua as për ti,

Po për gjithë Shqipëri.

Sot nuk bëhet fjalë për pushtuesin turk por për qeverinë tradhëtare dhe oligarkët shpirtqenë të Ramës.  Lipset trimëri, guxim për mbrojtjen e burimeve natyrore (Një lumë 84 km, nga burimi i lëpushës (Kuç) deri ku derdhet në Vjosë.) Si ka mundësi që 37 fshatra, 50.000 banorë, 20.000 ha tokë të mbeten pa ujë e kurrkush të mos i thotë një fjalë KM-së? Të paktën dikush të ngrihej e t’i lutej me zë qyqari: Çfarë do bëhet për Shushicën more beu ynë? Vër more aman dorën në zemër…

Sot ishte nj ditë e zezë për Kuçin dhe gjithë fshatrat e Lumit të Vlorës. Thonë që Gjiknuri i paska thënë KM-së kur po hipnin në makina: Po nuk u dhame ndonjë brinjë e ndonjë dopjo atyre, janë mësuar… Përgjigja e KM-së ishte ajo e vjetra: Ç’na çan trapin dhe ti, me gjithë ata…