ZGJOHU RINI!
A s’më thua o njeri
pse Allahun e harrove?
Pse nuk shkove rrugës së Tij
por shejtanin e pasove?
Pse harrove amanetin
në Ezel që ia ke dhënë?
Pse ti ike prej rahmetit
u mashtrove me dynjanë?
Pse s’u ndale me mendue
se n’këtë botë je udhëtar?
A harrove o i mjerë
para Zotit që ke me dale?
Në këtë botë ti veç punove
pa mendue se ke me vdekë.
Fjalët e Zotit i harrove
se n’dhe trupi ka me t’u tret.
Po ti dije ore vëlla
për pendim kurrë nuk është vonë!
Me lot në sy gjithë duke qarë
ktheju Zotit mëshirëplotë.
Fytyrën tënde ti ndriçoje,
me namaz dhe ibadet.
Jetën me Kur’an kaloje
t’jesh i lumtur në Ahiret.
ME MUNDON
Më mundon kjo ndjenjë e pathënë,
fjalët ti m’i ktheve në harrim…
Në qiell është hëna, s’i them dot hënë
s’të flas dot për mjegullën në agim.
Më mundon kjo ndjenjë e pathënë,
në gjoks ti vër çdo fjalë në vend të saj.
Pastaj do të përkund në një djep-këngë
me hënën flokëve si karficë e bardhë.
Dhe nëse rrugët për në zemër dot s’i gjen,
më thuaj të t’i zgjas gishtërinjtë e mi!
Mbi ta mbështete kokën,
dhe për një çast ti pendë do të kthehesh,
brenda meje do të vërtitesh, shpirt!
Më mundon kjo ndjenjë e pathënë,
kur ti je kaq pranë dhe kaq e thjeshtë,
u këput një gjethe nga një pemë,
e verdhë si harresa … ishte vjeshtë.




















