Suplementi Pena Shqiptare/ Agim Bajrami: Dimrat e ftohtë të shpresave të një poeti

384
Sigal

 

(Esse mbi vëllimin poetik “Shpresat kanë ftohtë” të Vaso Papajt )

 

Në një vend me frymëmarrje të shqetësuar dhe mushkëri të copëtuara nga pneumonia, ka njerëz, që ia vënë fajin ajrit që thithin, pa u thelluar aspak për origjinën dhe shkakun e sëmundjes. Natyrisht unë nuk u ve faj këtyre njerëzve dhe aftësive të tyre paranojake të gjykimit, pasi ka kohë që neve na kanë humbur ndjesitë, Duke shkruar këto radhë, nuk di pse krejt natyrshëm më vjen thënja e trishtë e një prej personazheve të “Pavionit të Kancerozëve” të Solzhenicinit në një debat të ashpër me një prej kundërshtarëve të tij të momentit teksa i thotë: Unë vij nga një vend ku nëntëdhjet e nëntë qajnë dhe vetëm njëri qesh. Shumë drithëruese dhe metaforike fjalët e këtij personazhi, që ndonëse tingëllojnë disi paradoksale për kohën tonë, për heronjtë lirikë të Vaso Papajt, që venë e vijnë në vëllimin e tij të fundit poetik ”Shpresat kanë ftohtë”, janë aktuale dhe mbisunduese fatkeqësisht. Piktura e intelektualit postdiktatorial shqiptar, edhe pse ka dalë nga një zhgënjim i tmerrshëm, përsëri vazhdon të jetë e tillë: Njerëz të drobitur, të joshur nga sirenat partiake që abuzojnë me naivitetin e tyre duke lëvizur mes Shilës dhe Karribdës, shikojnë sesi mbytet vetvetja e tyre duke u kapur më kot pas fijeve prej kashte të shpresës së venitur, djelmosha të rritur mes ofshamave të një morali të vrarë nëpër motele anës rrugës dhe më në fund shumë kazanë plehrash. Duket se kjo lëvizje brouniane, në fund të një kazani, ka qenë qëllimi primar për të cilin shkruhet poezia e këtij poeti. Dekomunistizimi i një shoqërie dhe fshirja e çdo lloj alternative për të, vrasja e shpresës dhe ngritja në kult e absurdit, për poetin Vaso Papaj është krimi më i madh që i bëhet shoqërisë shqiptare. Sepse “flamurët janë shitur dhe po shiten vazhdimisht dhe udhetimi i Atdheut rrezikon të mbarojë me kaq”. Heronjtë e lodhur të Vaso Papajt krijohen nga rrëfimet e gjata për dyer shpresash që nuk u hapën kurrë dhe intriga prapaskenash alla shqiptare, që janë ende në kërkim të së nesërmes, kur e mira një ditë do të triunfojë mbi të keqen. Pikëpyetjet e shumta që ngre ky libër, në më të shumtën e rasteve përqëndrohen tek triumfi i shpirtit dhe tek shpalosja e flamurit mbi këmbanoren e munguar. Dita e parë e lirisë është ende larg dhe historia ende përpëlitet nën peshën e rëndë të manipulatorëve të saj.

At Zef-

thotë autori në një nga poezitë e tij kushtuar njërit prej promotorëve të idealizmës shqiptare.

-Më mëso si të rezistojë, si të bëhem mal,

Dhe vetëm një flamuri, njërit, At Zef,

Atij tëndit, valëvitjen mos t’ia ndal…

At Zefi është vetëm një prej shumë simbolikave ku poezia e këtij poeti mundohet të rigjej shpresën që ia kanë vjedhur. Është dritarja të cilën poeti i prangosur e hap herë pas here për të dëshifruar gjuhën e dritës dhe për të krijuar një urë komunikimi me perënditë e harruara dhe të përgjumura në qiejt shqiptarë e më gjërë. Musine Kokalari, Petro Marko, At Zef Pëllumbi, Edison Gjergo, Adelina Myrto, Arkimedi, Ana Franku, etj, etj janë në fakt një konstelacion yjesh, të cilët ndonëse nuk jetojnë më, vazhdojnë të hedhin dritë dhe t’u japin jetë ëndrrave të plagosura të poetit.

Duke marrë prej çdo njerit prej tyre atë idealizëm dhe përkushtim që ata i ka karakterizuar gjatë tërë jetës, për fatet e kombit dhe Atdheut, autori sikur do të plotësojë atë dimension të munguar që është krijuar në shoqërinë tonë, sikur kërkon t’u japë më shumë dritë e shpresë rrugicave tona gjysëm të errësuara nga idhujt e rremë të politikës postdiktatoriale. Që nga “Një dimër mes dimrash” e gjer tek një pranverë virtuale (ngelur në klasë), pa gjethe, është një segment kohor gjatë të cilit lind dhe zhvillohet prirja ekzistencialiste e shpresës së poetit, ndaj që në fillim ai na e pohon me plot gojën se shpresat e tij kanë ftohtë, shumë ftohtë. Është theksuar edhe më parë se ajo që vihet re në blloqet poetike të këtij poeti, është dhe mbetet prirja e kërkimit të lirisë së mohuar, sepse Vaso Papaj, gjithçka të tijën, si konceptin e lirisë, ashtu edhe atë të ekzistencës individuale, e ka të lidhur pashmangshmërisht me moralin e vërtetë, me atë moral, të cilin nuk e ndërron me asgjë tjetër në jetën e tij. Kështu, përshpirtjet mbi varrin e Petro Markos nuk janë thjeshtë përshpirtje, por një lloj rezymeje për gjendjen aktuale në të cilën ndodhet sot ekzistenca e njeriut shqiptar, të vrarë , të terrorizuar, të zhgënjyer dhe të futur në një rrugë qorre, pikërisht nga ata të cilët ai vet i solli në pushtet. Kjo është një nga arsyet që leximi i këtyre poezive shoqërohet natyrshëm me një lloj psherëtime instiktive, sepse: Njeriu i këtij vendi është ende në dilemën e madhe Hamletjane: Të rrosh a të mos rrosh! Kjo është çeshtja… Duke e veshur veten me kostumin e një idealisti europian, ajo tenton të emetojë deri larg ide dhe mesazhe bashkëkohësie, të pohojë të vërteta të trishta, por dhe të reflektojë ndaj gabimeve dhe fajeve të një shoqërie të tërë. Është ky shkak që, duke lexuar vargjet e këtij poeti, të ndjesh nevojën të kontrollosh vetveten dhe qenësinë tënde. Ndonëse poeti shpesh përmbahet, të vërtetat që dalin nga pena e tij janë të trishta dhe torturuese.

E humbëm Atdhenë.

Na e morën derbederët dhe e lozën në kumar.

Na bënë të qajmë, me njerëzit më të shtrenjtë, të ndarë.

Vallë, do të thithim pak nga ajri i tij, qoftë edhe një ditë?

A do t’ia puthim një grusht dhè, kur do na lënë fuqitë?

E humbëm Atdhenë, e humbëm…

Po s’ishim ne,… janë ata pa shpirt…

Ashtu siç ndodh në një tokë që pret të përmbytet nga vërshimi i lumenjve, materja poetike e këtij vëllimi, që në leximin e parë të befason me dridhjet dhe zërat e saj të befta, që nisin dhe forcohen me kalimin e kohës. Janë zëra dëshpërimi, por edhe sinjale për ndihmë dhe ndryshim.

Padyshim që në këto vargje autori ka futur shumçka nga përvojat e tij individuale, por, ma do mendja, se nuk është vetëm kjo. Kuptimi më i gjërë i materjes poetike të Vaso Papajt, është vërtitja rreth fatit dhe së ardhmes së një vendi të zhgënjyer dhe të diskretituar keqas prej atyre që ai u ka besuar fatet e jetës. Faraonë dhe firaunë do të ishte mesazhi i nënkuptuar i alegorisë së tij të here pas herëshme. Ku jemi? Nga erdhëm dhe ku po shkojmë? Është ky mesazhi që buron prej poezive të tij. Është kjo dilemë, që Vaso Papaj, ndonëse tenton t’i japë një përgjigje me aq sa mundet, përsëri qëndron e pezulltë dhe të gërrvisht në shpirt sa herë që e lexon.Poezia e tij më e mirë është në vetvete një reagim ndaj së keqes, por më shumë mbetet prirje për t’u identifikuar larg saj. Njeriu dhe pushteti, egërsia dhe dashuria, betonizimi i egër dhe ëndrra pa gjelbërim, i japin poezisë së këtij poeti një konfiguracion të veçantë, brenda të cilit kërkohen alternativa dhe zgjidhje të shpejta. Ndaj, tentativat e tij të herë pas herëshme për t’u bërë pjesë e së bukurës dhe e së mirës, ai fut shpesh elementë të natyrës së shëndoshë të vendlindjes së tij Tiranës, bregdetit Jon dhe Durrësit, nostalgji dhe pejsazhe dashurore. Figura e femrës dhe e mashkullit të dashuruar, figura e zogut dhe e detit, gjethet dhe drurët, janë si copëza elementësh që arrijnë të zbusin paksa prej shpirtit të poetit pelinin dhe vrerin që janë mësuar të marrin për ditë bashkëkombasit tanë. Vaso është një poet që e ka në shpirt asonancën dhe muzikalitetin e vargut.Ajo sikur i buron vetvetiu atij prej shpirtit dhe formon një unitet të tërë me idetë e tij njerëzore. Figurat poetike që duket se krijohen nga lëvizjet instiktive të penelit të tij shpirtëror, janë të afta të shprehin dhe të identifikojnë mendimin e tij poetik. Ato janë sa të prekshme aq edhe konkrete, por mbi të gjitha karakterizohen nga një tejdukshmëri jetësore. Vaso Papaj është dhe mbetet rob i momentit poetik, rob i lëvizjes dhe i shpërthimeve spontane. Zogjtë e frymëzimeve të tij më shumë janë zogj që pohojnë qiejt kur fluturojnë dhe qëndrojnë varur mbi sytë e krijuesit se sa retë që i turbullojnë ata. Pavarësisht se janë krijime momentesh të ndjerë, zhgënjimesh dhe fyerjesh shpirtërore, ato nuk i durojnë ofshamat dhe melankolitë e tepruara. Të paisur me receptorë të theksuar ndjesorë, por edhe me një prirje meditative, ata shpesh karakterizohen edhe nga një thellësi filozofike e dukshme. Këto e bëjnë leximin e poezive të tij të këndshëm por dhe emocionues njëkohësisht.

O zotër dhëmbësh të krimbur, të thyer

Në kafshime gjer n’asht të popullit tim.

Dhe pse me maska zmalti bukur mbërthyer,

Duhmë kërme kundërmoni, kufomë në kalbëzim.

Ngjani me drurë pa gjethe, me pyje pa shpendë.

Binjakë me qiej dimri, këpucë bosh, pa këmbë.

Me dhëmbët e mia do të vdes, po ju them.

Në jetë s’kam kafshuar askënd, se më dhëmb

Edhe me kaq sa pohuam, çdokush që e lexon këtë libër, vë re se “Shpresat kanë ftohtë” është barometri shpirtërorë i një njeriu me ndjeshmëri dhe me kërkesa për një realitet të ri shqiptar, pa qiej të grisur, pa qytete të thinjur, pa labirinthe rrugicash të qorruara, pa fëmijë që mbushin kova me krom, që duan libra e s’i blejnë dot, pa gjethe të shpërndara nëpër botë, por me puhiza ere dhe aroma jargavanësh. Në kërkim të tyre, poeti është vënë prej kohësh në udhëtim. Kjo e bën këtë një libër në lëvizje.