Hyri me një pamje shumë krenare, të gëzuar, sikur t’i kishte ndodhur diçka shumë e bukur, që ëndërronte prej kohësh. Më pa me ato sytë e mëdhenj jeshile, e gatshme për të më treguar diçka për të cilën sigurisht unë do ta lavdëroja. Mbante disa lule në dorë për të m’i dhuruar (e dinte që i pëlqeja). Ishte rreth dhjete vjeç, e hollë, tepër e hollë, me këmbë të gjata po ashtu shumë të holla (unë e përkëdhelja me nofkën “balerina e klasës”.) Kishte disa muaj që mësonte piano në klasën time dhe u thoshte të gjithëve “unë do të bëhem artiste”. M’i drejtoi lulet me një elegancë të natyrshme. Më pëlqente.
– Hë, …pa më thuaj si është puna…se edhe u vonove paksa për mësim….
– E shqepa në dru atë kushëririn tim, u kënaqa.
– Si? …Cfarë? E shqepe në dru? – zgurdullova sytë.
– Po zysh e shqepa…eh, kisha mësim, pa do ta ngordhja fare.
– Ouu…po pse? – kishte aq entusiazëm kur tregonte.
– Si pse , zysh, … më mori biçikletën dhe filloi të vinte rrotull sheshit. Pse zysh, për atë ma bleu mua babi? Ma kërkoi, unë i thashë jo, dhe ai sa shkova të marr librat e pianos ma mori…e di sa u nxeha…Gjatë kësaj kohe unë po i vendosja lulet në një vazo që e mbaja gjithmonë në klasë.
– Më duket se ke bërë gabim. Si mund të rrahësh dikë dhe të krenohesh? Ah, moj çupë, po ti do të bëhesh edhe artiste, vajzë e kulturuar, dhe njerezit e kulturuar nuk bëjnë kështu, – fillova unë me normat e mia të edukimit.
– Po ai pse ma mori pa leje?
– Gaboi edhe ai, por gabimi tënd është më i madh…Si moj e rrahe dhe je kaq e lumtur? Nuk e prisja prej teje këtë gjë, jo-jo. Mund t’i thoshe mamit ta zgjidhte këtë punë.
– Mamit???..Ajo do ta kishte bërë pelte fare, apo që e ka edhe inat mamin e tij. Mua mami edhe babi më kanë thënë zyshe, se po të ra njeri në qafë shqepi në dru…dhe ai me ra në qafë zyshe, se më mori biçikletën. Po t’i thosha mamit, edhe ai do i thoshte mamit të tij dhe do ziheshin dy mamatë për flokësh pastaj. Jo-jo, e zgjidha vetë. Mbeta pa fjalë.
– Po mirë, edhe ti mund t’ia kishe dhënë biçikletën të bënte një xhiro, prapë do të ta kthente. E ke dhe kushëri!
– Po ai pse nuk ma dha topin kur ia kërkova para ca ditësh? Edhe une ia mora. Nga inati ia mora. Vrapoi pas meje, po nuk më kapi dot, është më i vogel se unë. Këtu i mbeti fjala. Po kuptonte se unë nuk isha dakort me të dhe heshti, uli sytë,u kujtua të lidhi flokët që i ishin shkapërdarë mbi fytyre dhe u ul në piano. Fërkonte duart dhe nuk po guxonte t’i vinte mbi tastjerë…I shikonte dhe i fërkonte me një inat të përmbajtur, ndoshta po reflektonte. Po ato duar që pak më parë kishin rrahur dikë, tani duhet të luanin minuetin e Mozartit, të cilën e pëlqente aq shumë. Më erdhi mirë të mendoj se diçka i ka tronditur shpirtin. Ndoshta muzika zbut agresivitetin e saj. – (Ah, vogëlushja ime, balerina e klasës. Do munden fjalët e mija, apo tingujt e Mozarti dhe Shopenin të zbutin shpirtin tënd?) Shëmbujt në jetë i ke aq larg fjalëve të mia dhe muzikës.
M’u kujtua i ati, ca kohë më parë. Isha prezent kur rrihte të birin. U befasova, m’u zunë fjalët në grykë. E kishte zënë për jake, e ngrinte përpjetë (nuk ishte më shumë se pesë vjeç) dhe ia fuste me shpulla ku të mundte. Desha të ndërhyja, por u trëmba nga fytyra e tij e transformuar, sikur kishte ndër duar armikun e jetës dhe jo djalin e tij. I shkreti vogëlush që ulërinte dhe i ati që i thoshte se po të mos pushonte do ta rrihte më keq. I erdhi në ndihmë gjyshja, që ia mori djalin nga duart këtij “babai edukator”. Pas ca ditësh e solli momenti që ta takoj në oborrin e shtëpisë së tyre, ku kisha shkuar për të marrë një lule që ma kishte premtuar nxënsja ime për ta mbjelle (ishte një mënyrë për të folur me prindërit e saj) dhe m’u desh të ulem me ta.
– Po si more, po e rrihje djalin, më befasove – guxova t’i them – po nuk edukohet me dru fëmija pesë vjeç. Vetëm dëm i bën, e egërson edhe më shume. Ku di ai se për çfarë e rrihje ti, kështu mendon se edukohet fëmija? – vazhdoja unë – më i keq do të bëhet, nga të rrahurat do t’i argaset lëkura, nuk do i bëjë më përshtypje, do bëjë gabime dhe do thote ” ja do ha ca shpulla. Punë e madhe”. Jo-jo…e ke gabim, …e ke gabim … do e çosh në rrugë të keqe djalin, ashtu do rrahë edhe ai, do jetë normale për të , do rrahë dhe do ta rrahin – dhe tundja lulen me gjithë rrënjë sikur kërkoja mbrojtje nga bukuria e saj.
– Pse zyshe, i keq jam unë që më rrihte im atë tre herë në ditë? (Çfarë t’i thosha që je i mirë, apo që je i keq?) – Fëmijët duan dru dhe pikë – vazhdonte me një ndjenjë supermacie mbi mua, që nuk kuptoja gjënë më elementare në botë. Këtu ngeca, nuk dija se çfarë të thosha. Llogjika ime ishte kot fare për të dhe e mbylla muhabetin me shprehjen më pa kuptim, që mund të bëhet.
– Epo, …kanë ndryshuar kohët…kanë ndryshuar.
Ksamil – Shkurt 2018






















