Suplement Pena shqiptare/ A mendoni se abuzohet me femrën?

531
Abdyl Bakiu 
Përsiatje
Është abuzuar, vazhdon të abuzohet e do të abuzohet. Është e pashmangshme. Pas qëllimit për të fituar para vjen qëllimi për të kapur pushtet. Përdorën të gjitha format. Dhe pushteti t’i jep të gjitha: përfitime, privilegje e para, lavdi e respekt, akses social e mediatik, sepse pushtet do të thotë të jesh faktor në një fushë, të peshon fjala e firma. Për atë që ka në dorë gjithmonë dikush ka nevojë, mashkull apo femër qofte, por po ndalemi tek objekti ynë, tek femrat. Si rregull askush nuk e kupton pushtetin pa lodra me femrat. Dhe këtu dukuria me e madhe shfaqet nga vetë femrat: ato afrohen duke dhënë shenja të qarta joshjeje për mbajtësin e pushtetit. Më keq akoma të paaftat që për arsye reale u rrezikohet vendi i punës. Ato kthehen në marioneta e pre e lehtë, sepse s’kanë asgjë për të dhënë për këmbim, rroga u duhet për të jetuar. Ndërsa komplikohet çështja kur në kokë i bie njeriut me pushtet për femrën e bukur e më dinjitet që sheh punën e saj. Çfarë s’bën për ta shtënë në dorë, dhurata, shpërblime, leje jashtë radhe, rrugë jashtë shtetit. I krijon një shportë me privilegje që ajo ta ndjenje veten mirë në raport me veten dhe të tjerët. Pikërisht kur sheh frytet e veprës se vet atëherë ai sulmon. Dhe femra mendon: t’i humbas këto që kam fituar apo të mbyll të dy sytë. Zakonisht fiton e dyta. Por kur dinjiteti i saj është në gen nuk nënshtrohet. Dhe atëherë për të fillon odiseja e të zezave, çdo veprim i saj shihet me lupë, gabimet zmadhohen, ulet në detyrë, paralajmërohet për shkarkim nga detyra, i jepen ngarkesa të vështira me synimin për ta goditur për mosrealizimin e tyre etj. Kemi parë pak, si dëshmitarë okularë, e kemi dëgjuar shumë por hollësitë nuk i dimë, por i marrim lehtësisht me mend. Ndonjë femër guximtare i nxjerr në dritë, i shpalos e demaskon, por përsëri ajo do të jetë në fokusin e një tjetër pushtetmbajtësi. Çfarë thamë më lart tregojnë që ato janë nën presionin e abuzimit seksual.
Tashmë kemi një numër në rritje të femrave me pushtet. Ndoshta është herët por jo e pangjarë. Kësaj radhe abuzuesi do te jetë femra me pushtet ndaj një djali të ri, të bukur. Do përsëriten të njëjtat dukuri por me sensin invers.
Seksi është një veprim që finalizon një ndjenjë, një afeksion, një përjetim shpirtëror pozitiv dhe në këto raste ai rrjedh natyrshëm. Por kur bëhet i imponuar kemi përdhunim, jo atë klasikun ku të godet ashpër kodi penal, po atë tjetrin, atë të poshtrin, ku ndjenja e dëshira janë larg nga imponimi që paraqitet.
Janar 2017
Sigal