Suolementi Pena Shqiptare/ Sokrat Ndreçka: Qeni dhe profesori

547
Sigal

Të githë e thërrasin profesor, jo në emër. Ndoshta ngaqë profesori në karierën e tij ka qenë autoritar, njeri me personalitet, profesionist  i zoti, një europian i etur për kulturë perëndimore. Mund të kishte edhe ndonjë arsye tjetër që unë nuk e di. Në emër e kanë thirrur ndonjë kuadër i lartë, bashkëpunëtor, akademik i nivelit të tij intelektual, ose të tjerë me standarde të larta pune, profesioni, të cilët kanë patur lidhje të ngushta shoqërore, miqësore. Unë nuk mund të  prishja këtë marrëdhënie për të ruajtur performancën e merituar prej vitesh. E takova rastësisht në lulishten e qytetit duke shëtitur qenin e shtëpisë. Ishte një ditë e bukur, ku rrezet e diellit digjnin si saç. Qeni livadhiste nëpër lulishten me hije të zezë, që ta bënte për zili. -Kam dëgjuar njerëz që të përgojojnë. E shohin si të rëndë faktin që një profesor me emër, shëtit qenin, sikur të mos ketë ç`të merret tjetër. Juve u ka rënë në vesh një fakt i tillë?, -shpreha sinqerisht perceptimin tim.  Profesori ktheu kokën nga unë si për të më thënë: pse merresh me njerëz që ruajnë akoma një mentalitet dalë boje. -Ç`të keqe ka se një profesor shëtit qenin e shtëpisë. A lëvizin njerëzit ku të duan e si të duan? E duan njerëzit demokracinë? Edhe kafshët janë krijesa që duhen ruajtur, kujdesuar, mbrojtur nga komuniteti njerëzor që e sheh botën të mbyllur, si në sistemin që lamë pas,-m`u kthye me një farë nervozizmi, që  reflektohej në fytyrën e tij. -Tjetër komuniteti i këtyre krijesave, tjetër jeta e njerëzve. Midis tyre ka dallime që janë të dukshme, -shpreha një rezervë, si gur të rëndë për t`u mbrojtur. Profesori buzëqeshi, por nuk shprehu kundërshti. -Në demokraci, liria e fjalës, liria e shprehjes, liria për të mbrojtur  çdo të drejtë kushtetuese, është themeli i këtij sistemi që duam të ndërtojmë, – nënvizoi fort profesori. Biseda u bë serioze. Më shumë se ç`e prisja. Nuk e kisha menduar kështu. Asnjëherë nuk kam dashur të analizoj dukuri të tilla, aq më shumë me profesorin, për të cilin kam ruajtur respekt për kulturën dhe shprehjet e tij të goditura në shenjë.  -Një ditë qeni nuk po hante vaktin e drekës. U merakosëm shumë, unë, gruaja, djali. Menduam të thërrisnim veterinerin, por ndryshuam mendim. Qeni nuk hante sepse e kishim dhunuar pa dashje.Nuk i kishim hequr qaforen. Kjo e penalizonte atë dhe e kishte zemëruar. Mbasi koregjuam gabimin, qeni u ushqye dhe qëndronte fare i qetë, -shpjegoi një episod, eksperiencë e pa provuar asnjëherë më parë. -Vlerën e demokracisë nuk e njohim dhe aq mirë. Shoqëria jonë është akoma primitive në gjykim, në argument, në integrim. Shumë njerëz janë nostalgjik për atë që duam t`a zhdukim sa më shpejtë të jetë e mundur. Shoqëria nuk është emancipuar në standardet që kërkohen, -kërkova t`a qetësojë profesorin. Shoqëronte qenin me sy kur vraponte nëpër lulishte. Merrte relaks të veçantë sa herë që kafsha afrohej tek këmbët dhe zgjaste kokën sikur donte t`a falenderonte për kujdesin e treguar, për mbështetjen e dhënë nga njeriu që e thërrasin të gjithë profesor. Ai nuk rri dot pa e thënë një shprehje që e ruan si pasuri të çmuar. Një kafshë po të mundte të fliste do thoshte: “Njerëzimi është një paragjykim nga i cili të paktën, ne kafshët e tjera nuk do vuanim”.  Mesazhi i dhënë nga profesori është i kuptueshëm. Të tjerët kanë argumentat e tyre dhe janë të lirë të shprehen si ua do zemra. Kjo është demokracia, kjo është zgjedhja që kemi bërë.  Jetojmë në një shoqëri ku lufta e të kundërtave e bën demokarcinë funksionale, dinamike, e pastron nga plehrat, që duan t`a ndotin.