Xhelal Mziu: Kryeministri i Rilindjes në 7 vite të qeverisjes ka sfiduar Enverin dhe Putin, për të vjedhur pushtet

295
Sigal

 

Xhelal Mziu, ish- kryebashkiaku i Kamzës

Edi Rama në 7 vite ka sfiduar Hoxhën dhe Putin, për të vjedhur pushtet. Kush mendonte se nuk bëheshin ndryshimet  kushtetuese  ishte dhe është jokoherent, duke parë në retrospektivë 7 -vjeçare. Topi kësaj here ngeli tek Yuri Kim.  Shprehja Edviniane  “s’keni parë gjë akoma”, sot është më koherente se kurrë. Shkeljen e Kushtetutës e rregullave  të demokracisë, shkelja e ligjit dhe implementimi i pabarazisë, krimit, drogës dhe korrupsionit kanë njohur një kurbë në rritje progresive duke përfituar artificialisht pushtet ilegjitim, duke e kthyer në një diktaturë  Hoxhiste e sofistikuar me manovra Putiniste në raport me votuesin dhe Kushtetutën.

E filloi me blerjen e votave legalisht në 2013 në Korçë, e implementoi  skemën e plotë të blerjes në 2016 në Bashkinë e Dibrës dhe e kulmoi blerjen e votës në zgjedhjet e 2017, në mbarë Shqipërinë,  dhjetra mandate i kushtuan opozitës shqiptare!

E bëri reformën territoriale, bëri një ndarje të njëanshme dhe tërësisht politike, për pasojë, ju tkurren ndjeshëm votat dhe mandatet e këshilltarëve e Kryetarëve të Bashkive në rang vendi, opozitës shqiptare!

E filloi dhe po e mbaron reformën në drejtësi 100% të njëanshme duke e lënë vendin pa Gjykatë Kushtetuse, pa Gjykatë të Lartë, duke hequr profesionistët  e duke kapur pikat kyçe me militantë “rilindas”,  efektet e saj negative po e japin impaktin negativ në pabarazinë e votës së opozitës!

Bëri show në eliminimin e drogës në fshatin Lazarat në 2014, dhe në vitin 2016 e në vazhdim nuk ngeli parcelë në Shqipëri pa u mbjellë me drogë me bekimin e qeverisë, blerja e votave me lekët e drogës i ka rritur ndjeshëm votat e mandatet e “rilindjes”!

E varfëroi ndjeshëm nivelin jetik të familjes dhe imponoi mbi 500 mijë shqiptarë të emigrojnë, një  strategji  sllaviste për zbrazjen e vendit, ku mbi  80% e tyre janë votues të opozitës!

Rritja e borxhit publik me mbi 80% në këto 6 vite, në mënyrë tinzare, pa miratimin e institucioneve ndërkombëtare si FMN, BB, etj, është një instrument që  shton fiktivisht  votat në favor  të “rilindjes”!

Shkeli Kushtetutën duke mos zbatuar ligjin, madje duke i blerë si “dele” deputetët  “opozitarë” dhe sot kemi një parlament gjysmak, të njëanshëm dhe monopartiak, duke u bërë pjesë e shkeljes në mënyrë permanente e ligjeve dhe e Kushtetutës së vendit!

Organizoi “zgjedhje” një partiake, pa konkurencë, pa alternativë, duke thyer një rekord botëror dhe për pasojë,  sot kemi një pushtet vendor 100% socialist  Kryetar Bashkie, Këshilla Bashkiakë, kryepleq  e administratë lokale, pra një pushtet  ilegjitim që qeveris  të gjithë Shqipërinë, pa asnjë opozitar!

Keqpërdori faktorin ndërkombëtar me demagogjinë e tij për reformën në drejtësi, etj duke i bërë palë jo pak herë, ku një pjesë prej tyre në shkelje të ligjit e Kushtetutës së vendit tonë,  por dhe atyre europiane, kërcënuan opozitën si organizatë terroriste, si përfundim,  kemi një qeveri, një parlament dhe një pushtet vendor monist ose një partiak, efekti është mbipushtet  “rilindja”  e tkurrje artificiale të së djathtës!

Shpiku ose kopjoi Erdoganizmin me PPP-të e famshme të korrupsionit, krijimit të oligarkëve dhe imponimit të votave nëpërmjet tyre, duke qenë një barrikadë jo e vogël për opozitën shqiptare në zgjedhje!

Pavarësisht argumenteve sa më sipër, bazuar dhe në sondazhet e bëra nga të gjitha palët, opozitën e bashkuar e nxjerrin fituese, ndaj nën këshillat putiniste, ndërhyri sot në tjetërsimin e kushtetutës në mënyrë të njëanshme për të zvogëluar mundësinë e fitores së opozitës së bashkuar, duke zhbërë koalicionet parazgjedhore opozitare, pavarësisht ligjeve, kushtetutës, opozitës,  rregullave të lojës, etj!

Duke marrë në konsideratë  thënien e tij  “s’keni parë gjë akoma”, kulmin tenton që ta arrijë  në zgjedhjet  parlamentare të 2021,  për t’i vjedhur votat, nëpërmjet ligjit apo anti ligjit, drogës apo korrupsionit, ky nuk ndalet, nuk njeh  ligj e kufij,  zgjidhja është ndalimi i tij me qytetarët e për qytetarët.

Topi sot është në dorën e Yuri Kim, madje BE dhe USA, në të kundërt opozita dhe populli,  sot o kurrë,  duhet të reagojnë për të respektuar ligjin, kushtetutën, marrëveshjen dy palëshe, partneritetin ndërkombëtar, sovranin, zhvillimin dhe integrimin e Shqipërisë dhe për të mos e ndrydhur shpresën e shqiptarëve dhe integrimin Europian të Shqipërisë!

Vendi po rënkon, nëse faktori ndërkombëtar nuk bëhet arbitër i paanshëm, sheshi është shpëtimi i vetëm i Shqipërisë e shqiptarëve.

Lulzim Basha, bashkë me qytetarët duhet dhe do ta mundë  këtë të keqe të madhe të vendit tonë!