Prof. Dr. Et’hem Ruka: Përmeti: “ Magjia” që gatoi dhe vazhdon të gatuajë shpirtra shqiptarësh të mëdhenj  

412
Sigal

Është privilegj për mua që m’u besua të shkruaj një parathënie të shkurtër për botimin “Panteoni i mirënjohjes përmetare” të autorit Shefqet Saliu.

Ky botim është njëlloj enciklopedie, që sjell me shumë dashuri e në mënyrë të përmbledhur figurat e shquara përmetare, figura që kapërcejnë kufijtë e një treve për t’u bërë pronë e ndërgjegjes intelektuale kombëtare, një pasuri që rrezaton dritë si brenda, ashtu edhe përtej kufijve të Shqipërisë.

Kjo pasuri shekullore vazhdon të pasurohet përditë. Rrënjët e saj të thella ushqejnë një traditë befasuese, atë traditë që e bën Përmetin dhe përmetarët krejt të veçantë, një lloj “soji” që është respektuar e respektohet kudo e kurdoherë.

Përmeti është një “magje” që ka gatuar pa pushim figura të shquara. Kjo “magje” që shtrihet përtej e këtej Vjosës, gatoi dje dhe vazhdon të gatuajë edhe sot shpirtra të mëdhenj si një vazhdimësi e pandërprerë e ADN-së përmetare.

Kur përmendet Përmeti e përmetarët, mendja të shkon te “Fjalët e qiririt” të Naim Frashërit, te bujaria, mirësia, butësia, kultura e mençuria, që burojnë si lumë nga shpirti përmetar, të shkon te tingujt magjikë të klarinetës së Laver Bariut e violinës së virtuozit Ethem Qerimaj, te zëri unikal i Mentor Xhemalit, te simbolika e qytetit të trëndafilave shumëngjyrësh, te guri i qytetit që sipas legjendës ishte froni i kryezotit të krahinës, Premtit.

Deistra, mbesa e Premtit dhe bija e Gjergjit, sipas legjendës, për të mos rënë në duart e pushtuesve osmanë, ndërmerr aktin më sublim, duke u hedhur nga guri bashkë me foshnjën e vet. Ky akt e bën edhe më sublim qëndresën dhe identitetin përmetar, identitet, të cilin nuk mundën ta tjetërsojnë as shpatat, as topat, as ofiqet e larta të Perandorisë Osmane dhe as dinakëritë e kohëve moderne.

Autori Shefqet Saliu ka marrë përsipër një barrë të rëndë, por të suksesshme, për të sjellë në një botim të vetëm figurat më të shquara të Përmetit, figura që bënë epokë jo vetëm si veprimtarë të shquar të çështjes kombëtare, por edhe si strategë ushtarakë, diplomatë, akademikë, historianë, publicistë, shkrimtarë, albanologë, gjuhëtarë, poetë, aktorë teatri e kinematografie, skulptorë, regjisorë, kompozitorë, instrumentistë virtuozë, këngëtarë operistikë, piktorë, shkencëtarë, ekonomistë, mjekë e klerikë të shquar.

Të shkruash një parathënie për një botim të tillë si “Panteoni i mirënjohjes përmetare” është një ndërmarrje e vështirë. Të shkruash për Përmetin e dhe bijtë e bijat e tij e ndien veten tepër të vogël për të thënë gjëra të mëdha. Janë bërë kaq shumë vlerësime për figurat e shquara përmetare sa që është e vështirë të gjesh një epitet të goditur që mos të jetë thënë e shkruar. Unë thjesht bashkohem me opinionin e gjithkujt në Shqipëri se të thuash “Përmet e përmetar”, qoftë ai i shquar apo anonim, është një status i veçantë.

Sa herë dëgjoj fjalën “Përmet dhe përmetar”, gjëja e parë që më vjen në shpirt është dera e madhe e frashëllinjve, ajo derë që lindi mendjet e ndritura të Rilindjes Kombëtare, si Naimin, Abdylin e Sami Frashërin, të cilët zgjuan ndërgjegjen kombëtare të përgjumur gjatë pesë shekujve të pushtimit osman.

Frashëri i frashëllinjve të Dangëllisa për gati dy shekuj vazhdoi t’i jepte Përmetit dhe Shqipërisë figura të tjera të shquara në fushën e artit, historisë, shkencës e politikës, si veprimtarët e shquar e nacionalistë Mehdi e Mid’hat Frashërin, mikrobiologun e shquar Rifat Frashërin, publicistin e shkrimtarin Andon S. Frashërin, akademikun erudit Kristo Frashërin, aktorin e papërsëritshëm të Tetarit Kombëtar dhe kinematografisë Naim Frashërin, profesorin e shquar të kimisë teknologjike Muharrem Frashërin, akademikun matematikan e informaticien të ditëve tona prof. dr. Neki Frashërin dhe gjeofizikantin Alfred Frashëri.

Në këtë botim unikal për Përmetin e përmetarët janë trajtuar 100 personalitete që jetuan e punuan në kohëra e rrethana të ndryshme. Ma merr mendja se autori e ka pasur shumë të lehtë të fillojë botimin e vet me Naim Frashërin, por shumë të vështirë për ta përfunduar me aktorin e regjisorin e shquar Alfred Buolotin. Çdo autor duhet të dijë t’i japë fund veprës së vet. Shefqet Saliu me siguri ka ndierë dhimbje kur ka arritur te numri 100, i bindur që Përmeti ka lindur e rritur edhe shumë personalitete të tjera, por që nuk mundi t’i bëjë pjesë të këtij botimi.

Në botime të tilla, me sa kuptoj unë, edhe renditja e personaliteteve është e vështirë. Ma merr mendja se autori Shefqet Saliu e ka pasur jo të lehtë të gjejë një kronologji për renditjen e figurave të sjella në këtë botim. Pa dyshim, vendin e parë ua ka rezervuar korifenjve të Rilindjes Kombëtare: vëllezërve Frashëri. Më tej renditja i është besuar kohës, që solli njëri pas tjetrit figurat e shquara përmetare.

Botimi “Panteoni i mirënjohjes përmetare” i autorit Shefqet Saliu është vërtet një panteon i merituar mirënjohjeje për bijtë dhe bijat e shquara të Përmetit, është një ndjesi e fortë krenarie, është një dëshmi e përmbledhur që tregon vazhdimësinë brez pas brezi të shpirtit përmetar, të atdhedashurisë, të kulturës e dijes përmetare.

Në këto kohë të vështira, kur bota po globalizohet me shpejtësi dhe kulturat e vogla kanibalizohen çdo ditë nga agresioni i më të mëdhenjve, kemi nevojë të kthehemi te vetvetja për të ruajtur me xhelozi gjuhën tonë të shenjtë, trashëgiminë tonë kulturore e shpirtërore, e mbi të gjitha, veprën e të parëve tanë që në emër të kombit dhanë gjithçka pa kursim.

Kjo stafetë ka vazhduar e do të vazhdojë të kalojë nga një brez në tjetrin, jo vetëm në botën mashkullore, por edhe atë femërore, siç ka kaluar me dinjitet nga Elena Gjika (Dora D’Istria) me rrënjë të thella nga Gjikajt e Përmetit e deri te shkrimtarja e talentuar e ditëve tona Diana Çuli. E gjithë kjo filozofi nuk është vetëm histori, por mision, mision që vazhdon e do të vazhdojë.

U ndjeva shumë i nderuar të shkruaja këto pak rreshta, por i bindur se as unë dhe askush tjetër nuk mund të jetë në nivelin e duhur të shkruajë e të thotë realisht atë që duhet thënë për Përmetin e përmetarët, për këtë gurrë që ka prodhuar histori dhe vlera të pallogaritshme jo vetëm për një trevë, por për gjithë kombin.

Botimi “Panteoni i mirënjohjes përmetare” do të jetë një pasuri me shumë vlerë jo vetëm në bibliotekën e çdo përmetari, por të çdo shqiptari.

Në këtë botë asgjë nuk është e përsosur, por me bindje mund të dëshmoj se e kam rilexuar disa herë këtë botim, ndaj ndihem i obliguar të falënderoj autorin Shefqet Saliu për këtë prurje të mrekullueshme, për këtë dhuratë që ngjan si një buqetë e bukur me 100 lule të ndryshme përmetare, buqetë që ka shkëlqyer dje, vazhdon të shkëlqejë sot dhe që nuk do të vyshket kurrë.