Dritëro Agolli (Bamkë Çomaga): “ Vepra ime duhet ndrequr “

129
Sigal

Bamkë Çomaga është pseudonimi letrar i Dritëroit, të cilin ai e përdorte kryesisht për shkrimet humoristike, fejtonet, letërkëmbimin plot humor e nota satirike, me mikun e tij të humorit,Gaqo Veshin, pseudonimi letrar i të cilit ishte Hyskë Borobojka.

Letrat mes tyre kanë nisur botimin që në vitet ‘68, botuar në “Drita” e “ Hosteni” për të vijuar deri në fund të viteve ‘80 …

Ja njëra prej tyre, e vitit 1968, botuar në gazetën Drita, organ i Lidhjes së Shkrimtarëve …

 Kur u takuam atë ditë në “ Kafe -Tirana”, i dashur Hyskë Borobojka, të tregova pak për punën e veprës sime dhe për vërejtjet që kishte redaktori. Ti e di që ngjarja e krijimit tim zhvillohet në fshat. Ndërmjet personazheve të tjerë veprojnë edhe disa pleq. Pleqtë i kam të mirë, me përjashtim të njërit që ka disa mbeturina fetare. Pikërisht për këta pleq po grindet redaktori me mua, autorin e veprës. Mes nesh u hap ky dialog:- Shoku Bamkë, – më thanë -, me një sasi kaq të madhe pleqsh, veprën nuk mund ta botojmë.

– Pleqtë e mi nuk janë të liq?- u thashë.

-Prandaj ndreqet më lehtë. Merre në shtëpi. Puno mbi të!

-Ç’të bëj?

-Ule sasinë e pleqve!

-T’i bëj mesoburra?- propozova unë, me qëllim që të merrja vesh se me ç’moshë i preferonin më shumë personazhet.

– Jo mesoburra, po të rinj, se mesoburra ke boll.

– Eh, more, i dashur Hyskë! Po ku kthehen pleqtë e veprës sime në të rinj? Unë , po ua preva mustaqet atyre, do të mbushet dorëshkrimi bashkë me tavolinën e punës plot me qime! Ti e di që mua nuk më vjen ndoresh të përshkruaj pleq pa mustaqe!

Kjo ishte një nga ato vërejtjet që më ka lënë pa gjumë kushedi sa net.

I dashur Hyskë Borobojka!

Po të shkruaj edhe për nja dy a tri sugjerime që më kanë bërë! Këto sugjerime nuk janë të vështira për t’i vënë në jetë , vetëm se duhen rishikuar faqe të tëra nga e para. Unë përshkruaj një djalosh që mbledh mana. Në punë e sipër, dega e manit thyhet dhe djaloshi bie. Vritet pak dhe e shpien në spital . Edhe këtu redaktorët kanë një vërejtje me spec.

– Shoku Bamkë, djaloshi nuk duhet të shkojë në spital si njeri që ka rënë nga mani, po të shkojë në spital si njeri që e ka zënë dhimbja e apandesitit , -më thanë.

-Pse?

-Rënia nga mani tregon fatalizëm,- më thanë.

-Fatalizëm?

-Fatalizëm! Çorientojmë lexonjësin! Ra nga mani! Kjo do të thotë që rinia jonë të mos ia arrijë qëllimit të saj!

-Ju lutem shumë, ju po më keqkuptoni , – prekem unë.

– Shoku Bamkë, në do që të botohet vepra, djaloshin mos e rrëzo nga mani!

-Dhe mua, i dashur Hyskë, më duhet tani të ndryshoj ato faqe ku përshkruhet dhimbja e këmbës dhe e krahut të djaloshit, se ti e di që apandesiti ndodhet në bark dhe dhimbjet e tij nuk janë si ato të këmbës.

-Vërejtjet e tjera nuk kam kohë të t’i tregoj sot. Në fund të javës që vjen do të të shkruaj një letër të hollësishme…Po të them vetëm për ca vërejtje që më ngjallën një farë buzëqeshje dhe njëkohësisht edhe një farë inati. Unē kam një frazë të tillë: “Dhe qeresteja thahej…”

-Shoku Bamkë, ku thahet qeresteja?- më thotë redaktori.

-Në pyll , – i them.

– Jo në pyll, po në diell, shoku Bamkë,- më thotë.

Unë vura buzën në gaz.

-Nuk është për të qeshur!- më thotë.

-Më qeshet …- i them .

-Qeresteja thahet në diell. Ja kështu duhet shkruar. Tani po të duash, qesh. T’ju mësojmë edhe si të shkruani!- më thotë ai dhe me majën e penës së tij shton fjalët “ në diell”.

Nga buzëqeshja unë kalova në zemërim.

-Qeresteja nuk thahet në diell, po në hije. Në diell ajo pëlcet dhe shtrembërohet. Shtëpive të veprës sime nuk kam ndërmend t’u vë trarë të shtrembër,- u them duke u dredhur.

Redaktori u zbeh. Tha ca fjalë pa kuptim dhe kaloi në një vërejtje tjetër.

-Kjo nuk shkon,- tha ai dhe lexoi një nga frazat e mia: “Petrua dolli nga shtëpia. Qielli rrëzonte flokë të mëdha bore. Ai kishte qejf që këto flokë të buta t’i binin në fytyrë…”

-Ç’gabim ka këtu? – e pyes unë.

-Dëbora është e ftohtë dhe Petrua nuk duhet të ketë qejf që këto flokë t’i bien në fytyrë!- më thotë.

-Ti i ha specat që djegin?-e pyes.

-Ç’hyjnë këtu specat ? Nuk i ha!…

-Po të hajë speca që djegin heroi im, nga ato që nuk i ha ti , a do të më bësh një vërejtje të tillë: “ Specat djegin, pse të hajë Petrua speca?”

-Mos e banalizo problemin, shoku Bamkë!-më thotë dhe vazhdon vërejtje .

Unë i dashur Hyskë, u tregova i padurueshëm dhe ika, duke ia lënë veprën në tavolinë. Shkova pas një jave për të marrë vërejtje të tjera me gjakftohtësi . Por siç të shkrojta, për ato do të të njoftoj më vonë .

Bamkë Çomaga , “ Drita” , 1968

“Tre qeshin një inatoset”- botim i shtëpisë botuese Dritëro, ilustrimet dhe kopertina nga Ori Lulani