“Urdhri” i Dukës: “Vetëm fitore me Islandën”

557
Sigal

Presidenti i Federatës së Futbollit: “Doja katër pikë nga dy ndeshjet me Qipron dhe Zvicrën”

 Presidenti i Federatës së Futbollit, Armando Duka, tha se ishte Kombëtarja ajo që ua dhuroi fitoren zviceranëve, me gabimet krejtësisht të shmangshme në mbrojtje, dhe jo se helvetët ishin dukshëm superiore ndaj nesh. Bosi i futbollit shqiptar i bëri deklaratat nga aeroporti ndërkombëtar i Rinasit, menjëherë pas kthimit nga Zvicra, ku ai u kthye së bashku edhe me pjesën “shqiptare” të delegacionit, pasi trajneri Xhani De Biazi, udhëtoi direkt drejt Italisë, ashtu siç bënë dhe të gjithë futbollistët kuqezi që luajnë në kampionatet e huaja. Shqipëria është mundur 2-0 në Lucernë, dhe tani ndodhet në vendin e dytë, me tri pikë, po aq Islanda, Norvegjia dhe Qipro. Duka theksoi se humbja me Zvicrën është e pranueshme, edhe pse me pak fat mund të shmangej. “Ne ia dhuruam vetë fitoren kundërshtarit me ato dy episode, megjithatë kemi humbur ndaj një kundërshtari që me të vërtetë është favoriti i grupit. Mund të kishte ndodhur dhe ndryshe nëse të paktën nuk do të pësonim gol në pjesën e parë”, – tha Duka. Presidenti i FSHF-së zbuloi edhe “projektin” e tij në lidhje me pikët e dy ndeshjeve të para të eliminatoreve të Kampionatit Botëror. “I kënaqur je kur merr maksimumin e pikëve, por edhe nëse do të kishim marrë katër pikë do të ishte mjaft mirë dhe grupi do të ishte akoma më i balancuar. Zvicra ka bërë një hap të rëndësishëm përpara, ka marrë gjashtë pikë në dy ndeshje”, tha presidenti Duka. Shqipëria është mundur 2-0 në Lucernë, duke lëshuar kështu menjëherë vendin e parë të renditjes në grupin E eliminator të Botërorit 2014, të arritur pas suksesit me Qipron, teksa numri 1 i futbollit shqiptar me delikatesë rreshtohet në anën e trajnerit. Duka foli edhe për “rinovinmin” e Kombëtares, dhe kohën që i duhet asaj për t’u konsoliduar. “Është një skuadër e cila nuk është se mund të bindi në çdo ndeshje, i duhet kohë për t’u konsoliduar si grup, pasi siç dihet janë bërë shumë zëvendësime dhe ka pasur shumë largime të ish-lojtarëve për arsye të moshës. I duhet kohë për t’u lidhur si grup dhe për të pasur rezultate më të mira në të ardhmen”, shprehet kreu i FSHF-së. Ndeshja e radhës e kuqezinjve është ajo e 12 tetorit me Islandën në “Qemal Stafa”, ku sipas Dukës duhet marrë patjetër fitorja, pa menduar për përballjen me Slloveninë 4 ditë më pas.

“Nuk kemi këllqe që të flasim për dy, më mirë të flasim e të përqendrohemi shumë për ndeshjen e radhës, për Islandën, një kundërshtar i cili ka fituar kundër Norvegjisë dhe ka një ekip vërtet të mirë. Por duke qenë se luajmë në shtëpi nuk kemi alternativë tjetër, vetëm të fitojmë ndeshjen”, – përfundoi presidenti i FSHF-së, Armand Duka.

 INTERVISTA

Ermal Tahiri: Ja defektet e Kombëtares

 Shqipëria pësoi një humbje të hidhur 2-0 me Zvicrën, në ndeshjen e dytë të eliminatoreve të Kampionatit Botëror “Brazil 2014”, një rezultat që la të zhgënjyer mbi 12 mijë shikuesit kuqezinj të pranishëm në Lucernë. Dy golat për helvetët u shënuan nga kosovari Xherdan Shaqiri (me asistin e Granit Xhakës) dhe kapiteni Gokhan Inler në pjesën e dytë. Kështu, pas entuziazmit të ligjshëm pas fitores 3-1 kundër Qipros, katër ditë më parë në Tiranë, humbja me Zvicrën ishte një kthim në realitet. Gazeta “Telegraf” bisedoi me ish-lojtarin e Dinamos, Kombëtares dhe të disa klubeve greke, Ermal Tahirin, tani në rolin e trajnerit të moshave te Dinamos, pas eksperiencës së gjatë në akademinë e klubit PAS Janina. Dy ndeshjet e ardhshme të Shqipërisë janë ato me Islandën (12 tetor) dhe Slloveninë (16 tetor), takime këto që do të luhen në “Qemal Stafa”.

 Zoti Tahiri, pas fitores 3-1 me Qipron, Shqipëria humbi 3-1 me Zvicrën. Cili është mendimi juaj për ndeshjen?

Pas fitores me Qipron, Kombëtarja jonë shkoi me mendimin për të marrë një rezultat të mirë. Unë mendoj se, duhet thënë qartë, se sa është Shqipëria e zonja për të marrë këtë rezultat. Nëse do të themi se, golat me Qipron ishin me të vërtetë të bukur, unë do të shtroja pyetjen: po loja? Na mungoi qarkullimi i topit, na mungoi fantazia, por na ndihmoi rezultati, gjë që nuk ndodhi me Zvicrën.

Ishim të zbehtë, pa karakter dhe pa potencë, gjë që na ka munguar dikur, dhe e kemi dhe tani.

Në ndeshjen me Qipron, pësuam një gol për një gafë të mbrojtjes sonë. E njëjta problematikë ndodhi edhe në Zvicër. Përse pësojmë gola kaq të lehtë?

Detajet bëjnë një ekip sa më të mirë. Për mua gafat i bëjnë të gjitha mbrojtjet, por sa mund t’i evitosh ato. Ne mund të themi, se e kemi rregulluar mbrojtjen, por nuk kemi rregulluar pjesën tjetër, që do të thotë mbrojtja e mire fillon nga sulmi.

Ju keni luajtur si mesfushor i avancuar, si ju dukën dy debutuesit, Alban Meha dhe Burim Kukeli?

Për mendimin tim janë lojtarë të mirë, por janë ende jo gati për ekipin Kombëtar.

Në tetor janë do të përballemi me Islandën (3 pikë) dhe me Slloveninë, që ka pësuar dy humbje. Si i shihni ato ndeshje?

Për momentin, janë katër ekipe që kanë nga tri pikë. Unë mendoj se, pas një humbje duhet forcë për një fitore, por dhe ndryshim. Për mua duhet të punojmë për një Kombëtare me dinjitet, me force me potencë, me loje të bukur. Pavarësisht nga rezultati në Zvicër, ne duhet të mësojmë nga humbja dhe t’i jepet përparësi lojtareve te rinj për një Kombëtare të ardhshme.

Ju punoni si trajner moshash te Dinamo, ndërkohë që më parë keni punuar në Greqi. Sipas jush, çfarë duhet të ndryshojë futbolli ynë?

Për mua fillon nga moshat e vogla, nga ekipet zinxhir qe nuk i kemi nuk punohet. Pra ky është problemi më i madh, që ka vendi ynë. Që të bësh një ekip Kombëtar të mirë duhen të punojnë me seriozitet disa breza.

Gerd Haxhiu: “Humbje e pritshme”

 Trajneri i njohur, Gerd Haxhiu, tha për “Telegraf” se, humbja e Shqipërisë me Zvicrën ishte e pritshme. Në fakt, Kombëtarja jonë mbërriti në sfidën ndaj helvetëve pas fitores 3-1 me Qipron, por zhgënjeu në “Sëisspor Arena” të Lucernës: “Për mendimin tim nuk duhet interpretuar si dështim kjo humbje. Për mua ishte e pritshme. Duhet të jemi me këmbë në tokë, nuk duhet të fluturojmë”.