Xhaka nuk i shënoi Shqipërisë, Graniti bëhet çështje në Zvicër

661
Sigal

Mediat ndërkombëtare: “Po krijohet precedenti i mosshëninimit të golit në emër të atdheut”

 Në minutën e 84-t, Granit Xhaka, i pati të gjithë mundësitë për të shënuar golin e tretë për Zvicrën, por numri 10 i skuadrës të “kryqit të bardhë” nuk arriti të realizojë, pasi portieri i Shqipërisë, Samir Ujkani u tregua më i shpejtë. Pikërisht, mosshënimi i golit nga ana e kosovarit Xhaka ka provokuar një debat jo të vogël dhe të parëndësishëm në Zvicër, dhe me rastin në fjalë po merret edhe media ndërkombëtare. Portali italian “Mediasport” e konsideron si jo të zakonshme sjelljen e Xhakës. Mesfushori 19-vjeçar i Kombëtares së Zvicrës, por me origjinë të qartë shqiptare, gaboi gol elementar pak minuta para fundit të ndeshjes, kur rezultati ishte 2-0. Në fakt, vetë deklaratat e Xhakës hedhin më shumë dritë: “Në fushë nuk dija si të sillesha, – pranoi lojtari përmes faqes së tij në rrjetin social “Facebook”. – Unë ndihem plotësisht shqiptar, edhe pse tifozët më quajnë tradhtar”. “Po cilët tifozë?”, shtron pyetjen portali i manjatit Silvio Berluskoni. “Sigurisht, ata shqiptarë, të cilët gjatë gjithë ndeshjes në Lucernë e kishin në shënjestër me fishkëllimat e tyre shurdhuese. Të njëjtin trajtim iu rezervua Behramit dhe Shaqirit. Xhaka, pas 90 minutave zhgënjyese (shtypi zviveran e përcaktoi paraqitjen e tij të “paperceptueshme”) u gjet përballë një dileme të vërtetë disa minuta nga fundi ndeshjes: të shënonte apo të mos shënonte? Kur topi mbërriti te Graniti, portieri Ujkani ishte jashtë lojës, por Xhaka e kontrolli keq atë dhe prishi gjithçka. “Ndoshta në mënyrë vullnetare”, – thekson Sportmediaset.it. Diskutimet dhe opinionet nuk mungojnë. Dhe për t’i hedhur benzinë zjarrit është vetë Granit Xhaka, përmes deklarimeve të tij: “Shqipëri-Zvicër 2-0. Ishte një ndeshje në të cilat provova shumë emocione, – shpjegon Xhaka përmes profilit të tij në ‘Facebook’. – Kishte momente në ndeshje, në të cilën nuk dija se çfarë të bëjëa dhe si të sillesha. Për ju ndoshta unë jam një tradhtar (duke iu referuar tifozëve shqiptarë), por në çdo rast unë ndihem i gjithë shqiptar”. “Mediaset” shkruan se rrezikon të krijohet precedenti i mosshëninim të golit në emër të atdheut. Rasti në fjalë është në qendër edhe të komenteve në Zvicër, madje dhe të komentatorëve të ndeshjes. Gazeta “Blick” shkruan: “Minuta e 84-t: Në krahun e majtë, Blerim Xhemaili pason për Eren Derdijok, ky i fundit e çon topin te Granit Xhaka. Zvicerani me origjinë shqiptare në vend të kërkojë të çajë drejt zonës, ku dhe mund të shënonte gol, e humb topin. Dhe këtu flasim për një lojtar superteknik. Është tërësisht e paqartë! Tifozët zviceranë në stadium gati sa nuk shkulin flokët! Komentatori i televizioni zviceran “Sport Fernsehen” tha gjatë ndeshjes: “Përse po kthehet Xhaka pas, çfarë është duke bërë ai? Akoma ka nevojë për kohë të mendohet?”. Xhaka e dha një shpjegim për “Blick”: “Unë nuk munda ta merrja mirë topin. Por, për mua e rëndësishme është të fitojë skuadra, dhe nuk ka rëndësi që nëse unë shënoj apo jo”. Xhaka u ndërrua në minutën e 91-të, i shoqëruar nga fishkëllimat e tifozëve shqiptarë. “Nuk ishte një ndeshje e lehtë për mua. Ishte hera e parë që unë fishkëllehesha”, – tha Xhaka. Komentator Rojfer shton: “Xhaka nuk ishte i mërzitur, nëse ai nuk shënoi gol kundër Shqipërisë”. Në të njëjtën linjë ishte dhe gazeta tjetër zvicerane, por në gjuhën frënge, “Le Matin”, që thekson se mesfushori i Borusias së Mënshengladbahut, i la kohë portierit kundërshtar (Ujkanit) të dilte, dhe t’ia rrëmbente topin thuajse në këmbët e tij.

 Mesazhi i Xhakës në “Facebook”

 “Shqipëri-Zvicër 2-0. Ishte një ndeshje në të cilat provova shumë emocione. Kishte momente në ndeshje, në të cilën nuk dija se çfarë të bëja dhe si të sillesha. Për ju ndoshta unë jam një tradhtar (duke iu referuar tifozëve shqiptarë), por në çdo rast unë ndihem i gjithë shqiptar”.

 Trajneri Hitcfeld: “Pse Xhaka nuk shënoi”

 Një mendim për lojën e Xhakës dhe Shaqirit dha edhe trajneri Otmar Hitcfeld. “Jam i gëzuar, që Granit Xhaka (19 vjeç) dhe Xherdan Shaqiri (20 vjeç), ia dolën mbanë të përballonin presion, por ata janë ende të rinj dhe duhen udhëhequr. Lojtarët shqiptarë me orgjinë shqiptare dolën të pamundur nga ana psikologjike”, – tha tekniku gjerman i Zvicrës. Hitcfeld mendon se Shaqiri dhe Xhaka do të bëhen superyje. Hitcfeld ka shpjegimin e tij se, përse Xhaka nuk shënoi golin e tretë: “Ai vrapoi shumë gjatë gjithë ndeshjes dhe për këtë arsye ai ishte i lodhur, por ishte e qartë se ai duhet ta bënte golin”.

 Xherdan Shaqiri:“Nuk më çorën macet, por lojtarët shqiptarë”

 Xherdan Shaqiri shënoi golin e parë të Zvicrës, në fitoren 2-0 të helvetëve ndaj Kombëtares shqiptare, për kualifikueset e Kampionatit Botëror 2014. Mesfushori kosovar tregoi për mediat zvicerane dhe emocionet e tij se, ai ishte ankuar arbitrit rumun edhe të çjerrat në qafën e tij. Pasi ai shkëmbeu bluzën me Jahmir Hykën, Shaqirit i dukeshin qartë me tri të çjera të gjakosura: “Këto nuk m’i bëri ndonjë maçok, apo diçka tjetër e këtij lloji, por mirë e bukur një lojtar (shqiptar”. Mesfushori kosovar tregoi për mediat zvicerane dhe emocionet e tij: “Unë e vendosa dorën në zemër, për respekt të kundërshtarit (Shqipërisë)”. Shaqiri, i lindur në Gjilan të Kosovës, dhe që në këpucët e tij ta të qepur flamujt e Kosovës, Shqipërisë dhe Zvicrës, shënoi në minutën e 23-të pas asistit të Granit Xhakës, një tjetër kosovari që luan me zviceranët. Në fakt, shqiptaro-zviceranët Valon Behrami, Admir Mehmedi, Blerim Xhemaili, Granit Xhaka dhe Xherdan Shaqiri patën emocione të mëdha gjatë ndeshjes kundër atdheut të të parëve të tyre. “Ne e dinim, që ndeshje do të jetë shumë emocionale. Shumë lojtarë kishin të njëjtën origjinë si kundërshtari. Por, ishte një ndeshje dhe jo një luftë”,”, – tha lojtari i Bajernit pas ndeshjes në televizionin kombëtar zviceran. Edhe Valon Behrami ishte në një situatë më të vështirë se në fushë. Në çdo kontakt me topin, Shaqiri, Behrami dhe Xhaka u fishkëllyen nga tifozët shqiptarë të pranishëm në “Sëisspor Arena”. “Unë jam i gëzuar që fituam”, – tha Shaqiri, pas ndeshjes, edhe pse ai vetë nuk u gëzua për golin e tij.

 “Do të vdes si shqiptar”

 Xherdan Shaqiri, kosovari i cili shënoi golin e parë të Zvicrës, në fitoren 2-0 ndaj Shqipërisë, tha në faqen e tij në “Facebook” “Unë nuk jam tradhtar vetëm se jam duke luajtur për Zvicrën.

Nuk mu ofrua kurrë një ofertë nga Shqipëria. Kjo nuk ka asnjë lidhje. Unë jam dhe do të vdes SHQIPTAR. Xherdan Shaqiri”.

 Lorik Cana, mesazh tifozëve

 Kapiteni i Shqipërisë, Lorik Cana, u dërgoi një mesazh tifozëve shqiptarë, në lidhje me kosovarët e Zvicrës pas humbjes me helvetët. “Ata mund të luajnë për Zvicrën, por thellë-thellë ata e ndiejnë që janë shqiptarë.  Unë e pashe vetë me sytë e mi që Xhaka dhe Shaqirit pothuajse nuk u dilte zemra nga vendi, aq shumë emocione kishin. Në momentin që Shaqiri shënoi kërkoi falje, dhe nuk ishte aspak i gëzuar. Unë e di që jeni të mërzitur dhe të acaruar por ju kërkoj të qetësoheni të gjithë. Me respekt, Loriku”.

 Dino Xof voton Samir Ujkanin:“Ka vetëm nevojë për besim”

 Dino Xof, ish-legjenda e portës italiane, kampion i botës në vitin 1982, është një nga vlerësuesit pozitivë të portierit shqiptar të Palermos dhe të Kombëtares, Samir Ujkani. I pyetur nga portali “LiveSicilia”, në lidhje me paraqitjet e Ujkanit në dy ndeshjes e Palermos në Serinë A (Samiri ka pësuar gjashtë gola), ish-portieri i Juventusit dhe i Italisë, dha këtë mendim: “Ujkani ka bërë disa gabime në këto dy ndeshje të para, por besoj se mund të luajë në Serie A. Te Novara, gjatë sezonit të kaluar, është paraqitur mirë dhe nëse Palermo ka dashur ta ketë si titullar, e ka pasur një arsye të fortë. Ka nevojë për besim, ndonjëherë për një portier është diçka thelbësore sikur të bëjë edhe një pritje të bukur për të rigjetur sigurinë dhe qetësinë. Nuk duhet vënë nën presion”. Ndeshja e ardhshme e Palermos është ajo ndaj Kaljarit, dhe Ujkani do të jetë sërish titullar. Trajneri Sanino beson te kosovari. Xhaanlua Berti (ish-portier i Novaras) tha: “E vlerësoj shumë Ujkanin. Te Novara ka bërë paraqitje të shkëlqyera, por Palermo është diçka krejt e ndryshme. Duhet të kemi durim, është një portier i mirë, por siç e thashë Palermo është një piacë “e nxehtë” dhe shpesh nuk mund të presë gjatë”. Me të njëjtat tone foli edhe Atilio Teseri, ish-trajneri i Ujkanit te Novara: “Nuk kam asnjë dyshim mbi këtë çështje, Samir Ujkani është një portieri i denjë për Serie A dhe duke luajtur me ne te Novara e ka treguar gjithnjë këtë. Nëse gjërat nuk ecin mirë në nivel skuadre, faji nuk është vetëm i portierit. Ka një kurrikulum të shkëlqyer, ka eksperiencë në ndeshjen ndërkombëtare, Samiri i ka të gjitha letrat në rregull për të bërë histori me fanellën e Palermos. Klubi ka besuar dhe do të vazhdojë të ketë besim te ai”. Xhimi Fontana, ish-portieri i Palermos shton: “Unë kam kujtime shumë të mira për Samirin. Nuk është mendjemadh, ka shumë dëshirë për të mësuar gjëra të reja dhe për t’u vënë në dispozicion të trajnerit. Ka cilësi të mira, por duhet lënë të rritet akoma dhe mbi të gjitha nuk duhet vënë shumë nën presion. Është një djalosh serioz dhe i denjë për të luajtur në Serie A”.

 E fejuara dhe pingpongu

 Samir Ujkani u rrëfye për faqen zyrtare të klubit të Palermos, se çfarë i pëlqen më shumë jashtë futbollit, madje dhe për të fejuarën e tij. “Më pëlqen të qëndroj me familjen dhe me personat që më duan më të mirën. Një ditë në shtëpi më bën të ndihem shumë mirë. Jam i fejuar dhe për momentin ndihem i lumtur. E kam njohur në Belgjikë. Përsa i përket ushqimit, mund të them se në Kosovë hahet shumë mirë, por këtu (në Itali) është e gjitha një histori tjetër. Pjata ime e preferuar quhet “mantia”, një specialitet kosovar. Më pëlqen të bëj pak nga të gjitha sportet, basket, volejboll, tenis. Kam pak kohë që kam mësuar të luaj edhe pingpong, pasi më parë nuk dija asgjë, por tani më pëlqen shumë”.