Sigal

Do të provojë derbin e parë të madh të kryeqytetit shqiptar. Pasi e ngjiti Tiranën në Superiore, tashmë duhet të fitojë zemrat e tifozëve bardheblu. Dhe nuk ka më mirë për këtë gjë se sa të fitojë derbin e zjarrtë kundër Partizanit, që do të luhet në “Selman Stermasi” të premten, në orën 19:45. Po qe se mendon se 24 herë kampionët e vendit nuk e fitojnë në një përplasje të tillë me “demat e kuq” në 13 derbet e shkuara, nevoja për t’ia arritur kësaj duket jetike.

Ky do të ishte “votëbesimi” më i madh për trajnerin brazilian. Në konferencën e sotme për shtyp, Ze Maria bëri prognozën e tij para gazetarëve: “Jemi përpara derbit, që pritet me shumë interes nga tifozët. Situata te Tirana është e mirë, jemi stërvitur rregullisht dhe me intensitet. Të mërkurën kemi luajtur një ndeshje të Kupës së Shqipërisë, të cilën e fituam. Derbi është i veçantë, mjaft i rëndësishëm, por nuk vlen më tepër se tri pikë. Mirëkuptoj gjithçka ndodh përreth, sidomos mes tifozëve, por na duhet qetësi dhe jo emocionalitet. Duhet ta trajtojmë si ndeshje të radhës, ku synojmë të marrim maksimumin”.

“E di se Tirana ka shumë ndeshje pa e fituar derbin. Kjo na e shton presionin, por unë kam luajtur në kësi kushtesh për 20 e ca vite. Personalisht, kam luajtur shumë ndeshje derbi në karrierë. 13 ndeshje pa fitore në derbi janë shumë, por jam këtu për ta prishur këtë situatë negative. Jemi gati për ndeshjen, ndërsa rezultatin le t’ia lëmë fushës. Siç e thashë, kam luajtur shumë derbe si futbollist, që nga Brazili në Itali. Në Spanjë kam përjetuar derbin Valencia-Levante, ndërsa në Itali derbin e Milanos, Inter-Milan”.

“Kësi përballjesh janë mundësi të mira për të treguar se kush është më i miri në qytet, por për ne, që jemi profesionistë, funksionon ndryshe. Duhet të jemi të përqendruar tek ajo që ndodh vetëm në fushën e lojës. A  kemi frikë Partizanin? Për çfarë? Nuk ka frikë në këtë punë, por vetëm vlerësim. Ne e dimë çfarë mund të bëjmë, kemi bërë ndeshje të mira. E respektojmë kundërshtarin, që është një ekip i madh si ne”.

“Unë kurrë nuk premtoj fitoren, sepse futbolli i ka brenda të tria rezultatet. Premtoj se lojtarët do të japin maksimumin, si në çdo ndeshje. Kjo vlen edhe për derbin e nesërm. Ne si Tiranë luajmë për fitore, jo për barazime. Situata ime? Gjithmonë pozicioni i trajnerit është në rrezik. Nuk varet gjithçka nga një ndeshje, qoftë kjo edhe derbi. Sezonin e kaluar fituam shtatë ndeshje dhe më pas humbëm një e barazuam dy. Mendoj se rrezikoja edhe atëherë”.

“Formacioni? Kemi disa probleme për ndeshjen e nesërme. Duhet të pres deri para nisjes së lojës, për të vendosur se kush do të startojë si titullar. Formacioni mund të ndryshojë me një lojtar, ndërsa pjesa tjetër do të jetë pak a shumë si herën e kaluar. Nëse do të zgjidhja, titullin apo derbin? Mund t’i zgjedh të dyja. Personalisht dua të fitoj titullin, edhe tifozët janë të kënaqur me një objektiv të tillë. Po e humbe derbin, mërzitesh për një ditë, titulli djeg më shumë e më gjatë, sepse është puna dhe djersa e një sezoni të tërë. Unë dua t’i fitoj të dyja”.

“Sulmi? Ngo luajti para dy ditësh, por duhet të përmirësohet nga dita në ditë. Sentamu është gati. Ndoshta luan nesër. Duhet të prisni për ta mësuar edhe këtë detaj të formacionit. Sa njohuri kam nga derbi i madh i kryeqytetit këtu? Tirana e ka shkruar emrin në histori. Është shumë e rëndësishme të vazhdojë ta bëjë këtë. Çdo ditë i shikoj fotot historike, para disa ditësh pati edhe një ceremoni dhe shpresojmë të jemi edhe ne pjesë e historisë së këtij klubi të madh”.

“Kundërshtari? E kam parë në disa ndeshje Partizanin. Ka një ekip solid, me lojtarë të mirë. Nuk mund të flas para jush për këtë, do ta analizoj kundërshtarin me lojtarët e mi. Do të tentojmë t’i bllokojmë disa lojtarë të tyre.  Situata me Karabecin? Erandi është profesionist dhe e kupton situatën. Hasani, Daja dhe Toni po luajnë mirë. Ai kishte rastin në ndeshjet e para, tani e kanë të tjerët. Nuk më intereson çfarë mendojnë e thonë të tjerët. Lojtarët nuk duhen shtyrë që, nëse nuk luajnë, duhet të ikin nga skuadra. Nuk është sjellje profesioniste kjo, për mendimin tim”.