Sigal

Derbi i kryeqytetit shkon sërish për Partizani, ndërsa këtë herë ishte pikërisht sulmuesi shkodran Rubin Hebaj, që erdhi nga stoli dhe ngjyrosi me të kuqe këtë sfidë, duke shënuar dy gola në portën e Tiranës, që sollën edhe përmbysjen e rezultatit.

Sfida nisi mjaft mirë për Tiranën, që u mundua t’i imponojë ritmin e saj derbit dhe arriti të krijojë disa aksione sulmuese, por pa ia dalë të kërcënojë rrezikshëm kuadratin e portës së Alban Hoxhës. Nga ana tjetër, Partizani zbriti shpesh rrezikshëm dhe në një moment goditi edhe traversën e portës së Abibit, me anë të sulmuesit me numrin 10, Jasir Asani, ndërsa pati edhe një pretendim për 11-metërsh me Trashin, por që arbitri e cilësoi si stimulim dhe ndëshkoi futbollistin e kuq.

Me barazim pa gola përfundoi pjesa e parë, ndërsa 45-minutëshi i dytë startoi menjëherë me Tiranën si protagoniste. Të besuarit e Memës zhvendosën lojën në gjysmëfushën e kuqe dhe në minutën e 50’, gjetën golin e avantazhit.

Ishte pikërisht një nga surprizat në formacionin e bardhebluve, djali i presidentit të Tiranës, Grent Halili, që dërgoi topin në rrjetën e Alban Hoxhës në minutën e 50’, pas një aksioni të shpejtë të skuadrës së drejtuar nga Ardian Mema, ndërsa dedikimi ishte për babanë e tij, Refik Halilin. Pak minuta më vonë, ishte sërish Tirana që i shkoi pranë golit të dytë, ku fillimisht Daja testoi aftësitë e Alban Hoxhës dhe më pas topin e kthyer nga portieri i Partizanit, e gjuajti Sentamu, por që e përplasi në rrjetën e jashtme. Vetëm dy minuta më vonë Skënder Gega mori masat për të shkuar drejt golit dhe rriti fuqinë sulmuese, duke larguar nga fusha Ibrahimin, për t’i bërë vend sulmuesit shkodran, Rubin Hebaj, që u pozicionua menjëherë në majë të sulmit. Ishte pikërisht ky i fundit, që riktheu baraspeshën në minutën e 67’ të takimit, teksa pasi mori një krosim nga Mensah, gjuajti dy herë radhazi me kokë, ndërsa portieri Abibi priti goditjen e parë, por nuk arriti të reagojë në të dytën dhe pa që topi të ndalej në rrjetë.

Ritmi në minutat në vijim erdhi në rritje, veçanërisht në 10 minutat e fundit, kur aksioni zhvendosej sa në një zonë, në tjetrën, me dy skuadrat që nuk pajtoheshin aspak me barazimin dhe kërkonin golin me vlerën e 3 pikëve.

Në minutën e 85-të ishte Hila që u shërbye në hyrje të zonës nga Çinari dhe gjuajti menjëherë, por topi u përplas në traversën e portës së Abibit, ndërsa menjëherë më pas Tirana zbriti në një kundërsulm të rrezikshëm, ku këtë herë ishte Alban Hoxha që u mohoi golin bardhebluve. Menjëherë pas pritjes, Hoxha nis një aksion të shpejtë për Partizanin dhe topi përfundon në të majtë të sulmit, ku Eraldo Çinari kroson bukur në zonë dhe aty është shkodrani tjetër, Rubin Hebaj që përfiton nga një gafë e Erjon Hoxhallarit dhe dërgon topin për herë të dytë. Reagimi i Tiranës ishte i menjëhershëm, ku fillimisht Blazhevski dhe më pas Maveje, kërcënuan kuadratin e Alban Hoxhës, por nuk arritën të dërgojnë topin në rrjetë dhe të rikthejnë baraspeshën. Pesë minutat shtesë të akorduara nga arbitri kryesor i takimit, nuk mjaftuan që Tirana të rikuperojë disavantazhin, ndërsa Partizani mori një fitore të madhe dhe u shkëput në krye të renditjes, me 4 pikë më tepër se Skënderbeu ndjekës.

Nga ana tjetër, Ardian Mema duhet të presë ende për të festuar fitoren e parë të tij si trajner i Tiranës, ndërsa bardheblutë mbeten në zonën e ftohtë të renditjes, me vetëm 3 pikë më tepër se Kamza e vendit të parafundit.