Taqo Bifsha: Flamurtari është skuadër profesioniste, me çdo rival synon fitoren

564
Nga Agron KAJA
INTERVISTA/ Flet për “Telegraf” zëvendëstrajneri i skuadrës vlonjate të futbollit, ja si e shikon sfidën e javës së 19-të me Skënderbeun kryesues
Nga Kukësi në Korçë, është ngarkesë ky kalendar i fazës së tretë për Flamurtarin?
Nuk mund të bëhet fjalë për ngarkesë, sepse ne jemi në pikun e sezonit. Ka nisur faza e tretë dhe është kalendari ai që vendos se ku do të luajnë skuadrat. Ne fati i kalendarit na çoi në javën e 18-të në Kukës, ndërsa për javën e 19-të udhëtojmë në Korçë, por kjo është normale.

Flamurtari vjen në përballjen më Skënderbeun pas barazimit në Kukës, ndërsa korçarët kanë fituar në Shkodër, ndikon për ju kjo situatë?
Edhe ky fakt që sillni ju, për ne nuk ka asnjë ndikim. Ne jemi skuadër në Superiore, pra jemi profesionistë dhe i kemi marrë të gjitha masat që të përballemi me të gjitha skuadrat, fitojnë apo humbasin ato nga java në javë. Rëndësi për ne ka arritja e synimeve që kemi në këtë sezon.

Gjithsesi, para sfidës me Skënderbeun të premten a është e plotë skuadra juaj?
Ne për momentin nuk kemi asnjë mungesë. Madje do të thosha se kemi dy ardhje të rëndësishme në skuadër para takimin me Skënderbeun, pasi rikthehet mbrojtësi Bicaj pas dënimit me karton të kuq e nuk luajti në Kukës, ndërkohë që mesfushori maqedonas Muarem, pritet të jetë titullar në këtë ndeshje.

Mendoni se me këta dy lojtarë do të jeni më të kompletuar për sfidën në Korçë?
Natyrisht që po, sepse Bicaj është i konfirmuar si një qendërmbrojtës me vlera në Superioren shqiptare, e për më shumë që ka provuar edhe fanellën e Skënderbeut. Ndërsa Muarem është një lojtar profesionist, dhe gjatë këtyre përgatitjeve dhe miqësoreve që kemi zhvilluar, ka treguar se është i denjë për Flamurtarin.

Nga ana psikologjike, mendoni se do të ndikojë bilanci i dobët që Flamurtari ka në fushën e Skënderbeut në 10 vitet e fundit?
Historia ka vlerë kur kujtohet, si do që të jetë ajo për skuadrat, futbollistët apo trajnerët. Besoj se bëhet fjalë për ndeshjen e muajit prill 2010 kur Flamurtari ka fituar për herë të fundit në Korçë? Absolutisht kjo nuk do të jetë pjesë e psikologjisë së skuadrës tonë ditën e premte në stadiumin “Skënderbeu”.

Ku i mendoni ju pikat më të forta, apo edhe më të dobëtat të kundërshtarit tuaj në javën e 19-të?
Në vlerësimin që ne i bëjmë çdo kundërshtari, natyrisht që aty hyjnë pikat e forta, apo edhe të dobëtat të tyre. Në këtë rast, kemi të bëjmë me skuadrën më të mirë të momentit në Kategorinë Superiore, që do të thotë se vlerësimi është normal edhe për të.

Dhe cili është synimi i Flamurtarit në ndeshjen me Skënderbeun?
Në profesionizëm nuk ka synim tjetër në një ndeshje, veç tri pikëve. Me këtë motiv do të hyjë skuadra në fushë edhe ndaj Skënderbeut, dhe ne jemi të bindur se i kemi kapacitetet që nga kjo përballje të dalim me rezultat pozitiv.
8 vite
Kjo është periudha që Flamurtari nuk fiton në transfertë në stadiumin “Skënderbeu” në Korçë, që nga 11 prilli 2010
Sigal