Specialisti i futbollit Parid Xhihani: Kjo është java më rivale, Besën e shoh fituese ndaj Vorës

118
Sigal

KATEGORIA E PARË/ Specialisti i futbollit Parid Xhihani, tregon se diferencat e skuadrave nuk janë të dukshme.

Agron KAJA

Edhe pse ka kohë që i është larguar syrit mediatik sportiv, Parid Xhihani mbetet një nga futbollistët më të shquar të Besës së Kavajës, pse jo edhe në nivel kombëtar. Ftesës së gazetës “Telegraf” për bisedë rreth futbollit në Kategorinë e Parë, ai iu përgjigj me respekt. “Pse mos të bisedojmë kur juve flisni e shkruani për futbollin shqiptar, ku edhe unë kam kontributin tim. Për gazetën “Telegraf” jam i gatshëm në çdo kohë”, kështu e nisëm dje bisedën me Parid Xhihanin, i cili fillimisht u përqëndrua te situata në kreun e renditjes, te Besa dhe tek dy skuadrat e kreut të renditjes, Flamurtari e Vora. “Në këtë sezon, Besa e ka nisur shumë mirë kampionatin, pavarësisht se javën e kaluar e la kreun e tabelës së renditjes. Duke ju referuar 48 ndeshjeve që janë luajtur në 8 javët e luajtura, duket qartë rivaliteti që kanë jo vetëm skuadrat e kreut të renditjes. Në krye mendoj Flamurtarin, Besën dhe Vorën, e mes këtyre tre skuadrave do ndahet kryesimi për ngjitje në Superiore”, kjo ishte paraqitja që Xhihani i bën kreut të renditjes në 8 javët e para të Kategorisë së Parë, ndërkohë që kërkon mbarëvajtje nga Besa për një vazhdimësi më të mirë. “Java e 9-të e ka vendosur Besën përballë një skuadra kryesuese me meritë, Vorës. E shoh si një ndeshje deçizive, dhe jam dakord me ju për ta quajtur si kryendeshje të javës. Që do jetë një ndeshje e fortë, kjo është e pritshme, por që këtë sfidë e mendoj në favor të Besës, këtë po e shpjegoj. Së pari, sepse Besa ka mbi shpatullat e saj traditën e madhe 99 vjeçare në futbollin shqiptar, e së dyti, sepse në përbërje dhe në drejtim, skuadra kavajase qëndron më lart. Ndaj shpreson shumë se Besa do ta fitojë ndeshjen”. Ndërsa për takimet e tjera të Kategorisë së Parë që luhen sot në ora 14:00, Parid Xhihani mendon se diferencat e skuadrave nuk janë shumë të dukshme, dhe do të ketë ekuilibra në fushë e rezultate interesante. “Duke ju referuar kalendarit të ndeshjeve në Kategorinë e Parë, e duke patur si bazë tabelën e renditjes, unë shoh se do jenë ndeshje që nuk do kenë shumë favoritë, sepse futbolli tashmë dihet që është i pa parashikueshëm. Ndoshta do keni një javë nga më të vështirat për të bërë një parashikim. Ndërsa uroj që ky kampionat të ketë mbarësi në zhvillimin e tij, të risë nivelin dhe të afrojë sa më shumë tifozë. Ka në përbërje skuadra që kanë fituar trofe në elitën e futbollit tonë, ndaj do ta quaja një “Superiore B” shumë të fortë”, kështu e mbylli dje bisedën specialist i futbollit, kavajasi Parid Xhihani.

LEGJIONARËT

Të dielën pritet titullar, Kristian Asllani gati për Juventusin

Gjatë ditës së premte, thuajse të gjitha mediat sportive italiane e shihnin si të duhurin Kristian Asllanin, për sfidën e fundjavës që Interi do ta luajë të dielën ndaj Juventusit. Inzagi thërret në “apel”, ku mesfushori i Kombëtares shqiptare do të marrë vendin e  Çalhanoglu, të cilit me shumë gjasa i duhet më shumë kohë për t’u rikuperuar. Dhe për shkak të rëndësisë që ka ndeshja, Inzagi duket se nuk do preferojë eksperimentet në repartin e mesfushës, por do të startojë me zëvendësuesin ideal. Kujtojmë se Kristian Asllani dhe turku Çalhanoglu, i munguan Interit në sfidën kundër Jang Bojs në Ligën e Kampioneve, e cila u fitua 1-0, edhe pse vështirësitë ishin të mëdha. Ndërsa takimi i radhës do të luhet kundër Juventusit në Serie A, dhe mediet italiane shohin si startues Kristian Asllanin në ndeshjen që do të luhet ditën e diel ora 18:00. Ky është një lajm i mirë edhe për Kombëtaren.

Armando Sadiku “siluron” Kombëtaren me golat në Indi

Edhe pse nuk është preferuar nga trajneri Silvinjo, Armando Sadiku i ka dërguar sinjale të shpeshta me formën e mirë dhe golat që po shënon javë pas jave në kampionatin indian të futbollit. Këtë javë, sulmuesi shqiptar u aktivizua si zëvendësues në minutën e 32-të, ndërsa skuadra e tij Goa po humbiste 1-0 në transfertën me Çenaijin. Dhe gjithçka ndryshoi më pas për skuadrën e Goas, e cila llimisht barazoi me Sing në minutën e 45-të, ndërkohë që zëvendësuesi Sadiku realizoi golin e përmbysjes përmes penalties, pikërisht në minutën e 51-të dhe rezultati shkoi në 1-2. Përmbysje me fitore dhe me këtë formë sulmuesi shqiptar nuk di të ndalet, ndërkohë që ky ishte goli i gjashtë në pesë ndeshje të kampionatit. Duhet thënë se tre prej tyre kanë ardhur nga penalltia dhe tre të tjerë nga loja. Ndoshta Silvinjo do ta ketë preferencë në dy ndeshjet e muajit nëntor, ndaj Çekisë e Ukrainës.

Dedikimi prekës i Florenc Farrukut

Është për t’u shkruar: “Golin e shënuar në Fier (Apolonia-Burreli 1-1) ia dedikova vëllait tim, Aldos, i cili ka 6 vjet që është ndarë nga familja. Tani ai është ëngjëlli ynë dhe mungesën e tij e ndjejmë shumë”.

1 TRAJNER

Në ndeshjet e javës së 9-të të Kategorisë së Parë, kemi një trajner të ri që bën debutim. Është Erjon Xhafa në stolin e Lushnjës, në sfidën ndaj Kukësit

KATEGORIA E PARË

Ndeshjet-Java 9

E shtunë, 26 tetor 2024

Besa-Vora                   14:00

Burreli-Erzeni              14:00

Kastrioti-Flamurtar     14:00

Korabi-Apolonia         14:00

Lushnja-Kukësi           14:00

Pogradec-Valbona      14:00

RENDITJA   

Skuadrat        Nd       Pikë    

1.Flamurtari     8          21

2.Vora             8          21

3.Besa             8          20

  1. Kastrioti      8            13

5.Burreli          8          12

6.Pogradeci     8          9

7.Lushnja        8          9

8.Kukësi          8          9

9.Korabi          8          8

10.Apolonia    8          6

11.Valbona      8          5

12.Erzeni         8          2