Plarent Ndreca zyrtarisht i pandehur/ Skema e rikonstruksionit të Komisariateve zbardhet nga celulari i ish-zëvendës ministrit

42
Sigal

Sekuestrimi i celularit të profesorit të Arkitekturës dhe ish-zëvendës ministrit të Zhvillimit Urban në qeverinë “Rama 1”, Gjon Radovani ka zbuluar skemën e projektimit dhe rikonstruksionit të disa komisariateve të vendit. Nën akuzë, është zyrtarisht i pandehur deputeti Plarent Ndreca.

Ai akuzohet për veprën penale “Shkelje e barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike” dhe bëhet fjalë për shkelje të konstatuara gjatë kohës që ka shërbyer si Sekretar i Përgjithshëm në Ministrinë e Brendshme. Në këtë kohë, ky dikaster drejtohej nga Sandër Lleshaj.

NOA

Bëhet me dije se prokurorja e SPAK, Dorina Bejko ka arritur në konkluzionet paraprake se Plarent Ndreca si zyrtarë i lartë i shtetit dhe persona të tjerë, po ashtu zyrtarë, kanë shkelur ligjin dhe duhet të përballen me faktet penale në gjykatë.

“Duke iu përgjigjur interesit të gjerë publik, ju komunikojmë se më dt.25.10.2024, të pandehurit, Plarent Ndreca, i është komunikuar, përmes avokatit të tij, përfundimi i hetimeve për procedimin penal nr.240/2021 për veprën penale “Shkelje e barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike”, parashikuar nga nenet 258 dhe 25 të Kodit Penal”, ka njoftuar SPAK këtë të premte.

Prokuroria e Posaçme është vënë në lëvizje nga një raport i Kontrollit të Lartë i Shtetit, i cili ka audituar të gjitha procedurat e ndjekura nga Ministria ne Brendshme për projektimin dhe rikonstruksionin e disa komisariateve policore në vend, gjatë kohës që ministër ishte Sandër Lleshaj.