Sot derbi i Italisë/ Juvja kërkon hakmarrje, Interi në telashe: Pa Lukakun dhe Hakimin

219
Sigal

Sonte në mbrëmje do të luhet gjysmëfinalja e Kupës së Italisë ndërmjet Interit dhe Juventusit. Kjo përballje është me dy takime dhe Juventus shihet më e favorizuar, pasi bardhezinjtë jo vetëm se do të luajë në fushën e zikaltërve, por pasi ekipi i Conte-s ka mungesa të rëndësishme.

Sulmuesi Lukaku pika kryesore e Interit do të mungojë në këtë sfidë, për shkak të kartonave të verdhë të marra që e kanë penalizuar. Gjithashtu një mungesë e rëndësishme është edhe Hakimi.  Mbetet për t’u parë nëse Conte do të fusë sërish Eriksen që nga minuta e parë ose jo, pasi ishte njeriu që i dha kualifikimin zikaltërve në përballjen me Milanin.

Ndërsa te bardhezinjtë vijon të mbetet jashtë sulmuesi argjentinas Paolo Dybala, që vazhdon të ketë probleme në gju.

Mbetet për t’u parë pra se me çfarë lojtarësh do të zbresin në fushë trajnerët Conte dhe Pirlo, duke marrë në konsideratë faktin që në fundjavë të dy ekipet do të kenë ndeshje shumë të vështira në kampionat, respektivisht me kundërshtarë si Fiorentina dhe Roma, madje zikaltrit do të impenjohen me skuadrën vjollcë që të premten në mbrëmje në Firenze. Interi ka një kalendar ferri për kampionat pasi duhet të përballet sërish me Juven dhe Milanin.

Interi dhe Juventusi do të përballen plot tri herë ndërmjet tyre në diçka më pak se tri javë e gjysmë. Këto dy klube u përplasën vetëm dy javë më herët, më saktë më datën 17 janar, në një duel të vlefshëm për javën e parafundit të Serisë A dhe zikaltrit fituan pa u sforcuar shumë, me rezultatin 2-0.

Në “San Siro” realizuan nga një gol për çdo pjesë Arturo Vidal, që deri në vitin 2015 u aktivizua për katër sezone pikërisht në radhët e bardhezinjve, si dhe Nicolo Barella. Një fitore vërtet e madhe për Interin dhe e para për ish-kapitenin apo dhe ish-trajnerin e Juventusit Antonio Conte, që në fakt i humbi që të dyja përballjet e kampionatit të kaluar në Serinë A me “Zonjën e Vjetër”, 2-1 në Milano dhe 2-0 në Torino.

Një sukses që nuk pati ndonjë jehonë të madhe për shkak të vetë gjendjes jo të mirë të Juventusit, por mbi të gjitha një triumf i tillë u eklipsua shpejt nga barazimi i zikaltërve në Friuli me ekipin e Udinezes, kështu që diferenca ndërmjet tyre tani është vetëm 5 pikë, për më tepër bardhezinjtë kanë për të rikuperuar gjithashtu edhe duelin me Napolin, që u anulua që në fillimin e kampionatit.

Shumë do të varet pikërisht nga zgjedhjet që do të bëjë trajneri i ri i Juventusit Andrea Pirlo, duke patur parasysh kalendarin e ngjeshur dhe impenjimet e shumta në të gjitha frontet. Vetëm një javë pas takimit të kthimit në Kupën e Italisë bardhezinjtë do të përballen me Porton në Champions League dhe vlen të theksohet fakti që në një muaj e gjysmë, pra deri në datën 14 mars, rekordmenët e Italisë nuk do të kenë kurrë një javë të plotë për të përgatitur ndeshjen e radhës. Në këtë mënyrë Juventusi do të zbresë në fushë në çdo tri katër ditë, kështu që 41-vjeçari nga Brescia ka detyrën e vështirë për të racionuar forcat.