Skuadrat shqiptare shkëlqejnë në Europë, kualifikohen edhe Kukësi e Laçi

393
Sigal

Skuadrat shqiptare dhurojnë paraqitje mjaft dinjitoze në Europa League, pasi kundër të gjithë pritshmërive, ia dalin të kualifikohen që të treja për në turin e dytë të këtij kompeticioni, aty ku tashmë është edhe Tirana.

Kështu pas Teutës, që fitoi në mënyrë surprizë 2-0 ndaj izraelitëve të Beitar Jerusalem, në mbrëmje ishte Kukësi që u kualifikua pasi triumfoi me rezultatin 2-1 ndaj bullgarëve të Slavias së Sofias në sfidën e zhvilluar në “Air Albania”.

Verilindorët kishin marrë shpejt fytyrën e trajnerit Skënder Gega, duke u shfaqur në fushë si një skuadër mjaft serioze, e rreshtuar mirë dhe që nuk i jepte aspak mundësi kundërshtarit për ta vënë në vështirësi.

Shkëndijën e parë të rrezikshme e dha fantazisti Eduart Rroca, i cili depërtoi bukur nga e majta e sulmit në qendër të zonës dhe gjuajti në pozicion të prirët me portën, por gardiani i skuadrës bullgare ishte në vendin e duhur për të grushtuar topin.

Kukësi ishte dukshëm dominues në pjesën e parë, ndërsa bullgarët nuk arritën të testojnë aftësitë e portierit Xhika, pasi mbrojtja e përbërë nga dyshja Obanor-Horiç ishte në një mbrëmje mjaft të mirë dhe mbante larg rrezikon.

Megjithatë rezultati u zhbllokua vetëm në minutën e 56’, kur i sapofuturi në fushë, Albin Gashi depërtoi bukur në zonë, por u ndal me faull nga një mbrojtës bullgar dhe arbitri turk Kardesler nuk pati dyshime për të akorduar 11-metërsh.

Nga pika e penalltisë shkoi sulmuesi i afruar rishtazi te Kukësi, Patrick Eze, i cili u tregua gjakftohtë dhe i saktë, duke dërguar portierin në një krah dhe sferën në krahun tjetër dhe duke i dhënë avantazhin skuadrës së Gegës.

Bullgarët rikthyen baraspeshën në minutën e 81-të me anë të Krastev, por kur ndeshja dukej se po shkonte drejt shtesës, ishte një aksion mjaft i bukur i verilindorëve, që soli edhe golin e dytë me anë të sulmuesit Cooper.

Rroca nisi bukur në krah Zenel Gavazajn, i cili avancoi drejt zonës dhe krosoi bukur brenda saj, aty ku Cooper kërceu saktë dhe devijoi topin me këmbë drejt rrjetës së portës së Slavias për herë të dytë në këtë takim.

Në minutat e mbetura Kukësi menaxhoi mirë lojën dhe mbajti larg kundërshtarët, i ndihmuar edhe nga një formë mjaft e mirë e Zenel Gavazajt, që mbante gjatë topin, ndërsa vërshëllima finale la në fuqi fitoren 2-1 dhe kualifikimin e verilindorëve për në turin e dytë.

Një kualifikim heroik mori edhe Laçi në transfertën ndaj azerëve të Keshlas. Të besuarit e Armando Cungut triumfuan vetëm nga pika e penalltive, pasi koha e rregullt dhe 30 minutat shtesë përfunduan në barazim pa gola.

Vlen të theksohet se laçi luajti me 10 futbollistë që prej minutës së 72-të, kur braziliani Lucas Ramos u ndëshkua me kartonin e dytë të verdhë, ndërsa forcat në fushë u balancuan në minutat shtesë, kur Alijev la me 10 futbollistë skuadrën vendase.

Nga pika e penalltive bardhezinjtë u treguan të gjithë të saktë, duke dërguar 5 herë topin në rrjetë, ndërsa portieri shkodran Alen Sherri ia doli të presë penalltinë e fundit të vendasve dhe të çojë Laçin në turin e dytë eliminator.

Rezistoi për plot 102 minuta edhe Gjilani, në përballjen me qipriotët e Apoel, por më pas pësoi dy gola dhe i dha fund aventurës europiane në turin e parë eliminator, që gjithsesi mund të cilësohet një sukses për skuadrën e drejtuar nga Gentian Mezani.

Mjaft pozitiv bilanci i skuadrave të Kategorisë Superiore në Europë, pasi që të katër skuadrat patën të drejtën e pjesëmarrjes, do të garojnë tani në turin e dytë të Europa Leagues.

Bilanci bëhet edhe më pozitiv për skuadrat shqiptare, nëse shton faktin që në turin e dytë të Europa Leagues do të përfaqësohemi nga plot shtatë të tilla, duke shtuar krahas Tiranës, Teutës, Kukësit e Laçit, edhe Shkëndijën e Tetovës, Renovën e Xhepçishtit dhe Dritën e Gjilanit./supersport.al