Kapiteni i ekipit kombëtar U21, thirrje qeverisë: Hapni futbollin!

332
Sigal

Sherif Kallaku, kapiteni i ekipit kombëtar U21 dhe lojtari i Teutës në Kategorinë Superiore, në një reagim në profilin e tij në “Instagram”, i bën thirrje publike autoriteteve në vend, për të lejuar futbollin e luajtur, ndërkohë që Qeveria ka ndërmarrë heqjen e kufizimeve për shkak të koronavirusit.

Siç e shikoni nga këto tri pamje, në njërën stadiumi i Durrësit, katër persona respektojnë distancat në 10 mijë metra katrorë. Tjetra “E Diela Shqiptare” dhe tjetra liqeni në mëngjes: ku ndjeheni më të sigurt, në një stadium që është i detyruar të respektojë rregullat e FIFA apo UEFA… apo… Nuk ka nevojë ta krahasojmë fare… Hapni futbollin!”, shkruan futbollisti i Teutës, i cili ka publikuar edhe fotot që ilustrojnë pamjet.

Federata Shqiptare e Futbollit i ka dërguar një letër Ministrisë së Shëndetësisë, duke paraqitur edhe një plan pune për rifillimin e aktiviteteve futbollistike në vend, me qëllimin që të vazhdojë garën dhe të mbyllë sezonin sipas kërkesave të UEFA-s më datë 30 korrik.

Pavarësisht se ka prezantuar një protokoll për rifillimin e sigurt të aktivitetit, i kopjuar nga modeli që po përdoret në Gjermani, ende nuk ka marrë “dritën jeshile” nga Qeveria.